Ja prapaskenat e emërimit, Starova gratis te Tirana
Me t’u emëruar në orët e vona të mbrëmjes së të martës, Starovës i kanë mjaftuar më pak se 24 orë për të rikthyer në mendje metodat e punës, të cilat i kishte “harruar” që nga koha e largimit nga Teuta dhe të zbriste në fushën e stërvitjes dhe me tutat bardheblu për të drejtuar skuadrën. Për të tretën herë në këtë pozicion, ai tashmë vjen në një periudhë krejt të vështirë të bardhebluve, të cilët po përjetojnë ecurinë më të keqe të viteve të fundit. Por emërimi i tij, edhe pse i hipotezuar pas dështimit për t’u zgjedhur në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së, ndodhi në një kohë shumë të shkurtër. Dje pasdite, presidenti Refik Halili kishte prezantuar para lojtarëve Luan Zenglen, por vetëm pak orë më vonë, pati zhvillime dinamike dhe gjithçka ndryshoi. Sengla “hapi krahun” për t’ia lënë vendin Starovës dhe për të mbajtur për vete atë pozicion, që kishte edhe me Mukajn, të zëvendëstrajnerit. Presidenti Halili ia kishte kushtuar mbrëmjen e djeshme tratativave me Starovën, për ta bindur të rikthehej për herë të tretë te bardheblutë dhe të linte në harresë largimin polemizues me drejtuesit bardheblu apo edhe me lojtarët. Një gjë e tillë është favorizuar edhe nga marrëdhënia e mirë mes Halilit dhe Starovës, të cilët bashkëpunuan ngushtë para Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së më 9 mars, me objektiv largimin e Dukës. Por burime të mirinformuara mbi tratativat konfirmojnë se “Bobi” është rikthyer “gratis” te Tirana. Duket se nuk do të paguhet me para në dorë, por bëhet fjalë për një shkëmbim nderesh. Gjithsesi, tekniku, i cili është shpallur kampion me bardheblutë në sezonin 2004-2005, menjëherë pas fillimit të punës, ka dalë para gazetarëve për të sqaruar arsyet pse pranoi rikthimin dhe objektivat e përcaktuar në marrëveshjen e tij me Halilin. Sipas tij, bardhebluve në këto 4 vitet e fundit nuk i ka munguar ana financiare dhe i kanë mundësitë që të bëhen një skuadër dhe më cilësore, “por kjo do një periudhë kohe të caktuar”. Këtë periudhë kohore deri në fund të sezonit ai e shikon edhe si një test për të gjithë lojtarët të cilët do të bindin për të qenë pjesë e Tiranës së sezonit të ardhshëm. Më pas tekniku i ri ka analizuar edhe periudhën e zezë të skuadrës në këtë sezon, duke justifikuar Mukajn, që mori drejtimin e skuadrës pas pezullimit të Tafajit. “Ka qenë e vështirë për Mukajn, që t’i bënte të dyja detyrat, atë të lojtarit dhe kapitenit në fushë dhe njëkohësisht edhe të trajnerit”. Ndërkohë që në fund sqaron edhe objektivin që ka Tirana me të në krye për këtë sezon, por edhe aplikimin e një plani largpamës për sezonin e ardhshëm. “Detyra ime është që të bëj maksimumin me këtë skuadër, të arrijmë sa më shumë rezultate pozitive, por të konkretizojmë me sukses objektivat që ka Tirana, u shpreh ai. Objektiv ynë është që në ndeshjet e mbetura të arrijmë vendin e tretë dhe gradualisht të mendojmë edhe për një Tiranë më të fortë, që të jetë e gatshme edhe për sezonin që vjen për të realizuar objektivat historikë që ka gjithmonë, fitimin e kampionatit dhe kupës”. Ndeshja e parë si trajner i zyrtar i Tiranës për Starovën do të jetë transferta e Apolonisë në “Loni Papuçiu”.
#