E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pas 10 vitesh diskutime, OKB arrin marrëveshje historike për mbrojtjen e jetës detare në oqeane

Për herë të parë, pas 10 vitesh diskutime, anëtarët e Kombeve të Bashkuara dakorduan për një traktat të unifikuar për të mbrojtur biodiversitetin në det të hapur, e cilësuar si një marrëveshje historike.

Traktati i Detit të Lirë vendos 30% të deteve në zona të mbrojtura deri në vitin 2030, duke synuar mbrojtjen dhe rikuperimin e natyrës detare.

Marrëveshja u arrit pas 38 orësh bisedimesh, në selinë e OKB-së në Nju Jork, ndërsa negociatat ishin shtyrë prej vitesh për mosmarrëveshjet mbi financimin dhe të drejtat e peshkimit.

Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit hyri në fuqi në 1982, përpara se biodiversiteti detar të ishte një koncept i mirëpërcaktuar. Ajo marrëveshje krijoi një zonë të quajtur “ujëra ndërkombëtare” ku të gjitha vendet kanë të drejtë të peshkojnë, të transportojnë dhe të bëjnë kërkime, por vetëm 1.2% e këtyre ujërave janë të mbrojtura.

Jeta detare që jeton jashtë këtyre zonave të mbrojtura ka qenë në rrezik nga ndryshimet klimatike, mbipeshkimi dhe trafiku i anijeve.

“Bota ka vetëm dy të përbashkëta kryesore globale, atmosferën dhe oqeanet. Ndërsa oqeanet mund të tërheqin më pak vëmendje, mbrojtja e kësaj gjysme të sipërfaqes së tokës është absolutisht kritike për shëndetin e planetit tonë ”, tha biologia detare e Georgetown, Rebecca Helm.

Edhe ekspert i oqeaneve Nichola Clark tha se kjo marrëveshje “është një mundësi një herë në brez për të mbrojtur oqeanet – një fitore e madhe për biodiversiteti”, raporton BBC.

Traktati do të krijojë një organ të ri për të menaxhuar ruajtjen e jetës në oqean dhe për të krijuar zona të mbrojtura detare në det të hapur. Traktati gjithashtu përcakton rregullat bazë për kryerjen e vlerësimeve të ndikimit mjedisor për aktivitetet tregtare në oqeane.

“Kjo do të thotë që të gjitha aktivitetet e planifikuara për detin e hapur duhet të shikohen, megjithëse jo të gjitha do të kalojnë një vlerësim të plotë,” tha Jessica Battle, një eksperte e qeverisjes së oqeaneve në Fondin Botëror për Natyrën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›