E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tabelat e detajuara/ Miliona lekë në dispozicion të bujqëve, blegtorëve dhe peshkatarëve, kriteret bazë që duhen plotësuar

Të gjithë bujqit, blegtorët dhe peshkatarët, do të kenë në dispozicion miliona lekë për të përfituar, pasi Ministria e Bujqësisë, me vendim të qeverisë, ka përcaktuar kriteret bazë të sektorëve që do të mbështeten, si dhe masën e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2023.

Sipas vendimit, të cilin e sjellë të plotë rtsh.al, fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2023 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, do të të përdoret për:

a) rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve blegtorale dhe të prodhimeve bujqësore në mjedise të mbrojtura, duke ulur kostot nëpërmjet pagesave për kafshë të matrikulluara, si dhe për sipërfaqe të kultivuar;

b) certifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike;

c) ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore dhe tregjeve të kafshëve të gjalla në disa bashki të vendit;

ç) përmirësimin e eficiencës energjetike dhe përshtatjen e kapaciteteve të peshkimit me burimet peshkore;

d) mbështetjen me naftë për bujqësinë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore;

dh) mbështetjen për trajnimin dhe transferimin e njohurive në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural.

Masa e mbështetjes financiare

Masat e mbështetjes dhe masa e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin do të jenë:

a) Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 10 (dhjetë) krerë lopë, në vlerën deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt;

b) Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën deri në 1 200 (një mijë e dyqind) lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 (treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë për subjekt;

c) Mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1 000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt;

ç) Mbështetje për fara/fidanë dhe impute të tjera, në vlerën deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermerë individualë ose grup fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për aplikant;

d) Fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, vitin e tretë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200 000 (dyqind mijë) për fermë të certifikuar;

dh) Implementimi dhe certifikimi global GAP, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, në sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha; ii. por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 (tre) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 (dhjetë) ha në fushë të hapur.

e) Për rinovimin e infrastrukturës së anijes së peshkimit, masa e përfitimit të jetë në 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 13 500 000 (trembëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekë për anije peshkimi të pajisur me leje të vlefshme peshkimi tregtar dhe jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë për subjekt.

Rinovimi i anijes së peshkimit përfshin:

Blerjen dhe instalimin e motorit kryesor, por jo më shumë se 7 000 000 (shtatë milionë) lekë;

Blerjen dhe instalimin e motorit ndihmës (gjeneratori detar), por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë;

Blerjen dhe instalimin e vinçit të anijes, por jo më shumë se 3 500 000 (tre milionë e pesëqind mijë) lekë. Vinçi përfshin edhe agregatet, hidromotorin, pompë vaji friksion, multiplikator dhe tubacionet;

Blerjen dhe instalimin e kamios (koplunit), por jo më shumë se 3 000 000 (tre milionë lekë);

Riparimin e përgjithshëm të anijes, por jo më shumë se 9 000 000 (nëntë milionë) lekë.

Në riparimin e përgjithshëm, përveç zërave të përcaktuar në dokimin periodik, përfshihen dhe zëvendësim llamarine ose ndërrim dërrase;

Dokimin periodik të anijes, por jo më shumë se 3 000 000 (tre milionë) lekë.

Dokimi periodik përfshin ngritjen dhe uljen nga kantieri, pastrimin dhe heqjen e bojës së vjetër, blerje boje, stuko, protektor (zinqe), riparim aksi helike.

Tregjet e produkteve bujqësore, tregjet e kafshëve të gjalla dhe thertoret

Mbështetje për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore, tregjeve të kafshëve të gjalla ose thertoreve për shoqëritë tregtare me kapital 100% shtetëror, të zotëruara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në vlerën jo më shumë se 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë për subjekt, nëpërmjet transferimit të fondit nga llogaria ekonomike 606 në llogarinë ekonomike 604 “Të tjera transferta të brendshme”.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ekzekuton transferimin e fondit përkatës te bashkia përkatëse, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e këtij fondi.

Mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara

Mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, në vlerën deri në 1 328 000 000 (një miliard e treqind e njëzet e tetë milionë) lekë.

Subjektet përfituese mbështeten me sasi nafte falas në barasvlerë të lehtësimit fiskal të naftës, që përdoret për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, sipas kritereve dhe masës së përfitimit, të përcaktuara në këtë vendim.

Kulturat bujqësore/grup-kulturat, normativat e konsumit të naftës dhe sasia respektive e naftës, që përfitohet falas.

Çmimi referencë për naftën llogaritet nga çmimi i publikuar në Buletinin e Njoftimeve Publike, i Agjencisë së Prokurimit Publik (rubrika “Të dhëna për karburantet), me burim informacioni Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Subjektet përfituese duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) Të kenë tokë bujqësore në pronësi dhe/ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës;

b) Madhësia totale e fermës duhet të jetë me sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha, ndërsa madhësia e parcelave me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha. 2.3.5

Aplikimi për të përfituar nga masa e mbështetjes me naftë për bujqësinë, bëhet online, në portalin e-Albania, me vetëdeklarim.

Përfitimi i sasisë së naftës falas për sipërfaqen që kultivohet është, si më poshtë vijon:

100% e sasisë për subjektet me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra;

subjektet me sipërfaqe mbi 10 ha, për sipërfaqen deri në 10 ha, përfitojnë sasitë, sipas përcaktimit të nënndarjes “i”, të kësaj pike, ndërsa për pjesën tjetër mbi 10 ha përfitojnë sasinë e naftës me normativë të reduktuar.

Normativa e reduktuar përllogaritet bazuar në nevojat për naftë të subjekteve me sipërfaqe mbi 10 ha, por jo më shumë se normativa e lejuar, si dhe në sasinë e mbetur të naftës në dispozicion, pasi janë plotësuar nevojat deri në 10 ha të të gjithë subjekteve, që janë kualifikuar si përfitues. 2.3.7

Aplikimet i nënshtrohen procesit të verifikimit/kontrollit administrativ dhe për aplikimet fituese kryhet kontrolli në terren.

Procesi i kontrollit në terren kryhet pas shpërndarjes së naftës te subjektet përfituese:

a) për të vlerësuar përputhshmërinë e vetëdeklarimeve me situatën reale dhe shmangien e lejuar të faktit të verifikuar të kulturave dhe të sipërfaqes së kultivuar, në raport me naftën e tërhequr, e cila të jetë jo më e madhe se 20%;

b) në jo më pak se 10% të subjekteve përfituese, përfshirë kontrollin e gjitha subjekteve me sipërfaqe mbi 10 ha.

Çdo subjekt, që përfiton nga skema e mbështetjes me naftë për bujqësinë, me shmangie më të madhe se 20%, ose me deklarime/dokumente të pasakta, përjashtohet për 3 (tre) vjet nga e drejta e përfitimit prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit. Subjektet me status fizik dhe juridik shpallen edhe debitor për vlerën e përfituar në mënyrë të padrejtë.

Nafta për bujqësinë do të shpërndahet nga operatorët furnizues të kontraktuar në bazë të përzgjedhjes, sipas procedurave ligjore prokuruese kuadër, nëpërmjet pikave të tyre të shpërndarjes në të gjithë vendin, ku fermerët paraqiten me kartën individuale, në të cilën është hedhur informacioni për sasinë e naftës që ka të drejtë të tërheqë fermeri përkatës.

Procedura e prokurimit për blerjen, shpërndarjen e naftës për përdorim nga fermerët realizohet, në përputhje me legjislacionin në fushën e prokurimit publik. Likuidimi i pagesave për furnizuesit e kontraktuar të naftës bëhet në përputhje me sasinë e naftës së shpërndarë te përfituesit.

Trajnimi dhe transferimi i njohurive në fushën e bujqësisë Mbështetje për trajnimin dhe transferimin e njohurive në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural nëpërmjet fermave model (ferma demonstrimi) nga Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT), në vlerën deri në 30 041 000 (tridhjetë milionë e dyzet e një mijë) lekë.

Vlera e mësipërme do të përdoret nga UBT-ja në vitet 2023–2024 dhe përfaqëson pjesën e papërdorur të fondit të transferuar UBT-së, “Për përcaktimin e kritereve bazë, të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë e zhvillimin rural, për vitin 2022”.

Për masat mbështetëse, kur fondi në dispozicion rezulton më i vogël se totali i kërkesës së aplikimeve të bëra për masën përkatëse, vlera e financimit që përfitohet për njësi (krerë, zgjua apo ha), si dhe në total për subjekt, reduktohet në përputhje me këtë fond.

Në rastet e shtesave/alokimeve eventuale të fondit, vlera e financimit që përfitohet nuk mund të jetë më e madhe se kufiri për masën përkatëse, i përcaktuar në këtë vendim.

Përfitues për masat e mbështetjes nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë fermerët, personat fizikë, personat juridikë, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), grupet vendore të veprimit (GVV) dhe UBT-ja.

Kriteret, procedurat dhe mënyra e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2023, do të përdoret shuma deri në 29 353 000 (njëzet e nëntë milionë e treqind e pesëdhjetë e tre mijë) lekë, për pagesën e vlerës së palikuiduar, për kontratat e parealizuara në masat e mbështetjes për investime në sektorin e peshkimit, për subjektet e shpallura fituese nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural.

Sasia prej 24 554 (njëzet e katër mijë e pesëqind e pesëdhjetë e katër) litra e naftës së përfituar nga subjektet e shpallura fituese, për vitin 2022, e cila nuk u tërhoq brenda datës 31.12.2022, duhet të tërhiqet deri në datën 30.6.2023.

/rtsh.al/ a.meta/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›