Pas Filipineve, Tajfuni Kalmaegi godet Vietnamin

Tajfuni Kalmaegi ka mbërritur në Vietnam. Erërat maksimale janë regjistruar në vlerën 92 mph ose 149 km/h, në momentin që tajfuni ka mbërritur në tokë.
Ministria e Mjedisit në një deklaratë njofotn qytetarët se stuhia ka mbërritur ndërsa u bën thirrje atyre që të qëndrojnë në banesa.
“Stuhia është në tokë, në provincat Dak Lak dhe Gia Lai”, tha ministria e mjedisit.
Përpara se të zbarkonte në Vietnam, Kalmaegi la pas gjurmë shkatërrimi në Filipine dhe të paktën 114 viktima.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Përpara mbërritjes së tajfunit Kalmaegi, vlen të përmendet se Vietnami është përballur tashmë me përmbytje dhe shira rekord këtë javë.
Shpërthimet e brigjeve të lumenjve kanë përmbytur disa nga vendet turistike më të njohura të vendit, përfshirë qytetin e Hue, i cili është i listuar në UNESCO, dhe pikën historike Hoi An.
Të paktën 35 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet, sipas një deklarate të kohëve të fundit nga agjencia kombëtare e fatkeqësive. Ministria e mjedisit e Vietnamit thotë gjithashtu se më shumë se 100,000 shtëpi janë përmbytur dhe janë raportuar më shumë se 150 rrëshqitje toke.
Sipas raportimeve të mediave lokale, Kryeministri Pham Minh Chinh zhvilloi një takim online për të drejtuar reagimin ndaj emergjencës.
“Ne duhet të arrijmë në zonat e izoluara dhe të sigurohemi që njerëzit të kenë ushqim, ujë të pijshëm dhe furnizime thelbësore. Askush nuk duhet të lihet i uritur ose i ftohtë“, citohet të ketë thënë ai.
/rtsh.al/