Pas Kinës, diplomacia shqiptare afrohet edhe me Korenë e Jugut
Pas nxitjes së marrëdhënieve me Kinën, Tirana zyrtare duket se kërkon të afrojë edhe Korenë e Jugut. Dje, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, takoi ambasadorin Republikës së Koresë, z. Bae Young-Han. Gjatë këtij takimi u vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Meta i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si shumë pozitive dhe shprehu vullnetin për zgjerimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha nivelet. Ai theksoi rëndësinë e veçantë të këtyre marrëdhënieve, duke nënvizuar potencialet që ekzistojnë në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe pozitën strategjike që Shqipëria ka në rajon. Në këtë kontekst, ai kërkoi një prani më të madhe të kompanive koreanojugore në Shqipëri. Ambasadori Young- Han transmetoi dëshirën e qeverisë koreanojugore për thellimin e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare në të gjitha nivelet. Duke nënvizuar faktin se viti i ardhshëm shënon 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ai propozoi zhvillimin e konsultimeve politike me qëllim organizimin e vizitave të nivelit të lartë dhe zhvillimin e aktiviteteve me karakter kulturor. Gjithashtu, ambasadori koreanojugor përshëndeti zhvillimet e brendshme në Shqipëri në kuadrin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Në përfundim të takimit, zoti Meta transmetoi ftesën për një vizitë në Shqipëri të ministrit të Jashtëm koreanojugor. Po dje Meta priti edhe një delegacionin amerikan të Biznesit për Çështje të Sigurisë Kombëtare (BENS). Gjatë takimit me delegacionin amerikan (BENS - Business Executives for National Security) të kryesuar nga Gjenerali Çarls Boyd, u diskutua rreth çështjeve që lidhen me rolin e Shqipërisë për sigurinë rajonale, kontributin e saj në Afganistan, integrimin e plotë të Shqipërisë në BE dhe rreth perspektivave që lidhen me rolin e investitorëve amerikanë në Shqipëri. Në takim mori pjesë edhe ambasadori i SHBA në Shqipëri, z. John Withers. Meta e vlerësoi vizitën e delegacionit BENS në vend dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me SHBA, si aleati strategjik i Shqipërisë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këtë kontekst, u vlerësua edhe politika konstruktive dhe ajo e fqinjësisë së mirë, e ndjekur prej qeverisë shqiptare. Anëtarët e delegacionit amerikan shprehën vullnetin për të inkurajuar intensifikimin e investimeve amerikane në Shqipëri, si një kontribut për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.