Topalli: Bojkoti i deputetëve të PS-së? Do të zbatojmë Kushtetutën
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, analizoi mbrëmë në emisionin "Ora e Debatit". Topalli tha se që nga konstituimi janë zhvilluar nëntë seanca. "Do të doja të kisha opozitën të pranishme. Ata janë votuar nga shqiptarët për të bërë opozitën. Vetë e kam kaluar karrierën më të madhe në opozitë dhe e di rolin që ajo ka në Kuvend", u shpreh Topalli. Jemi përpjekur, vijoi ajo, që gjatë kësaj periudhe të tregohemi seriozë dhe të punojmë. Duke ju referuar kërkesës për hapjen e kutive të votimit, Topalli tha se "nuk mungon vullneti për të dialoguar, për t‘u ulur e për të folur qoftë edhe me kryetarin e Partisë Socialiste". Kryeparlamentarja tha se mungesa e opozitës lëndon, por nuk do të ndikojë në proceset integruese. "Ata, përveçse po bllokojnë Parlamentin, thonë se po bllokojnë edhe zgjedhjet e pjesshme lokale", tha Topalli. Ajo sqaroi se kërkesa për hapjen e kutive u bë nga PS-ja në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe u rrëzua. "Kërkesa u bë edhe në Kolegjin Zgjedhor dhe u cilësua e pambështetur. Kolegji thotë se kur nuk ka kontestim gjatë numërimit, atëherë nuk ka as rinumërim", tha Topalli. Nuk mund të pranoj, vijoi ajo, se partia dhe shteti janë një. E pyetur nëse Partia Demokratike është e gatshme të ofrojë lëshime në raport me opozitën, Topalli tha se "pranojmë plotësimin e çdo kërkese që e lejon Kushtetuta e Shqipërisë". Në vlerësimin e Topallit, kriza nuk është te Parlamenti por te Partia Socialiste. "Edi Rama e ka gabim që mendon se mund ta pengojë procesin e liberalizimit të vizave", u shpreh Topalli. Bojkoti, shtoi ajo, bëhet për shkak të karrierës personale të një personi. "Kam disa ligje që unë nuk i fus dot në seancë, pasi nuk kam numrat në Kuvend. Ne nuk mundemi ta urdhërojmë, por duhet të bëjmë gjithçka që të kalojmë ligjet e rëndësishme", tha Topalli. 28 qershori, insistoi Topalli, është një kapitull i mbyllur dhe fituesi nuk ka më asnjë dyshim. E pyetur në lidhje me mandatin ligjor të deputetëve dhe se kur mbaron ai kur nuk shkohet në Kuvend, Topalli tha se "Kushtetuta është shumë serioze dhe deputetët e PS-së e kanë lexuar mirë. Këshilli i Legjislacionit do të konsultohet me KQZ-në për këtë rast, por është momenti që ata të vijnë në Parlament", u shpreh Topalli. Deputetët që kanë marrë mandatin, por nuk kanë bërë betimin, sqaroi Topalli, nuk gëzojnë as mandatin e deputetit dhe as atë të ish-deputetit. Numri dy i PD-së tha se ishin 20 mijë komisionerët dhe personat e ngarkuar nga PS-ja që u kujdesën për procesin zgjedhor dhe nuk shfaqën kontestime.