E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pas Marsit, India synon të përshkojë hapësirën drejt Diellit për ta studiuar

Agjencia hapësinore e Indisë po synon një tjetër moment historik me dërgimin e një sonde për të studiuar Diellin, pak më shumë se një javë pas uljes me sukses në Hënë.

“Aditya-L1” u nis të shtunën (2 shtator) rreth orës 11:50 me kohën lokale dhe do të transportojë me vete instrumente shkencorë për të vëzhguar shtresat më të jashtme të Diellit.

“Aditya” – emri i hyjnisë së Diellit në kulturën hindu – do të udhëtojë 1.5 milion km (930 mijë milje) për të arritur në destinacionin e saj.

Udhëtimi drejt Diellit pritet të zgjatë katër muaj.

Qëllimi i misionit është të sqarojë dinamikën e disa fenomeneve diellore duke fotografuar dhe matur grimcat në atmosferën e sipërme të Diellit.

Sipas Organizatës Indiane për Studimin e Hapësirës (ISRO), anija kozmike përfshin “shtatë pajisje shkencore për studimin sistematik të Diellit”, të gjitha të zhvilluara në bashkëpunim midis agjencisë hapësinore të Indisë dhe instituteve shkencore.

Shtetet e Bashkuara dhe Agjencia Europiane e Hapësirës (ESA) kanë dërguar sonda të shumta në qendër të sistemit diellor, duke filluar me programin “Pioneer” të NASA-s në vitet 1960. /AJ

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›