Pas Petro Ninit, shembet tavani edhe te Dora Distria
Tavani i palestrës së shkollës 9-vjeçare, Dora, DIstria, ku mësojnë plot 907 nxënës, është shembur.Kjo fatmirësisht ka ndodhur ditën e diel kur në shkollë nuk kishte asnjë nxënës, duke evituar kështu mundësitë për ndonjë ngjarje tragjike. Drejtoresha e kësaj shkolle, Mimoza Isai, konfirmon se menjëherë ditën e ngjarjes është lajmëruar drejtoria përkatëse në Bashkinë e Tiranës për të marrë masat e nevojshme, në mënyrë që shkollës ti bëhet një kontroll i plotë për gjendjen dhe për ti paraprirë çdo rreziku të mundshëm. Punonjësit e bashkisë kanë vijuar me shembjen e pjesëve të tjera të suvasë së tavanit, të cilat mund të rrezikojnë të bien më vonë dhe që mund të rrezikonin jetën e nxënësve gjatë orës që frekuentojnë palestrën. Shembja e tavanit ndodhi mëngjesin e së dielës në orën 09:00 të mëngjesit dhe pas kësaj ngjarje janë vënë në dijeni të gjitha strukturat përkatëse. Por, në kohën që po punohet për të zgjidhur këtë problem dhe për ti dhënë fund frikës për ndonjë shembje të radhës, rënia e tavanit i ka shërbyer drejtuesve të shkollës Dora DIstria për të sjellë në vëmendje një tjetër problem real që ka kjo shkollë. Një i tillë është edhe rasti i bodrumit të kësaj shkolle, i cili prej vitesh mbushet me ujë, pasi ka një rrjedhë uji në të. Kjo histori ka më shumë se shtatë vjet që përsëritet, që në momentin që shkolla u rikonstruktua dhe, pavarësisht kërkesave të drejtuesve të shkollës për të ndërhyrë, gjithçka ka rënë në vesh të shurdhët. Sikurse konfirmojnë drejtues të shkollës lidhur me çështjen e përmbytjes së bodrumit, ka pasur vetëm vizita të shkurtra inspektimi nga ana e strukturave përkatëse, por nuk është marrë asnjëherë ndonjë masë konkrete. Ndërkohë që shpresohet që rasti i shembjes së tavanit të shërbejë edhe si një nismë konkrete për të zgjidhur edhe çështjen e bodrumit të shkollës. Në një retrospektivë të shkurtë, rasti i shkollës Dora DIstria, i vetmi sa i përket rënies së një tavani shkolle, vetëm disa javë më parë në kryeqytet një tjetër shkollë pati probleme me rënien e suvasë, çka u kthye në një lumë akuzash për Bashkinë e Tiranës.
Incidenti tek gjimnazi Petro Nini
Në datë 24 mars, në shkollën e mesme të përgjithshme Petro Nini në kryeqytet ndodhi një ngjarje pak a shumë e ngjashme me atë tek Dora Distria, veçse edhe në këtë rast fatmirësisht askush nuk u lëndua. Rreth orës 13:10 të një dite të enjte rreth 5 metra suva u shkëputën nga tavani i korridorit në katin e dytë të shkollës, duke krijuar panik tek nxënësit të cilët sapo do të dilnin nga ora e mësimit.
MASH: Bashkia të rishikojë punimet në 16 shkolla
Ngjarja në shkollën 9-vjeçare Dora DIstria ka ngjallur edhe reagimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila dje përmes një deklarate për shtyp dënoi fenomenin e përsëritur që vë në rrezik jetën e nxënësve që mësojnë në këto shkolla. Brenda një periudhe të shkurtër, bie përsëri tavani në shkollat e kryeqytetit. Kësaj here ishte shkolla, 9-vjeçare Dora DIstria, me 907 nxënës. Po bëhet fenomen i përsëritur rënia e tavaneve të shkollave në qytetin e Tiranës, duke vënë kështu në rrezik jetën e nxënësve dhe të mësueseve dhe duke krijuar pasiguri në komunitet, thuhet në deklaratën e MASH-it. Ndërkaq, kjo ministri sjell në vëmendje të gjitha ngjarjet e kaluara për të cilat sipas saj, Bashkia e Tiranës duhet të marrë përsipër përgjegjësinë dhe të reagojë për të rishikuar cilësinë e punimeve në 16 shkollat e tenderuara prej saj.