E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa taksa paguajnë qytetarët për Bashkinë e Tiranës

Vdekjes dhe taksave nuk u shpëton dot, ka thënë një President amerikan. Qytetarët shpesh ankohen kur taksat e tyre rriten, por ndonjëherë edhe i pranojnë ato në këmbim të një shërbimi që u ofrohet. Parë nga një këndvështrim më i kufizuar gjeografik, le të shohim se sa taksa paguajnë kryeqytetasit për shërbimet që u ofrohen dhe si ka ndryshuar ecuria e këtyre taksave në vite. Taksa e parë që paguhet është ajo e pastrimit. Kjo taksë ka ardhur në rritje për të gjitha kategoritë. Kështu, në vitin 2008, një familje paguante 3 600 lekë për të siguruar shërbimin e pastrimit, në 2009-n tarifa u bë 4500 lekë. Kjo tarifë mbeti në fuqi edhe për vitin 2010, për vetë faktin që baza e taksave nuk mund të ndryshohet pa shumicën e votave në Këshillin Bashkiak. Njësitë tregtare e shitjes me pakicë, bulmetoret, fruta-perimet apo kafenetë, të klasifikuara si biznese të mesme, kanë paguar nga 23 mijë deri në 36 mijë lekë për vitin 2009. Furrat e bukës si biznese të vogla, paguajnë plot 26 mijë lekë. Hotelet e konsideruara si biznes i vogël, kanë paguar 33 për qind më shumë për këtë tarifë në vitin 2009, duke derdhur 8 mijë lekë gjatë vitit 2009. Të njëjtën rritje prej 33 për qind e kanë pasur edhe shitësit ambulantë, të cilët për të njëjtin vit i kanë paguar bashkisë për shërbimin e pastrimit, dy mijë lekë. Ndërkohë, zanatçinjtë, si këpucarët, marangozët, rrobaqepësit dhe ata që zotërojnë një floktore kanë pasur për të paguar gjithashtu një taksë pastrimi. Kjo në fakt rezulton të jetë rritur në masën 60% në 2009-n dhe është në nivelin 8 mijë lekë. Një taksë tjetër që paguhet nga kryeqytetasit është taksa e gjelbërimit. Por si ka ndryshuar ajo nga një vit në tjetrin? Si referencë marrim sërish dy vite. Familjet kanë paguar 5 mijë lekë për vitin 2009 ose 66% më shumë se në 2008. Bulmetoret, dyqanet e fruta-perimeve, kafenetë, kanë pasur një rritje 140% të kësaj takse, ndërsa për ato që janë në grupin e biznesit të madh, rritja ka qenë 250%. Dyqanet që prodhojnë produkte ushqimore, përfshirë bukën, kanë paguar një taksë gjelbërimi për vitin 2009, 50% më të lartë se një vit më parë. Për bizneset e shërbimit si hotelet kjo taksë për 2009-n është rritur 200%, për bizneset e lojërave të fëmijëve taksa është rritur 150%, në të njëjtën përqindje është rritur edhe për automjetet që transportojnë 4-5 pasagjerë. Një tjetër taksë që aplikohet është edhe ajo e tabelës, por kjo prek vetëm pjesën e biznesit. Tabelat në gjuhën shqipe, për qëllime identifikimi në vitin 2009, janë rritur me 50%, duke u fiksuar në 1500 lekë. Ndërsa tarifa për tabelat në gjuhë të huaj kanë shkuar në 3 mijë lekë në vit ose 100% më shumë se në vitin 2008. Tabelat për qëllime reklamimi të klasifikuara si të zakonshme dhe të përbëra i janë nënshtruar një rritje prej 60%. Bizneset që kanë tabela të tilla paguajnë 10 mijë lekë për metër katror çdo vit. Tarifa për tabelat elektronike ka shkuar në 15 mijë lekë për metër katror në vit ose 53% më shumë se në vitin 2008.

45 mijë lekë
të vjetra paguan një familje në Bashkinë e Tiranës si taksë, pastrimi një herë në vit. Në vitin 2008, një familje paguante 36 mijë lekë për të njëjtën kategori takse.

5 mijë lekë
të vjetra paguan një familje si taksë gjelbërimi në Bashkinë e Tiranës çdo vit. Edhe kjo taksë krahasuar me vitin 2008 ka pasur tendencë rritjeje dhe është rritur 66%.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›