E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Tiranës, Ramën e përzënë edhe nga Vlora

20-05-2013 / Gazeta 55

Një Vlorë blu ka votëbesuar për një mandat të tretë, Kryeministrin Berisha, në një miting masiv, që të kujton entuziazmin e plebishitit të 1992-it. 
Berisha: “Rama ofendoi vlonjatët, me dokumentarin e kujtimeve të vegjëlisë - shfaqi agjentë të fuqive armike në portin e saj”

Entuziazmi i fitores së Partisë Demokratike në 23 qershor shoqëroi edhe sheshin “Pavarësia” mbrëmë në Vlorë, aty ku kryeministri Sali Berisha bëri prezantimin e kandidatëve për deputetë. Deputetët e PD, tha Berisha, do të jetë përfaqësuesit e denjë të qytetarëve, interesave dhe problemeve të tyre, në katër vitet e ardhshme. Para mijëra të pranishmëve kryeministri premtoi më shumë vende pune, rritje të mirëqenies dhe integrimin e Shqipërisë në Europë. “Këto vite, ne së bashku bëmë gjithçka për të ecur drejt të ardhmes që meritojmë. Në epiqendër të të gjitha përpjekjeve tona ka qenë e mbetet punësimi i qytetarëve shqiptarë, mirëqenia a qytetarëve shqiptarë, integrimi i Shqipërisë në Europë. Me mundin, djersën, përpjekjet dhe punën tuja krijuese, me reformat që bëmë, ne ia dolëm në pak vite që biznesi në Vlorë e në Shqipëri pothuaj të dyfishohet, të dyfishohen vendet e punës. Me taksën e sheshtë dhe rregulla të tjera të vendosëm, me anëtarësimin në NATO e pasaportën që morëm, Shqipëria në katër vitet kulmore të krizës europiane mori investime të huaja 316 përqind më shumë se katër vitet e tjera, mori investime të huaja 4.2 miliardë dollarë, me të cilat u punësuan me dhjetëra mijëra qytetarë. Përpjekja jonë është përpjekje fisnike, përpjekje për punësimin e qytetarëve të Vlorës e të Shqipërisë. Ne i besojmë Zotit, vlerave njerëzore e hyjnore të njeriut e lirive të tij. Ne besojmë se respektimi i lirisë ekonomike dhe lirive të tjera të qytetarëve përbën bazën e zhvillimit, bazën e punësimit, bazën e pasurimit, bazën e progresit. Ndaj edhe ne ulëm taksat, përgjysmuam taksën e biznesit të vogël dhe morëm një seri masash të tjera. Ne besojmë tek Shqipëria, tek potencialet e saj përrallore për qytetarët e saj. Ky është vend i bekuar, vend i pasurive përrallore. Ne do të bëjmë gjithçka t’i kthejmë ato në mirësi për qytetarët tanë”- u shpreh kryeministri. Financimi i fermerëve është dhe një nga pikat kryesore të programit të qeverisë, të katër viteve të ardhshme. “Në katër vitet që shkuan, ne financuam në Vlorë e në mbarë Shqipërinë 42 mijë fermerë. Por në qoftë se ne me grantet tona bëmë të mundur të mbillen 8 mijë hektarë ullinj, fermerët mbollën katër herë më shumë. Gjatë katër viteve të shkuara u krijuan në fermat shqiptare, 100 mijë vende pune. Jam sot për t’u zotuar në sheshin e Pavarësisë, para qytetarëve të Vlorës e mbarë Shqipërisë se katër vitet që vijnë do të trefishojmë grantet për ju burrat e gratë e mrekullueshëm dhe do të bëjmë që ju të keni jo 56 milionë mbështetje, por 165 milionë financime për fermat tuaja, do të bëjmë që aty ku jeni të ndërtoni fermat e bizneset tuaja, të punësohen së paku dhe 130 mijë qytetarë shqiptarë e të ndërtojnë një të ardhme më të begatë për veten e tyre”- theksoi ai. Për mua, vioji kryeministri, është e freskët hapja e fushatës elektorale, së bashku, në vitin 2005. “Ne u zotuam se do të dyfishojmë turizmin dhe sot turizmi është rritur me 14 herë. Nga 300 mijë turistë e vizitorë, Shqipëria priti 4.7 milionë turistë e vizitorë. Ky sektor punëson mbi 150 mijë shqiptarë në sezon. Ne angazhohemi që katër vitet që vijnë të kemi 7 milionë turistë e vizitorë, të rrisim edhe me 30 përqind punësimin në sektorin e turizmit”- tha ai. Nga qyteti i Vlorës, Berisha akuzoi dhe kreun e PS, Edi Rama i cili sipas tij, ofendoi shqiptarët dhe vlonjatët, kur në dokumentarin e kujtimeve të vegjëlisë shfaqi agjentë të fuqive armike në portin e saj. “Mos lëndo historinë e Vlorës, ajo krenohet pikërisht me luftën e saj. Erdhe këtu dhe shpalle izolimin në të cilin Sali Berisha e paska zhytur Vlorën. Vlora kryeqendër e historisë, anëtare e NATO-s, lëviz pa viza, Vlora qenka e izoluar apo ti që bllokove tre ligje për marrjen e statusit. 10 ditë më parë bënte thirrje që të vinte Selam Musai, ai do vijë me benz se rruga do ndërtohet. Jemi forcë politike serioze, bëjmë gjithçka për të mbajtur fjalën tonë. Krijuam Shqipërinë me taksat më të ulëta në Europë dhe e bëmë”, tha kryeministri Berisha. “Çfarë premton alternativa tjetër? Rritje të taksave, biznnesmenë të vegjël të Vlorës dhe Shqipërisë kontrolloni taksat në mbarë botën, nëse gjeni një vend me 1.5 taksë xhiroje hajdeni dhe më thoni dhe do marr të gjitha masat që të keni taksat më të ulëta. Rama mashtron. Kur ishte kryetar bashkie i 2 dhe 3- fishoi. Alternativa e Ramës, për ta kuptuar ju bëj thirrje lexoni për Kokëdhimën. Çfarë është Kokëdhima, është simboli, ikona e spekulimit mbi tokë. E nisi me Hajdin Sejdinë, me fajdet, përfundoi në menaxherin de facto të Bashkisë së Tiranës për 11 vite. Pse zoti Rama në dokumentarin për kujtimet e vegjëlisë nuk vendose asgjë nga kujtimet e Bashkisë. Nuk i vendosje dot se modeli që vendose në bashki për 11 vite ishte modeli i drejtuar nga Kokëdhima që fitonte 80% të tenderave. Ecën me një platforme akuzash, mohimi”,- u shpreh Berisha. Kryeministri Berisha gjithashtu vuri theksin tek arritjet e deritanishme të qeverisë dhe premtimet për 4 vitet që vijnë, dhe akuzoi opozitën për bllokimin e statusit kandidat. “Vetë Komisioni Europian kishte bindur zotin Rama dhe kishim rënë dakord për të votuar 3 ligjet. Zoti Rama nuk i votoi kurrë ligjet. Bllokoi statusin. Do t’i bëjmë një pyetje nga ky shesh kreut të PS. Erdhe këtu dhe shpalle izolimin e thellë në të cilin e paska zhytur Berisha Vlorën. Zotëri, Vlora kryeqendra historike e kombit, sot anëtare e NATO-s. Vlora qytet i qytetarëve që lëvizin të lirë pa viza në Europë. Vlora qytet i një vendi që plotësoi te gjitha kushtet për statusin e kandidatit, qenka i izoluar. Po ti që nuk voton 3 ligjet për t’i mohuar statusin, ç’të drejte ke ti”, deklaroi Kryeministri Berisha. Kryeministri premtoi sërish liberalizimin e vizave me SHBA, duke shprehur bindjen se qeveria e tij do të arrijë të përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara. “Ne jemi një force politike serioze, ne bëjmë gjithçka për të mbajtur fjalën tonë. Premtuam rritje rrogash dhe pensionesh, i dyfishuam ato, premtuam anëtarësimin në NATO, sot jemi anëtarë të NATO-s, premtuam liberalizimin e vizave, sot lëvizim pa viza. Ju premtoj se do bëjmë gjithçka për të hequr vizat me SHBA, vendin mik”, u shpreh kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›