Alternativa e Edi Ramës: gijotinë për investitorët e huaj dhe për popullin
Ka kohë që Edi Rama “e zhveshi shpatën, edhe një herë për situatën”, ashtu siç bënte Enver Hoxha, dhe mu si ky i fundit kërcënon gjithandej gjithë “imperialistët kapitalistë” që guxojnë të investojnë në shtetin shqiptar, kundër “armiqve të brendshëm” që po guxojnë t’ia prishin ëndrrën e tij për pushtet. Mirëpo, derisa më parë këto kërcënime edhe mund të merreshin si shprehje e trysnisë ndaj investitorëve të huaj që të mos investojnë në shtetin shqiptar, për të penguar kështu realizimin e premtimeve të Berishës lidhur me energjinë dhe me aspekte të rëndësishme ekonomike, si shpërfaqje e mendësisë enveriste sipas së cilës koncesionet janë tradhti kombëtare, tashmë të përsëritura në kontekst të fushatë zgjedhore, këto kërcënime mund dhe duhet të kuptohen edhe kështu, por edhe si shpërfaqje të krizës morale, politike, shoqërore dhe psikologjike që e ka kapluar atë dhe tërë opozitën si pasojë e dështimit të të gjitha pazareve dhe të gjitha kërcënimeve reale që ka bërë ai gjatë tërë këtyre kohëve si ndaj investitorëve të hua, ashtu edhe ndaj kundërshtarëve politikë. Kurse Edi Rama, tërë karrierën e tij e ka mbështetur në pazare dhe kërcënime, më shumë për të bërë të fortin brenda partisë, por edhe për të përfituar nga ato mundësi që i jepte të qenit në krye të opozitës. Kur jemi këtu, duhet thënë se praktika e qeverisjes me bashkinë e Tiranës, si dhe e të bërit politikë, jep argumente të mjaftueshme për të besuar se Edi Rama, më shumë se për gjithçka tjetër ka qenë i interesuar për pazare me qëllim përfitimi personal dhe të miqve të tij biznesmenë, sesa për qeverisje të mirëfilltë. Është e qartë se nga të gjitha lejet e ndërtimit që ai ka dhënë si kryetar bashkie, dhe për investime të tjera që biznesmenë të ndryshëm kanë bërë në Tiranë, sa kohë ka qenë i pari i bashkisë, Edi Rama ka bërë pazare me kompani ndërtimore dhe të tjera nga të cilat ka kërkuar përqindje fitimi. Në anën tjetër, edhe në politikë, Edi Rama ka dëshmuar se vetëm për pazare di. Ai kushtëzoi pjesëmarrjen në zgjedhjet e vitit 2007 me votimin me anë të certifikatave të lindjes, e që ishin në dorë të pushtetit të tij, për të mundur që të manipulojë me to; ai kushtëzoi pjesëmarrjen në zgjedhjet e vitit 2009 me ndryshimet kushtetuese që do të hiqnin zgjedhjen e presidentit me 84 vota, dhe ai të zgjidhej me 71 vota, që mocioni i mosbesimit ndaj kryeministrit të shoqërohej me 71 vota për të zgjedhur kryeministrin e ri dhe me kodin zgjedhor sipas qejfit të tij; ai kushtëzoi pjesëmarrjen në zgjedhjet e vitit 2011 me ndryshime të tjera kushtetuese dhe me ndryshime në kodin zgjedhor që do i leverdiste atij; e edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e vitit 2013 me ndryshime të kodit sipas qejfit të tij, kurse e ka lënë të hapur mundësinë për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve si arsye për përpjekje për anarki, me çështjen e KQZ-së. Pra, Edi Rama kushtëzonte, bënte pazare me të vetmin qëllim ardhjen në pushtet në tavolinë. Dështimi i njëpasnjëshëm i tij në këtë drejtim, e kishte çmendur fare, pasi që avantazhet që në kod dhe në kushtetutë i kishte paramenduar për të, u bënë avantazhe për kundërshtarët e tij. Edi Rama, me këmbënguljen e tij i kishte dhënë Berishës avantazhe të mëdha. Prandaj, ai jo njëherë kishte kërkuar ndryshime kushtetuese dhe marrëveshje të tjera që do të revidonin ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, si dhe rikonfigurim të KQZ-së. Para shqiptarëve dhe para botës, Edi Rama ishte bërë qesharak dhe fodull, sepse bënte veprime qesharake dhe fodulle, siç janë pikërisht kërkesa për të shndryshuar ato ndryshime kushtetuese që i kishte kërkuar vetë, dhe për të shndryshuar përbërjen e KQZ-së, përbërje që e kishte përcaktuar vetë. Tashmë Edi Rama ishte i pashpresë, sepse ishte komprometuar keq dhe nuk i dilnin hesapet sipas qejfit të tij. Prandaj atij i mbetën dy mundësi: të rrëzonte pushtetin me dhunë, dhe të bllokonte çdo proces integrativ me BE-në që kërkonte edhe votat e partisë së tij. Dhe ashtu bëri: më 21 janar 2011 organizoi një aksion të dhunshëm me qëllim që të përmbysë pushtetin me dhunë, e në rast dështimi, të bëjë përgjegjës kryeministrin Berisha dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Lulzim Basha për dhunën e përdorur, pasi që ky i fundit përflitej si kandidat për kryebashkiak të Tiranës, pra si rival i Edi Ramës. Por, pazaret dhe planet i dolën keq, pasi që edhe nuk e rrëzoi qeverinë, edhe e humbi bashkinë. Populli nuk mund të votonte përsëri një njeri që ishte në gjendje t’ia fuste flakën shtetit për teket e tij dhe për gjendjen e rënduar mendore. Kjo e tmerroi fare, dhe bëri gjithçka të keqe, bëri gjithçka të dëmshme vetëm për të mos ecur shteti përpara. Të kota ishin thirrjet e ndërkombëtarëve që të jepte konsensusin për tri ligjet që do të hapnin rrugën e shtetit shqiptar për statusin e vendit kandidat, pa të cilin nuk mund të hapej edhe procesi i negocimit të anëtarësimit në BE. Bile as ftesa që iu bë nga komisioneri Fyle ditën kur tha se Shqipëria kishte përmbushur të gjitha kushtet për statusin e vendit kandidat, përveç tri ligjeve që vareshin nga opozita. Me fjalë të tjera, Edi Rama, nuk hoqi dorë nga veprimtaria e tij sociopatike edhe kur iu bë e qartë faktikisht se Shqipëria kishte përmbushur të gjitha kushtet që vareshin nga qeveria Berisha, por kishte mbetur pa u plotësuar edhe kushtet që vareshin nga Edi Rama. Ai praktikisht ishte bërë pengesa e vetme e ecjes së shtetit shqiptar përpara. Por për të pak kishte rëndësi kjo, sepse tashmë ai nuk kishte alternativë tjetër: t’i shkonte deri në fund çmendurisë së tij. Dhe fushata zgjedhore, po dëshmon se ai, Edi Rama, nuk ka hyrë në këtë fushatë për të shpalosur alternativë qeverisëse, por për të kërcënuar një popull të tërë me gjyqe, me ndëshkime dhe me çdo formë tjetër të dhunës. Ai në asnjë tubim me mbështetësit e tij nuk ka shpërfaqur qoftë edhe një element qeverisës, pos që ka thënë se do aplikojë taksën progresive. Në asnjë qark, në asnjë rreth, në asnjë qytet, e bile as në autobusin e blerë nga miqtë e tij biznesmenë, nuk ka thënë se do të ndërtojë qoftë edhe një rrugë të vetme, nuk ka thënë se do të ndërtojë qoftë edhe një hidrocentral të vetëm, apo se do të rrisë rroga. Pra ai nuk po thotë asgjë që do të duhej të thoshte dikush që mëton të jetë kryeministër. E vetmja gjë që thotë është se do të shkatërrojë çdo investim të bërë deri më tash, pasi që kështu i bie kur u thua investitorëve të huaj se do të anuloj koncesionet dhe privatizimet, se do të hap gjyqe kolektive kundër një populli të tërë që nuk e do atë për kryeministër, dhe se do ta shndërrojë shtetin shqiptar në një gijotinë për qytetarët e tij.
Përveç kërcënimeve me gijotinë, dhe në kontekst të tyre, Edi Rama po shpërfaq një koncept të deformuar për demokracinë, lirinë dhe drejtësinë, pasi që demokraci është vetëm pjesëmarrja në tubimet e tij zgjedhore, liri është vetëm të mendosh si Edi Rama, dhe drejtësi është vetëm gijotina që paralajmëron për kundërshtarët politikë. Ai pjesëmarrësit nëpër tubimet zgjedhore të koalicionit të partive në krye me Sali Berishën po i quan robër, të cilët do t’i çlirojë pas 23 qershorit. Për çfarë çlirimi flet Edi Rama kur ua ofron gijotinën nëpërmjet gjyqeve kolektive si alternativë? Zaten këto koncepte të natyrës filozofike, sociologjike dhe juridike, do të duhej të ishin edhe çështje që do të duhej të provokonin edhe një debat brenda grupit të atyre që quhen filozofë, sociologë e juristë, sepse në fakt, këto koncepte të kthyera përmbys, po e cenojnë thelbin e demokracisë, të shoqërisë dhe të shtetit ligjor. Është kështu, sepse kërcënimet me procese gjyqësore kolektive jo vetëm që bien ndesh me konceptet themelore juridike, por edhe me funksionimin e një shoqërie demokratike dhe të vetë demokracisë. Shpërfaqja e konceptit të robërve për ata që mbështesin kundërshtarin politik dhe të konceptit të çlirimtarit për veten, në fakt, edhe më shumë prekin thelbin e demokracisë dhe të lirisë. Dhe këtë nuk e thotë ndonjë pseudoanalist në ndonjë studio të stisur televizive, apo edhe në ndonjë faqe të bardhë gazetash me shkronja të zeza, por e thotë kryetari i opozitës që mëton pushtetin, dhe të cilën e paraqet si alternativë qeverisëse. Çështja është: nëse Edi Rama do të vinte në krye të qeverisë, për çfarë lloj demokracie do të bëhej fjalë? Çfarë do të ndodhte me demokracinë? Çfarë dë të ndodhte me shoqërinë, e cila do të gjendej përballë strukjes kolektive, ose gjyqeve kolektive? Dhe këto gjyqe nuk do të drejtoheshin vetëm kundër kundërshtarëve politikë, por kundër të gjithëve, përfshirë edhe votuesit eventualë të opozitës aktuale, e të cilët do të mund të shtronin çështjen e të drejtave të tyre elementare, ashtu siç ka bërë edhe me drejtues të lartë shumëvjeçarë të PS-së gjatë tërë këtyre kohëve.