E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas afrimit me Beogradin, diplomaci aktive me Moskën

Homologu Sergei Lavrov rifton Metën për vizitë zyrtare

Teksa ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe pret liberalizimin e vizave, Tirana zyrtare kthen sytë edhe nga Moska. Ambasadori i ri rus në kryeqytetin shqiptar ka përcjellë sërish te ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ftesën e bërë nga homologu Sergei Lavrov për të vizituar Rusinë. E njëjta ftesë është bërë edhe për kryeparlamentaren Jozefina Topalli, e cila priti dje diplomatin e Moskës. Pas rivendosjes së dialogut aktiv me Beogradin, duket se synimi i radhës është Moska. E teksa vizita në Beograd e kryediplomatit shqiptar u shoqërua me shumë debate në faktorin vendas, mbetet për t’u parë reagimi ndaj vizitës në Rusi.

Meta

Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje me rastin e marrjes së detyrës si Ambasador i Federatës Ruse në Tiranë, zotin Leonid Abramov. Meta e njohu ambasadorin mbi zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit. Kryediplomati shqiptar gjithashtu evidentoi vullnetin e qeverisë shqiptare për forcimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Meta, më tej u ndal edhe në rolin dhe kontributin e qeverisë shqiptare për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Nga ana e tij, ambasadori i Federatës Ruse, Abramov, shprehu kënaqësinë për pritjen e rezervuar dhe e njohu Metën mbi angazhimin që qeveria ruse tregon ndaj Shqipërisë si një vend i një rëndësie të veçantë në rajonin e Ballkanit. Ai gjeti rastin të përsërisë edhe një herë ftesën e bërë nga ministri Lavrov për zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, z. Meta, për të zhvilluar një vizitë në Federatën Ruse në një kohë të përshtatshme.

Topalli

“Shqipëria dhe Rusia kanë mundësi të pafundme bashkëpunimi”, tha Ambasadori Abramov, gjatë takimit me kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se diplomacia dypalëshe do të njohë një perspektivë të re, duke theksuar se marrëdhëniet tona duhet të shohin nga e ardhmja. “Parlamenti është baza e marrëdhënieve mes vendeve dhe popujve”, tha
ambasadori rus. Ai theksoi angazhimin e tij personal për të rritur bashkëpunimin parlamentar mes Dumës Ruse dhe Kuvendit të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se në këtë kohë globalizmi, diplomacia parlamentare është një faktor thelbësor bashkëpunimi duke shprehur interes për koordinimin e një axhende të shkëmbimeve parlamentare. Biseda u ndal edhe në bashkëpunimin ekonomik. Duke iu drejtuar Kryetares së Kuvendit, ambasadori Abramov tha se “do të ishte një kënaqësi e veçantë, nëse ju do të gjenit pak ditë nga koha juaj për të ardhur në një vizitë të afërt zyrtare në Rusi”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›