Shteti tregon forcën me fshatarët e Thumanës

Pushteti tregoi forcën dje në fshatin Thumanë dhe rrafshoi 12 shtëpi banimi, duke lënë në qiell të hapur 70 njerëz që kishin zgjedhur rrugën ligjore, gjykatën, për të kundërshtuar.
I sapoemëruar në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK), Gjergj Bojaxhi, organizoi një operacion “blic” dje, duke marrë për mbështetje edhe forcat speciale të Policisë së Shtetit.
Inspektorati i ndërtimit ka ndërhyrë dje në mëngjes për prishjen e ndërtimeve që ndodhen në vendin ku do të kalojë një segment i rrugës Durrës-Kukës. Pronarët e këtyre shtëpive janë dëmshpërblyer nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, por ata nuk janë dakord me vlerën e dëmshpërblimit dhe për këtë kanë bërë një padi në gjykatë, si dhe kanë dalë disa herë në protesta, duke bllokuar edhe rrugën nacionale.
Por, megjithëse çështja është në proces gjyqësor, vendimi për prishjen e ndërtimeve është marrë dhe Gjergj Bojaxhi është vënë dje në krye të aksionit. Banorët nuk ishin informuar që prishja e shtëpive do të bëhej dje dhe mbërritja e fadromave, shoqëruar me forca speciale të policisë ka shkaktuar reagim të ashpër të tyre. Dhjetëra banorë të Thumanës, përfshi edhe gratë e fëmijët kanë krijuar një gardh përpara fadromave të ndërtimorëve, për të mos lejuar prishjen e shtëpive. Disa prej tyre janë shtrirë përpara rrotave të këtyre fadromave dhe është dashur ndërhyrja e forcave speciale për t’i larguar. Kjo ndërhyrje nuk ka qenë e lehtë, pasi banorët kanë qenë të vendosur të mos lejojnë prishjen e objekteve dhe nuk kanë kursyer asnjë mjet për t’ia arritur qëllimit. Ata kanë qëlluar me gurë kundër ndërtimorëve, duke thyer një nga xhamat e fadromave, por kjo nuk e ka ndalur aksionin. Vetë Bojaxhi është ngjitur në një fadromë dhe ka urdhëruar drejtuesin e mjetit të vazhdojë përpara, pa marrë parasysh grumbullimin e njerëzve. Ndërkohë, policia ka shpërndarë turmën dhe ka shoqëruar të paktën dhjetë persona. Pas kësaj, ndërtimorët kanë filluar rrafshimin e banesave për t’u hapur rrugë punimeve për rrugën e re. Prishja e shtëpive të banimit ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes dhe numri i banesave të rrafshuara ka arritur në 12. Ndërkohë, 70 frymë kanë mbetur pa strehë, një pjesë e të cilëve nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin që u takon. Pasdite ka kontaktuar me banorët e zonës edhe deputetja e Partisë Socialiste për Krujën, Rudina Seseri, e cila ka parë nga afër situatën e krijuar pa shembjeve të shtëpive. Sipas saj, veprimi i Inspektoratit Ndërtimor është i paligjshëm, pasi çështja është në proces gjyqësor. “Nga njëra anë, Kryeministri deklaron se është për zbatimin e ligjit dhe nga ana tjetër shkel ligjin duke nxjerrë në qiell të hapur këta banorë të pafajshëm”, tha Seseri, e cila shtoi se është turp për pushtetin që nuk ka siguruar strehim të përkohshëm këtyre njerëzve.
Sipas banorëve, kryetari i Komunës së Thumanës, Gëzim Keqi, kishte pretuar se do të ndërhynte te Drejtoria e Rrugëve për të mos lejuar prishjen derisa të shprehej Gjykata e Krujës dhe afati për këtë ishte 24 prilli. Ndërkohë që kryekomunari Keqi edhe pse ka pasur të afërm të tij që u prishej banesa nuk ka qenë i pranishëm dhe nuk ua ka hapur telefonin atyre. Një nga të pastrehët, i revoltuar tha se “kjo që ka bërë qeveria shqiptare në Thumanë është si ato që bëri Serbia në Kosovë” dhe e quajti Kryeministrin “Sllobodani i Shqipërisë”.
Banorët e Thumanës pritet të vijojnë rezistencën, derisa çështja e tyre të marrë zgjidhjen që ata e quajnë të drejtë. Suzana Keqi, një grua nga Thumana, shtëpia e së cilës është prishur, tha se “shpronësimi i banesave nuk është bërë me çmimin real të tregut. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me tokën që zihen nga autostrada. Ne nuk jemi kundër ndërtimit të autostradës, por me vlerën që na afron Drejtoria e Rrugëve për banesat dhe tokën ne nuk mundë të blejmë një truall për shtëpi, jo më të ndërtojmë”. Banorët e Thumanës kanë bërë padi në gjykatë dhe janë ankuar disa herë në qeveri, por pavarësisht pretendimeve prishja e shtëpive ka nisur.
#