Pas katër vitesh, shkencëtarët do të ringjallin mamuthin

Një teknikë e përdorur për herë të parë në vitin 2008 ia arriti qëllimit që të klononte një mi nga qeliza e një miu tjetër, që ishte ngrirë më shumë se 16 vjet përpara kryerjes së këtij eksperimenti. Kjo solli që shumë shkencëtarë të mendojnë se pengesa është tejkaluar dhe si pasojë kanë rinisur projektin për të tentuar rikrijimin e species që u zhduk jo pak, por plot pesë mijë vite më parë
Shkencëtarët kanë arritur të zbulojnë mënyrën e ringjalljes së mamuthit, kafshës legjendare të zhdukur pesë mijë vjet më parë, nëpërmjet klonimit. Tentativa të mëparshme në vitet ‘90 të cilat tentuan të zbulojnë bërthamën në qelizat e lëkurës dhe muskujve të mamuthëve të gjetur në zonën e Siberisë dështuan sepse ato ishin dëmtuar keqazi nga i ftohti ekstrem.
Por një teknikë e përdorur për here të pare në vitin 2008 nga shkencëtari japonez, dr. Teruhiko Uakajama (Teruhiko Wakayama), anëtar i Qendrës Riken për Biologjinë Zhvillimore, ia arriti qëllimit që të klonojë një mi nga qeliza e një miu tjetër që ishte ngrirë më shumë se 16 vjet përpara kryerjes së këtij eksperimenti.
Kjo solli që shumë shkencëtarë të mendojnë se pengesa është tejkaluar dhe si pasojë Akira Iritani, profesor në Universitetin e Kiotos është duke rinisur projektin e zhvilluar në fillim të viteve ‘90, duke tentuar rikrijimin e species që u zhduk jo pak, por plot pesë mijë vite më parë.
“Tashmë, problemet teknike janë tejkaluar dhe si pasojë e vetmja gjë që ne na duhet për të ringjallur këtë specie është një kampion i mirë i tendinave muskulore të një mamuthi të ngrirë”, – tha profesori japonez i Universitetit të Kiotos, Akira Iritani për të përditshmen britanike “The Daily Telegraph” (Dhë Dejlli Telegraf – Telegrafi i Përditshëm).
Ai ka ndërmend të përdorë të njëjtën teknik që përdori edhe dr. Teruhiko Uakajama për të identifikuar bërthamën e qelizave të ndryshme të mamuthit, përpara se të nxjerrë ato që kanë arritur të mbijetojnë pas ngrirjes mijëravjeçare. Më pas, këto bërthama “të shëndetshme” do të hyjnë në qelizat e vezëve të një elefanti afrikan, që do të shërbejë si nëna e mamuthit.
Profesor Iritani tha se ai parashikon se do të duhen edhe dy vjet të tjera përpara se të lihet shtatzënë elefanti, e ndjekur kjo nga përafërsisht 600 ditë barre, që është periudha e shtatzënësie së kësaj specieje. Ai ka deklaruar se ka planifikuar të udhëtojë për në zonën e Siberisë në Rusi përgjatë muajit të verës, me qëllim kërkimin për mamuthe të ngrirë, prej të cilave do të mund të nxjerrë kampione të lëkurës ose të tendinave të muskujve që mund të jenë mjaft të vogla, përafërsisht 3 centimetra katrorë.
Nëse ai nuk arrin t’ia dale mbanë, do të kërkojë nga kolegët e tij, shkencëtarë rusë, që t’i japin një kampion nga zbulimet që kanë kryer. “Mundësia e suksesit të një maceje ishte mjaft i vogël deri pak kohë më pare, por tani është rreth 30 për qind, – tha ai. – Unë besoj se kemi shanse të arsyeshme të një suksesi të tillë edhe te një mamuth i shëndetshëm, që mund të lindë në katër ose në pesë vjet nga sot”.