E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pas komenteve të Trump reagon BE: Ukraina është një demokraci. Rusia e Putinit, jo!

Bashkimi Evropian i është përgjigjur akuzës së një dite më parë të presidentit amerikan Donald Trump, kur ai e quajti presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyn “diktator”.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Stefan de Keersmaecker, Ukraina është demokraci, ndërsa Rusia e Vladimir Putin, jo.

“Ukraina është një demokraci, Rusia e [Presidentit Vladimir] Putin jo,” tha ai.

Stefan de Keersmaecker shton se BE-ja ka një “pozicion të drejtpërdrejtë dhe të qartë” për këtë çështje, duke thënë se “Presidenti Zelensky u zgjodh në mënyrë legjitime në zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike”.

BE-ja është një aleat kyç i Ukrainës, edhe pse vendi nuk është një vend anëtar.

Presidenti Trump e quajti të mërkurën homologun Volodymyr Zelensky, një “diktator i pazgjedhur”, duke i kthyer përgjigje liderit ukrainas që gjatë ditës deklaroi se shefi i Shtëpisë së Bardhë jeton në një “flluskë dezinformimi” të nxitur nga Rusia.

Ai e quajti Zelensky-n një “humorist paksa i suksesshëm” që i bindi Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shpenzojnë 350 miliardë dollarë për të hyrë në një luftë që nuk mund të fitohej dhe as nuk duhej të kishte nisur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›