Pas konsensusit për miratimin e 3 ligjeve do vinin 85 milionë euro grant për Shqipërinë
Shifra konfirmohet pas takimit të Ministres së Integrimit me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në KE. Bregu: “Opozita po bllokon procesin e marrjes së statusit kandidat”
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu gjatë një takimi të përbashkët me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në KE, Pierre Mirel, në kuadër të projekteve IPA, ka theksuar se qeveria është tërësisht e angazhuar për plotësimin e reformave të nevojshme. Ajo ka deklaruar se axhenda e BE është mbarëkombëtare dhe mbi të nuk duhet të mbivendosen interesa cinike, në interes të vendit dhe shqiptarëve, dhe jo të partive apo personave të veçantë. “Që prej fillimit të mandatit në 2005 dhe pas MSA në 2006, BE dhe KE ka gjetur te qeveria shqiptare një partner të besueshëm. Nga viti 2007 deri më sot BE ka asistuar me 600 milionë euro, të investuara në infrastrukturë, drejtësi, zhvillimin rural, kulturor etj. Nëse ne sot do kishim statusin e vendit kandidat, do kishim mundësi të përfitonim më tepër fonde IPA-S se në stadin aktual”, theksoi ministrja Bregu.
Duke marrë fjalën në takimin dy ditorë në Ministrinë e Integrimit në komitetin e monitorimit të IPA, Drejtori për Ballkanin Perëndimor në KE, Pierre Mirel theksoi se duhet “konsensus të gjerë politik, miratim të legjislacionit të nevojshëm, dhe zbatimin e reformave sipas kritereve të integrimit”.
Këto sipas Drejtorit për Ballkanin Perëndimor në KE, Pierre Mirel, janë disa nga elementët e rëndësishëm që kërkon procesi i integrimit e për të cilat Shqipëria duhet të punojë fort. “Ka 4 elementë të rëndësishëm për integrimin. Konsensusi i gjerë në vend, që është i domosdoshëm, që do të thotë që të gjitha partitë duhet të jenë në gjendje të tejkalojnë vështirësitë që mendojnë se kanë për të miratuar legjislacionin e nevojshëm për të ecur para. Të merren përsipër reformat e guximshme sipas kritereve të aderimit, ne i kemi paraqitur këto në dokumentin strategjik se ka dy grupe çështjesh që krijojnë vështirësisë për aderimin, kriteret politike, liria e shprehjes, sundimi i ligjit dhe çështjet dypalëshe, theksoi ai. Sipas Mirel, elementi i tretë i rëndësishëm është që konsensusi për integrimin të përkthehet në legjislacionin e BE në mënyrë që të ecë para vendi, duke u ndalur në pjesën ekonomike. Mirel theksoi gjithashtu se përgatitja për anëtarësim mbështetet dhe nga asistenca financiare që jepet nga BE e se këtë vit për Shqipërinë janë vënë në dispozicion, 85 milionë euro, si grant, nga buxheti i BE-së. Ai ka theksuar se ka disa vështirësi me zbatimin e disa projekteve, për të cilat BE ka investuar shuma parash, e në këtë rast ai ka tërhequr vëmendjen se disa bashki nuk po bëjnë sa duhet për to”.
Ndërkohë në fund të takimit, ministrja Bregu vuri në dukje se, “ajo çfarë i ka munguar Shqipërisë në këto kohë nuk është aspak vullneti i kësaj qeverie për të kryer reforma të suksesshme por është vullneti i opozitës për t’u afruar e për ta vendosur së bashku axhendën kombëtare mbi gjithçka tjetër”.
Sipas saj, Shqipëria është një shembull i mirë i sfidave para anëtarësimit në BE. Menaxhimi i mirë, ruajtja e një stabiliteti makro-ekonomik dhe fakti që Shqipëria ka sot ende një rritje pozitive ekonomike e bën atë një vend, i cili jo vetëm përballon sfidat që sjell procesi i integrimit por që menaxhon e përballon kriza edhe më të fuqishme, sikurse është kriza financiare botërore.