Reagimi/Ministria e Brendshme: Edi Rama i premtoi Arben Frrokut se do ta bënte deputet në Shkodër
Zëdhënësi Leonard Olli: Takimi dy javë më parë, negociator Saimir Tahiri
Ministria e Brendshme deklaroi sot se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është takuar vetëm dy javë më parë me Arben Frrokun, të dyshuarin për vrasjen e kryekomisarit, Dritan Lamaj, duke i premtuar atij se do ta bënte deputet. Zëdhënësi Leonard Olli tha gjatë një deklarate për shtyp se, Rama ka pirë kafe me Arben Frrokun tek “Dy Kullat”, dy javë më parë, ndërsa deputeti, Sajmir Tahiri ka darkuar menjëherë pas takimit me Ramën deri në 02:30 të mëngjesit. Olli tha se lokali i të dyshuarit për vrasje, në Kombinat, ka qenë baza e të gjitha takimeve të Tahirit në njësinë Nr.6. Sipas tij, i gjithë interesi i Ramës është prishja e hetimeve dhe mbrojtja e të dyshuarit. Leonard Olli tha se ministri i Brendshëm, Flamur Noka ka urdhëruar hetimin e të gjitha lidhjeve të autorit të dyshuar për vrasjen Kryekomisarit dhe se të gjitha agjencitë ligjzbatuese janë në shërbim të zbardhjes së ngjarjes. “E ndërsa të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit janë angazhuar në zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike, z.Rama dhe ‘rilindasit’ e tij, të turrur si hiena për të ushqyer politikën e tyre nekrofile, bëjnë sikur qajnë, duke derdhur lot krokodili për të ndjerin Kryekomisarin Lamaj, që në dhjetëra raste e kishin cilësuar si bandit. Z. Rama u shfaq sërish para publikut, në intimidim të plotë të Policisë së Shtetit. Por, a s’ishit ju z. Rama që dërguat kasnecin Tahiri për të organizuar protesta kundër shefit të komisariatit nr. 6, në Kombinat, në mbrojtje të të akuzuarit? A s’ishte Tahiri yt, që jepte konferenca shtypi pa fund, duke e akuzuar paturpësisht Kryekomisarin Lamaj, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si bandit dhe kriminel? Z. Rama, sqaro opinionin publik, përse vetëm dy javë më parë ju takuat të dyshuarin Frroku, dhe a i premtuat se do ta bëni deputet? Përse e fshihni faktin se të nesërmen e takimit tuaj, i dyshuari shkoi në Shkodër filloi hapjen e zyrave elektorale? Z. Rama, sqaro qytetarët shqiptarë, pse pas takimit tuaj me të dyshuarin, zoti Tahiri ka darkuar dhe biseduar me të në një lokal, te dy kullat, në qendër të Tiranës, nga ora 20:30 deri në orën 02:30 të mëngjesit, dhe çfarë është biseduar në atë darkë? Përse gjithë ky ngut për të përgojuar një foto të bërë para dy vitesh, tani në mes të procesit hetimor? Përse nuk u pohon shqiptarëve se, qëllimi yt i vërtetë dhe mediave pranë teje, është pikërisht prishja e hetimit dhe mbrojtja e të dyshuarit për vrasjen e Kryekomisarit?”, theksoi Olli.
Ministria e Brendshme fton kreun e opozitës të ketë kurajon të pranojë para shqiptarëve se kryetari i njësisë nr. 6, në Kombinat ka ortakëri në biznes me të dyshuarin.
“Pranoje edhe ti, sikundër e pranon Tahiri, faktin se lokalin e të akuzuarit e kishte bazën e tij në Kombinat dhe nga aty organizonte fushatën politike. Z. Rama, edhe ky rast, me gjithë përpjekjet e tua të pafund, dëshmon qartazi lidhjet e tua dhe kupolës tënde me krimin, një fakt të cilin nuk mund ta fshehësh dot. Përpjekjet e tua, megjithëse ogurzeza, do të dështojnë. Inkurajimi që ti vazhdimisht i jep krimit është sa i turpshëm, por edhe po aq i pashpresë. Policia e Shteti është e vendosur me çdo kosto dhe çfarëdo çmimi të përballet me krimin, ta godasë dhe ta mposhtë atë kudo qoftë dhe në këtë mision fisnik ajo do të triumfojë. Në këtë betejë ajo ka gjithmonë mbështetjen e plotë të Ministrisë së Brendshme, Qeverisë dhe gjithë qytetarëve shqiptarë”.