E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri nga protestuesit, GJL: Janë djegur dosje, shtyhen seancat deri në verifikimin e dëmeve

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Gjykata e Lartë reagoi sot në lidhje me dëmet e shkaktuara në ambientet e saj, si pasojë e zjarrit që iu vendos gjatë protestës së 17 tetorit.

Gjykata e Lartë bëri me dije se protestuesit kanë shkaktuar dëme materiale dhe në infrastrukturë, përfshirë edhe dosje gjyqësore.

“Kjo situatë e jashtëzakonshme ka ndikuar në kushtet e zhvillimit normal të veprimtarisë gjyqësore, duke bërë të domosdoshme marrjen e masave për vlerësimin e plotë të dëmeve dhe garantimin e integritetit të dokumentacionit gjyqësor”, njoftoi Gjykata.

Gjithashtu GJL theksoi se “në këto rrethana, seancat gjyqësore të planifikuara për t’u zhvilluar në Gjykatën e Lartë, përveç çështjeve me natyrë urgjente, do të shtyhen deri në përfundim të procesit të verifikimit të dëmeve, evidentimit dhe vlerësimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore, si dhe për të rikthyer kushtet e nevojshme për vijimin e rregullt të veprimtarisë së institucionit”.

Gjykata e Lartë nënvizoi se ka angazhuar të gjitha kapacitetet e saj njerëzore dhe ka ndërmarrë me përgjegjësi e përkushtim të plotë çdo masë të nevojshme për përballimin e kësaj situate të pa precedentë.

“Prioriteti i Gjykatës mbetet vlerësimi i saktë i dëmeve, identifikimi dhe verifikimi i dokumentacionit gjyqësor të dëmtuar. Subjektet që do të rezultojnë të prekur nga kjo situatë do të njoftohen individualisht nëpërmjet të dhënave të tyre te kontaktit”, njoftoi Gjykata e Lartë.

Më tej, GJL shtoi se punonjësit e Gjykatës së Lartë janë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka vijimësia e proceseve gjyqësore dhe për ndikimin që kjo situatë mund të ketë te palët ndërgjyqëse, përfaqësuesit e tyre ligjorë dhe të gjithë përdoruesit e sistemit të drejtësisë.

“Për këtë arsye, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, në përballimin e këtyre rrethanave, të cilat kërkojnë kohën dhe kujdesin e maksimal për të garantuar vijimin e sigurt dhe të rregullt të veprimtarisë gjyqësore”, theksoi GJL.

Gjykata e Lartë nënvizoi se mbetet e vendosur dhe thellësisht e përkushtuar në përmbushjen e misionit të saj kushtetues, në garantimin e vijimësisë së drejtësisë dhe në mbrojtjen e të drejtave të palëve, duke vepruar me përgjegjësi dhe transparencë.

“Për datat e reja të zhvillimit të seancave gjyqësore, palët dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë do të informohen në vijim përmes faqes zyrtare të internetit dhe kanaleve zyrtare të komunikimit të Gjykatës së Lartë”, njoftoi GJL.

/m.q/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›