E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas masakrës në ditën e shenjtë, ku humbën jetën shumë të pafajshëm

Irani ka vënë në pranga rreth 10 liderë të opozitës dje, një ditë pasi tetë persona mbetën të vrarë në protestat antiqeveritare që shpërthyen gjatë festivalit shiit mysliman. Të paktën kjo bëhet e ditur nga një sajt i opozitës vendase. Në të thuhet se tre këshilltarë të liderit të opozitës Musavi janë ndaluar nga policia së bashku me 7 politikanë pro-reformistë. Po sipas të njëjtit burim, policia ka lëshuar gaz lotsjellës të hënën ndaj personave që u mblodhën për të shprehur ngushëllimet ndaj të vrarëve në protestat e së dielës. Vdekjet dhe shtimi i konfrontimeve në Iran shënojnë fillimin e një faze të re në të cilën forcat e liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei do të përpiqen për të shtypur lëvizjen reformiste. Ndërkaq, për sa i takon ditës së djeshme nuk ka pasur lajme për organizimin e ndonjë proteste tjetër. Trupi i pajetë i nipit të liderit të opozitës iraniane, i vrarë të dielën, është zhdukur dje nga spitali. Familjarët e viktimës nuk e dinë se ku e kanë çuar trupin e pajetë, sepse askush në spital nuk mban përgjegjësi për të. Sipas televizionit shtetëror, thuhet se nipin e liderit të opozitës, që ishte në zgjedhjet presidenciale, kundërshtari kryesor i Ahmadinexhadit, e kanë vrarë disa persona të panjohur. Ndërkaq, njerëzit pranë Musavit e kanë quajtur nipin e tij “martir”.
Dhuna e ushtruar të dielën është përhapur këtë herë në shumë zona të vendit dhe nuk është përqendruar vetëm në Teheran si muaj më parë. Sipas një diplomati perëndimor në kryeqytet, lidershipi iranian ndodhet nën presion të madh, por nuk po jep ende shenja të humbjes së pushtetit. Protesta kanë nisur që të shpërthejnë edhe në qytetet e Qom-it, Shirazit, Isfahan, Najafabad e të tjera. Kjo është vala më e madhe e rebelimit që pas asaj të shpërthyer në korrik dhe këtë herë sulmi ndaj liderëve të opozitës mund ta përkeqësojë ndjeshëm situatën. Gjithçka ka nisur me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, rezultati i të cilave u kundërshtua nga opozita vendase dhe një pjesë e madhe e popullit. Ato ishin protestat më të mëdha me të cilat ishte përballur klasa qeverisëse në vend këto 30 vitet e fundit.
Që nga vera, situata nuk u qetësua kurrë në mënyrë përfundimtare. Opozita ka organizuar vazhdimisht mitingje të mëdha dhe protesta antiqeveritare. Sipas opozitës, mbi 70 persona janë vrarë në protestat e verës. Zyrtarët e përgënjeshtrojnë, duke thënë se bëhet fjalë për shumë më pak. Ndërkaq, opozita thotë se të dielën humbën jetën 8 persona, ndër të cilët edhe njerëz të afërt me opozitën. Këtë herë reagimi i kancelarive ndërkombëtare ka qenë shumë i ashpër, ndërkohë që marrëdhëniet janë të ashpërsuara, për shkak të ambicies bërthamore të Teheranit. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, e ka dënuar ashpër veprimin “brutal” nga forcat e sigurimit, duke i bërë thirrje Teheranit që të bëjë gjithçka për të ulur përshkallëzimin e dhunës. Po kështu, edhe sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe, David Miliband, tha se ishte veçanërisht i shqetësuar për sa po ndodhte në të gjithë Iranin dhe për më tepër për masakrën që ndodhi në një ditë të shenjtë. Ai i bëri thirrje Iranit që të respektonte të drejtat e njeriut. Ministria e Jashtme franceze u shpreh se “ishte në ankth të madh” për situatën dhe dënonte arrestimet e vrasjet e dhunshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›