E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita dhe shoqëria civile fajësojnë qeverinë për situatën

Qeveria e Kosovës dhe misioni i EULEX-it janë kritikuar nga opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile për mosfunksionimin e mekanizmave shtetërorë të sigurisë. Shqetësimet për nivelin jo të kënaqshëm në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit janë paraqitur përmes konferencave përmbledhëse, ku kryesisht janë trajtuar zhvillimet në fushën e sigurisë gjatë vitit 2009.
Opozita dhe shoqëria civile kanë shprehur shqetësimet e tyre për sekretin e sigurisë në Kosovë.Përderisa gjendja e tërësishme e sigurisë gjatë vitit 2009 është vlerësuar relativisht e qetë, megjithatë shqetësimet kanë të bëjnë me mungesën e kapaciteteve të nevojshme dhe mosfunksionimin e mekanizmave shtetërorë të sigurisë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes sekretarit të saj të përgjithshëm, Burim Ramadani, ka identifikuar 10 dështime në angazhimet dhe politikat e qeverisë në sektorin e sigurisë.
Mos-hartimi i strategjisë së sigurisë kombëtare, moskontrolli i pikave kufitare dhe mosfunksioni i doganave në veri, e deri te mosfunksionimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, ishin disa nga vërejtjet që Burim Ramadani i ka paraqitur gjatë një konference, ku AAK-ja kishte përmbledhur ngecjet në fushën e sigurisë gjatë vitit që po e lëmë pas.
Krahas kritikave të bëra qeverisë së Kosovës nga opozita, shoqëria civile ka shprehur shqetësimin e saj për angazhimet jo të mjaftueshme të EULEX-it në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL) përmes një studimi për punën njëvjeçare të EULEX-it, ka konstatuar se ky mision është marrë më shumë me vetveten, sesa me prioritetet në fushën e sundimit të ligjit.
Drejtori i IPOL-it, Seb Bytyçi, ka thënë se EULEX-i e kishte paralajmëruar si shumë të rëndësishëm protokollin e bashkëpunimit policor me Serbinë, por deri tash, sipas tij, ky protokoll nuk ka prodhuar asnjë rezultat për Kosovën. Ndërkaq, si dështim më të madh të EULEX-it ai ka përmendur mosfunksionimin e gjykatave në veri, mosfunksionimin e pikave doganore në kufi me Serbinë, si dhe rastin Bllaca.
Si dështime tjera që janë evidentuar në fushën e sigurisë, qoftë nga opozita apo shoqëria civile, janë përmendur edhe vjedhja e 47 kilogramëve drogë dhe e një sasie të hollash në dhomën e dëshmive dhe moszbardhja e rastit, pastaj mungesa e koordinimeve ndërmjet EULEX-it dhe qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, si dhe mungesa e luftimit të krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit.
Zijadin Gashi, RFE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›