E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas misionit diplomatik në Shqipëri, do dal në pension

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Fraser Wilson, në një intervistë për BBC-në, tregon përshtypjet e tij dhe vlerëson marrëdhëniet mes dy vendeve.

Z. Wilson, ju kaluat tre vjet në Shqipëri. Me çfarë mbresash largoheni nga Tirana?

Fillimisht, shumë faleminderit për ftesën. Gjithmonë kam qenë i lumtur t‘u përgjigjem ftesave për intervistë nga BBC-ja në Tiranë. Kam kaluar shumë mirë në Shqipëri. Ka qenë një eksperiencë shumë e vyer, sepse e kam parë Shqipërinë të ecë përpara dhe mendoj se është një vend që ka potenciale shumë të mëdha.

Si i vlerësoni ju marrëdhëniet aktuale Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar?

Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë, e cila ka ardhur duke u përmirësuar me kalimin e viteve. Sigurisht që ka qenë periudhë më e vështirë gjatë sundimit të diktatorit Enver Hoxha. Me ardhjen e demokracisë, ne pamë që Shqipëria filloi të bashkëpunonte më shumë me Mbretërinë e Bashkuar dhe të kishin më shumë interesa të përbashkëta. Gjëja më e rëndësishme në këtë bashkëpunim është që ne kemi të njëjtën pikëpamje për të ardhmen e Shqipërisë, të dy e shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian në të ardhmen.

Roli i ambasadorit britanik në Tiranë e ka kërkuar që të jeni në kontakt me politikanë dhe me njerëz të zakonshëm. Me siguri që ka dallime mes tyre. Çfarë do të veçonit nga njohjet njerëzore gjatë qëndrimit tuaj këtu?

Mendoj se gjëja më e rëndësishme që dikush mund të shohë tek shqiptarët është se janë shumë miqësorë dhe mikpritës. Kudo ku kam shkuar nëpër qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, gjithmonë kam gjetur njerëz shumë të dashur dhe mikpritës. Shqiptarët janë njerëz që dinë si t‘i mirëpresin të huajt. Dhe kjo është diçka për t‘u vlerësuar shumë, sepse kjo nuk ndodh përditë në botën e sotme. Shqipëria duhet të vazhdojë të përmirësojë të ardhmen e saj dhe nuk duhet ta humbë këtë element që është shumë human dhe i rëndësishëm.

Diplomatët e huaj, siç ju me siguri e dini, nuk e kanë pasur gjithnjë jetën e lehtë në Shqipëri në periudha të ndryshme. Si është jeta e një ambasadori sot në Tiranë, krahasuar me atë të një vendi perëndimor?

Mendoj që po pyesni njeriun e gabuar, sepse pjesa më e madhe e karrierës sime ka qenë në Amerikën Jugore, Afrikë dhe Azi. Ky është pozicioni im i parë në Evropë dhe do të thosha që jeta e një diplomati në Shqipëri është shumë e thjeshtë. Për mua është akoma më e thjeshtë, sepse jam vetëm tri orë larg me avionin e linjës direkte nga Londra dhe kjo e lehtëson shumë lëvizjen time midis Shqipërisë dhe Anglisë. Standardi i jetesës këtu është shumë i kënaqshëm dhe është një vend që, me gjithë kohën time të shkurtër këtu, kam parë ndryshime në ato që shiten në dyqane që do të thotë që në supermarket këtu ju mund të gjeni të njëjtat produkte që mund t‘i gjeni dhe në një supermarket në Britani. Mund të udhëtosh në të gjithë vendin më lehtë sesa më parë, rrugët nuk janë ende perfekte, por shumë prej tyre janë rregulluar mjaft mirë. Kështu, po të udhëtosh në Sarandë apo për në Veri, është shumë më e lehtë tani. Diplomatët pëlqejnë shumë të udhëtojnë në të gjithë vendin dhe unë e kam bërë sa kam mundur dhe i kam vënë re të gjitha këto ndryshime të dukshme. Jeta nuk është aspak e vështirë për një diplomat në Shqipëri.

Ju keni qenë aktiv publikisht në momente të caktuara të zhvillimeve të rëndësishme politike të Shqipërisë. Si njohës tashmë i realitetit shqiptar, kur besoni ju se Shqipëria do të bëhet vend anëtar i BE-së?

Kjo është një pyetje që më është bërë shpesh në Shqipëri dhe përgjigjja ime është: nuk e di. Kjo përgjigje varet shumë nga vetë Shqipëria. Shqipëria mund të jetë gati për aplikimin për kërkesë për të qenë anëtare e BE-së dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm. Por gjëja më e rëndësishme për Shqipërinë është që të shohë që Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit hyri në fuqi më 1 prill dhe ky është një rast shumë i rëndësishëm. Por ka ende gjëra që duhen bërë për të përmbushur të gjitha kriteret e MSA-së. Raportet e progresit të KE-së janë shumë të qarta në hapat e mëtejshëm që duhen bërë. Ka shumë për të bërë, shumë reforma si ajo juridike dhe e administratës publike, që janë më të rëndësishmet. Unë mendoj se është e rëndësishme që klasa politike shqiptare duhet t‘i shikojë këto reforma shumë seriozisht dhe duhet të bëjë shumë përpjekje për të ecur përpara. Sepse këtu varet dhe vendimi për të hyrë apo jo në BE.

Çfarë do të bëjë z. Fraser Wilson pas misionit në Shqipëri?

Do dal në pension. Kam shumë vite tashmë që shërbej në shumë vende të botës dhe tani mezi pres të bëj të gjitha ato gjëra që s‘i kam bërë gjatë kohës që punoja si p.sh. të udhëtoj me gruan time dhe të bëj ato gjëra që nuk kam pasur kohë t‘i bëja deri tani.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›