Amerikania Harper Lee, në shqip pas 50 vjetësh
Kur nisi të shkruante Harper Lee ndoshta nuk e kishte menduar se në rrugën e saj do ta ndiqnin mijëra lexues. I pari dhe i vetmi roman i shkrimtares amerikane deri më sot, "Të vrasësh zogun përqeshës", vjen në shqip nga shtëpia botuese "OMSCA-1". Që prej vitit 1960, kur u botua fillimisht romani "Të vrasësh zogun përqeshës" (To Kill a Mockingbird) korri një sukses të menjëhershëm e të bujshëm dhe meritoi çmimin "Pulitzer", njëkohësisht u bë një nga klasikët e librave modernë amerikanë. Një vit pasi u botua, romani u përkthye në 10 gjuhë. Që nga ato vite janë shitur më se 30 000 000 kopje dhe është përkthyer në mbi 40 gjuhë. "Të vrasësh zogun përqeshës" ka qenë vazhdimisht midis titujve me shtim tirazhi të përhershëm dhe është bërë pjesë e kurrikulës standarde të letërsisë në shkollë. Pas një sërë vlerësimesh, më 2006-ën, Harper Lee mori doktoratën e nderit nga Universiteti Notre Damme. Ndërsa më 5 nëntor të 2007-ës, Presidenti George W. Bush i dha personalisht shkrimtares çmimin prestigjioz "Presidential Medal of Freedom" për librin e saj "Të vrasësh zogun përqeshës", çmim të cilin e kanë marrë personalitete nga më të shquarat në botë, midis të cilëve edhe Nënë Tereza. Romani është bazuar gjerësisht në kujtimet e autores për familjen e vet dhe për fqinjët, më saktë në ngjarjet që kanë ndodhur afër vendlindjes së saj, kur ajo ishte 10 vjeçe. Romani përshkohet nga ngrohtësia dhe humori, pavarësisht se trajton çështje shumë serioze, si dhuna dhe pabarazia racore.