Pas misrit, skandal me pesticide të skaduara
Përveç farës së misrit jo produktive, një skandal tjetër kanë denoncuar fermerët ditën e sotme, atë me pesticidet e skaduara. Rasti është në Tropojë ku fermerit Fiqiri Ismaili nuk i ka bërë asnjë efekt pesticidi që kishte blerë nga firma Agro Blend për të luftuar insektet e mollëve. Ai është shprehur se pesticidet kanë qenë të skaduara pasi hektarë të tëra me mollë janë krimbur edhe pse kam përdorur dy –tre herë pesticide kundër krimbave.
Disa ditë më parë dhjetëra fermerë nga anët e Shqipërisë kanë denoncuar farat e misrit të cilat nuk kishin dhënë prodhim duke u shkaktuar atyre miliona lekë dëme. Ata kanë kërkuar dëmshpërblim nga shteti pasi sipas tyre farat dhe pesticidet janë blerë nëpër kompani të licencuara nga Ministria e Bujqësisë. Megjithatë shpresat për dëmshpërblimin e tyre janë të pakta pasi vetëm dy ditë ma parë Ministri i Bujqësisë dhe Ushiqmit, Jemin Gjana ka marrë në mbrojtje kompaninë Agro Blend duke thënë se: “problemi nuk është te firma, megjithatë po vazhdojnë verifikimet lidhur me këtë”. Me këto probleme duket se bujqësia do të ngelet shumë mbrapa dhe tregu vendas vazhdon të mbytet nga mallrat e importit.