Sezoni turistik, 5 500 vizitorë në kështjellën e Argjiros
Edhe ne këtë sezon turistik kështjella e gurtë e Gjirokastrës vazhdon të përbëje një element tërheqës për guidat e vizitorëve vendas dhe të huaj. Sipas shifrave të publikuara nga Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze, gjatë këtij sezoni turistik në kalanë e Gjirokastrës është rritur ndjeshëm numri i vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Sipas të dhënave që disponojmë në bazë të biletave të shitura gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht 2008 kështjella e Gjirokastrës është vizituar nga rreth 5 500 persona”, thotë drejtori i Zyrës së Administrimit të Qytetit Muze, Rajmond Kola. Vizitorët që mbërrijnë në kështjellën e gurte vazhdojnë të shprehin interes për vlerat historike dhe ndërtimore të këtij monumenti kulture nga më të veçantë jo vetëm në Shqipëri por dhe në rajon. Të ardhurat e siguruara nga biletat, shuma financiare e të cilave llogaritet në rreth 1 milion lekë synohet të përdoren për ndërhyrje te ndryshme në këtë monument kulture. Ndërkohë Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze në vazhdim të nismave të saj për promovimin e vlerave turistike të zonës ka ndërmarrë një nismë sensibilizimi në lidhje me njohjen e personave të interesuar vendas dhe të huaj me vlerat historike dhe turistike të kalasë së gurtë të Gjirokastrës.