Pas vendimit të gjykatës, Paulina Hoxha zëvendëson Ilir Beqjen
TIRANË Sapo vendimi i Gjykatës Kushtetuese të botohet në Fletoren Zyrtare, Ilir Beqja do të zëvendësohet në Kuvend nga një tjetër emër shkodran. Paulina Hoxha, dekania e Shkencave Shoqërore në Universitetin e Shkodrës, pritet të jetë deputetja më e re femër e PS-së. “Zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ishte e pritshme. Unë e kam pritur me qetësi dhe do të vazhdoj të pres përfundimin deri në fund të procedurave për mandatin e deputetes”, - deklaroi dje në një intervistë televizive Paulina Hoxha. Në pritje të mandatimit të saj, Paulina Hoxha pritet të japë dorëheqjen nga detyra e Dekanes së Shkencave Shoqërore, post që ajo e mban prej 7 vitesh e gjysmë. Megjithatë, Hoxha u shpreh dje se nuk do të shkëputet nga mësimdhënia, kësaj here si pedagoge e jashtme e Historisë antike botërore. Hoxha ka theksuar se ajo do të përkrahë politikat e së majtës, duke u angazhuar se në Kuvend do të mbrojë interesat e qytetarëve. “Unë do të bëj çdo gjë për t’i përfaqësuar ata (qytetarët) denjësisht...”, - tha ajo. Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese zbardhi të plotë vendimin ku konstatonte papajtueshmërinë e mandatit të deputetit Ilir Beqja. Ky vendim për Gjykatën Kushtetuese është përfundimtar, i formës së prerë dhe pritet të hyjë në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Me largimin e Beqjes, në Kuvendin e Shqipërisë pritet të hyjë një deputete femër shkodrane, ambiciet e së cilës duket se do të jenë të mëdha.