Zgjedhjet, Berisha: Amendamentet e Ramës t’i shikojë ODIHR
Berisha: “I themi të shkruajë të gjitha amendamentet, për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ne i votojmë në parlament, pasi të marrë mendimin e tyre, ose ejani të ulemi e t’i bëjmë bashkë me konsensus, siç kemi punuar më përpara me ekspertë ndërkombëtarë, e t’i votojmë ato”
KORÇE Duke shfrytëzuar inaugurimin e rrugës Lapidar-Koritë-Liqenas, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 516 milionë lekë, kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur sërish kryetarit të PS-së, Edi Rama, për paketën e propozuar. Duke kujtuar vendimin për liberalizimin e vizave, kreu i ekzekutivit theksoi se krahas saj, Shqipërinë e pret një tjetër projekt i rëndësishëm, por që sipas tij, po bllokohet nga opozita. “Sot, drejtues të opozitës, në një rast unik në Shqipëri, në një rast unik në Ballkan, në një rast unik në Europë, kanë vendosur të përdorin pushtetin që iu kanë dhënë zgjedhësit për të dëmtuar për interesa personale, interesat e çdo shqiptari, interesat e çdo zgjedhësi në Shqipëri. Ju jeni vetë dëshmitarë dhe i ndiqni televizionet, sesi këta shokë konsiderojnë provokacion kërkesën për të votuar ligjet me 3/5-at. As në kohërat më të vështira po të kish pasur pluralizëm, kjo nuk mund të imagjinohej. Votimi i ligjeve me 3/5-at është detyrim që buron nga përgjegjësia e çdo të zgjedhuri para zgjedhësit të tij, është detyrë që buron nga interesi jetik i çdo qytetari shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij politike, i majtë, i qendrës, apo i djathtë, por që ka projekt kryesor, ëndërr kryesore integrimin e Shqipërisë në Europë. Më duhet t’u them këtyre zotërinjve se kjo praktikë bllokuese nuk u bën nder aspak, por në qoftë se mendoni se kjo ju krijon mbështetje, bëni thjesht Don Kishotin, sepse e provuat në 8 maj se cili ishte verdikti i qytetarëve shqiptarë, 140 mijë vota më shumë për koalicionin qeverisës, për koalicionin e integrimit, për koalicionin e progresit dhe zhvillimit”, - tha dje Berisha, duke u përqendruar më pas tek pakti prej 10 pikash. Berisha theksoi sërish se është i gatshëm që të bashkëpunojë për reformën zgjedhore, por vetëm për ato pika për të cilat do të bihet paraprakisht dakord edhe me OSBE/ODIHR-in. “Zotëria i tij ka paraqitur paktin e quajtur të 10 pikave. Po, ne jemi plotësisht dakord për reformën zgjedhore, sepse ne e respektojmë opozitën. I themi të shkruajë të gjitha amendamentet, për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHIR-it dhe ne i votojmë në parlament, pasi të marrë mendimin e tyre, ose ejani të ulemi e t’i bëjmë bashkë, me konsensus, siç kemi punuar më përpara, me ekspertë ndërkombëtarë e t’i votojmë ato”, - tha ai. Të njëjtin qëndrim ai ka mbajtur edhe për një tjetër pikë, ndryshimet në rregullore. “Ai pretendon për rregulloren e parlamentit, por nëse do rregullore për të bllokuar parlamentin, harroje se kthehet më ajo kohë. Parlamenti është tempulli i demokracisë dhe ka detyrë të bëjë ligjet dhe ligjet më të mira për qytetarët shqiptarë. Askush nuk do mund ta bllokojë atë. Por nëse mendon se janë prekur të drejtat e liritë tuaja, merr rregulloren e Parlamentit Europian ta ballafaqojmë dhe unë ju them se jam i vendosur në çdo nen ta ndryshojmë atë, në rast se ka mungesa. Por ai nuk e ka hallin tek këto, sepse këto nuk i duhen, se do të humbasë dhe zgjedhjet e vitit 2013, nuk ka çfarë t’u thotë e do të thotë se nuk kishim bërë reformën”, - tha ai, duke shtuar se rregullorja e Kuvendit nuk mund të kthehet në statut të PS-së. “Ne nuk mund ta bëjmë rregulloren e parlamentit dhe ligjet e vendit si statutin e Partisë Socialiste. Jo miqtë e mi! Ne, duke filluar nga kryeministri dhe tek çdonjëri prej nesh, jemi të detyruar t’i përmbahemi Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, si kusht i të gjitha kushteve për të qenë qytetarë të lirë të këtij vendi”, - tha ai.