Pas viteve tensioni, Kina dhe India zotohen të jenë ‘partnerë, jo rivalë’

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, janë takuar në qytetin portual të Tianjin, në kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), ku morën pjesë mbi 20 liderë botërorë.
Ky është takimi i parë i Modit në Kinë pas shtatë vitesh dhe ndodh pas një periudhe të gjatë tensioni kufitar mes dy vendeve.
Të dy udhëheqësit theksuan se marrëdhëniet po përjetojnë një fazë të re paqeje dhe bashkëpunimi.
“Kina dhe India duhet të jenë partnere, jo rivale,” u shpreh Xi, ndërsa Modi tha se “tani ekziston një atmosferë paqeje dhe stabiliteti mes nesh”.
Në takim, Modi njoftoi rifillimin e fluturimeve mes dy vendeve, të cilat ishin pezulluar që nga përplasjet ushtarake në kufirin e Himalajeve në vitin 2020.
Takimi ndodh në një kohë kur marrëdhëniet SHBA–Indi janë përkeqësuar për shkak të tarifave të vendosura nga administrata Trump dhe qëndrimit të Indisë ndaj naftës ruse. Kjo ka shtyrë Delhin të forcojë lidhjet me Pekinin.
Xi nënvizoi rëndësinë e një qasjeje strategjike dhe afatgjatë në marrëdhëniet dypalëshe, duke e cilësuar si “zgjedhje të drejtë” afrimin mes dy fuqive më të mëdha demografike dhe ekonomike në botë.
/rtsh.al/