Pas votimit parlamentar, nis bashkëpunimi institucional
Kreu i shtetit Bamir Topi ka reaguar dje, një ditë pas rrëzimit të dekreteve të tij në Kuvend, duke shprehur se asgjë nuk mund të konsiderohet paradoksale, pasi këto dekrete u diskutuan për antikushtetueshmërinë e tyre dhe proçesi i votimit të tyre në Kuvend, është një fitore për demokracinë. Pas fjalës që mbajti në mbledhjen e Këshillit të Prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, në mjediset e Hotel Tirana, Presidenti iu përgjigj interesimit të medias lidhur me votimin në seancën plenare të së hënës në Kuvend, ku deputetët rrëzuan me shumicë votash pesë kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë, kreu i shtetit vuri në dukje se “votimi duhet të konsiderohet jo në mënyrë paradoksale, por duhet të konsiderohet si një fitore e demokracisë, sepse për një muaj rresht u diskutua për antikushtetueshmërinë e dekreteve të Presidentit, për paligjshmërinë e këtyre dekreteve”. “Fakti që u futën në procedurën e votimit sipas Kushtetutës tregon që edhe palët që e kontestonin u ndërgjegjësuan që kjo procedurë ishte kushtetuese”, tha Topi. Kreu i shtetit, Bamir Topi, u ndal në deklaratën e tij edhe në pozicionimin e institucioneve specifike që merren me supervizionin e ligjshmërisë mbi institucionet e drejtësisë shqiptare, që, sipas tij, “i kanë dhënë plotësisht të drejtë pozicionit kushtetues të Presidentit”. Lidhur me rrëzimin e emrave për anëtarë të Gjykatës së Lartë, z. Topi tha se “ky, padyshim është një ekzekutim politik i këtyre kandidaturave, sepse këto kandidatura janë zgjedhur me shumë kujdes, janë zgjedhur mbi bazën e konsultimeve të gjera të CV-ve të tyre, por edhe me institucionet, të cilat mund të japin të dhëna për karrierën dhe integritetin e këtyre personave”. Ai komentoi se të rrëzosh sot në Shqipëri një gjyqtar që ka qenë për nëntë vjet në Gjykatën e Strasburgut, besoj që është një luks shumë i madh. Nga ana tjetër, vijoi ai, për të dalë kundër retorikave që bëhen për të përndjekurit, të rrëzosh një kandidaturë që mbështetet nga të përndjekurit politikë dhe t’i japësh atij vetëm dyzet vota në parlament, besoj që nuk ka nevojë për koment. Në të njëjtën ditë, presidenti i republikës ka pritur ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uithers si dhe përfaqësuesin e Komisionit Evropian Helmut Lohan, me të cilët, në njoftimin zyrtar të presidencës thuhet se “u bisedua për zhvillimet më të fundit në vend”. Për të njëjtat zhvillime, ambasadori amerikan pat takuar kryetarin e shtetit edhe para dhjetë ditësh, ku sipas njoftimit për shtyp të presidencës, thuhej se u vlerësua “roli moderator i kryetarit të shtetit në zhvillimet e fundit politike”. Tashmë jemi në një realitet të ri dhe duket se institucionet e presidentit të republikës si dhe ai i Kuvendit të Shqipërisë tashmë kanë kuptuar se janë para rrugës së detyruar të bashkëpunimit, proces që duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur me 7 emra kandidatësh për në Gjykatën e Lartë, meqenëse ky institucion po has vështirësi në mbledhjen e Kolegjeve të Bashkuara.
Reagimi nga kandidatët e Gjykatës së Lartë: Votimi ishte politik/Pesë kandidatët të cilët u dekretuan si anëtarë të Gjykatës së Lartë nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, reaguan dje në lidhje me votimet në seancën parlamentare. Sipas 5 gjyqtarëve, refuzimi nga Kuvendi nuk cënon integritetin e tyre profesional. “Duke respektuar të drejtën sovrane të Kuvendit të Shqipërisë për të dhënë ose jo pëlqimin për kandidaturat e përcjella nga Presidenti i Republikës, vlerësojmë se megjithatë, ky refuzim nuk cënon integritetin tonë profesional, por rëndon në dinjitetin tonë moral dhe njerëzor”, theksojnë gjyqtarët. Sipas Artan Zenelit, Zamir Podës, Kristaq Trajës, Altina Xhoxhajt dhe Medi Bicit, 5 kandidatët për anëtarë të Gjykatës më të lartë ne vend procesi ishte paragjykuar që në krye të herës. “Ne konsiderojmë se procesi i dhënies së pëlqimit për ne, për shkaqe dhe rrethana të ndryshme ishte i paragjykuar që në krye të herës. Zvarritja e procesit, shkelja e procedurës ligjore dhe praktikës të ndjekur deri më sot, por ndoshta edhe keqinterpretimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ishin një pjesë e faktorëve që më pas u shtuan me etiketime të pabaza ndaj nesh dhe paragjykime të dëmshme”, vazhdon deklarata e tyre. Ndërsa shprehin vlerësimin e tyre për institucionin e Presidentit të Republikës për dekretimin që u bëri emrave të tyre nisur nga kontributi në sistemin e drejtësisë, kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë theksojnë nevojën urgjente të ndarjes së të gjithë shoqërisë nga paragjykimet dhe paravlerësime, që mund të dëmtojnë dhe thelbin e një aksioni të drejtë, të ndershëm dhe transparent. “Ne jemi të gatshëm, nëse kërkohet të afrojmë kontributin tonë profesional”, vijojnë më tej, 5 kandidatët për anëtarë të gjykatës së Lartë, Artan Zeneli, Zamir Poda, Kristaq Traja, Altina Xhoxhaj dhe Medi Bici.