Pashkët, politika uron besimtarët: Më shumë dashuri dhe mirëkuptim

Presidenti, Bajram Begaj, uroi të gjithë besimtarët nga Katedralja “Ringjallja e Krishtit” për festën e Pashkëve.
Presidenti nënvizoi se Ngjallja e Krishtit është një ditë e shenjtë dhe një shenjë që na fton për më shumë dashuri dhe mirëkuptim mes njëri-tjetrit.
“Ngjallja e Krishtit është një ditë e shenjtë, është dritë, është shpresë, është besim, është gëzim. Është një shenjë që na fton për më shumë dashuri dhe mirëkuptim mes nesh. Uroj të gjithë besimtarët e krishterë për shumë gëzim, begati e paqe në këto pashkë të gëzuara”, tha Begaj.
Presidenti Begaj përcolli edhe një mesazh për rininë.
“Uroj për një të ardhme më të mirë dhe të ndritur për ta këtu, në vendin e tyre”.
Spiropali: Të punojmë më shumë për njerëzit, përpos ndasive politike
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali nga Katedralja e Shën Palit, përcolli urimet për besimtarët ortodoksë dhe të krishterë me rastin e festës së Pashkëve.
“Dua të përcjell një gëzuar për një festë të bukur dhe të bekuar të Pashkëve për të gjithë besimtarët e krishterë, por edhe për të gjithë shqiptarët. Në atmosferën e festave të gjithë bëhemi bashkë për më shumë mesazhe shprese dhe bekime për të gjithë.
Pashka simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen, e dritës mbi errësirën, e dashurisë mbi urrejtjen. Jep një mesazh për të gjithë ata që duan të gjejnë forcën për të vazhduar përpara me më shumë mund dhe dashuri. Mbi të gjitha është mesazh shprese për të pamundurit, për ata që Jezusi i donte më shumë, për fëmijët, të moshuarit, të izoluarit, të sëmurët, për ata që duan të gjejnë te kjo ditë e bukur shpresën për më mirë. Ky mesazh shkon te të gjithë ata që janë këtu në Katedrale, por edhe në Kisha të tjera se Shqipëria është vend me tolerancë fetare. Bashkëjetesa mes njerëzve është e vërtetë”, uroi zonja Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit përcolli edhe një mesazh për politikën teksa tha se përpos ndasive politike të bëhen bashkë për të punuar më shumë për njerëzit.
“Ky është një mesazh edhe për politikën që të shkojë përtej ndasive të vjetra, përtej mesazheve që ndonjëherë përçajnë dhe për të dhënë mesazhe shprese. Me të vërtetë kemi mendime të ndryshme por duhet të punojmë më shumë për njerëzit e të japim që i paqtojnë dhe afrojnë njerëzit. Gëzuar të gjithëve, mbarësi e bekime në familjet tuaja”, uroi Spiropali.
Basha: Kjo ditë të jetë një reflektim për një ndryshim pozitiv
Nga kisha e “Shën Palit” në Tiranë, Kreu i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha uroi çdo besimtar me rastin e Pashkëve. Basha uroi që kjo ditë të jetë një reflektim për një ndryshim pozitiv.
“Sot është një ditë e veçantë, në radhë të parë për besimtarët e krishterë: katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë. Gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë i uroj nga zemra gëzuar Pashkët. Kjo ditë është simbol i ringjalljes, që ka kaq shumë domethënie për ju. Sjelltë paqe në familjet tuaja. Por, së dyti dhe po kaq e rëndësishme, uroj nga zemra që kjo ditë e shenjtë, ky kremtim i ringjalljes, të jetë një bekim për vendin tonë. Të jetë një reflektim se pas errësirës vjen shpresa”, uroi Basha.
Më herët, Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjete sociale foton e një fëmijë që mban një qiri në dorë, ndërsa ka shkruar: Për shumë vjet Pashkët.
Blushi: Pashka, një dëshmi e triumfit të dritës ndaj errësirës
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka uruar besimtarët shqiptarë me rastin e festave të Pashkëve.
“Krishti u Ngjall” Ishte kënaqësi që së bashku me drejtuesit e Partisë së Lirisë, në emrin tonë, por edhe të Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Metaj, të përcillnim dhe të ndanim së bashku me Fortlumurinë e tij, Imzot Joanin dhe të gjithë besimtarët Ortodoksë, por edhe ata Katolikë dhe Ungjëllor, urimet më të përzemërta.
Gëzuar Pashkën e Madhe! Shëndet , mbarësi dhe begati në cdo familje shqiptare.
Më lejoni të theksoj se Pashka nuk është vetëm një ditë feste, por edhe një dëshmi e triumfit të padiskutueshëm të dritës ndaj errësirës, të jetës mbi vdekjen, të së mirës ndaj së keqes dhe gjithashtu jam i bindur se Pashkët e ardhshme do të na gjejnë më mirë.
Dhe më lejoni gjithashtu të theksoj se mbas 11 Majit, çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave të komuniteteve fetare do të marri një zgjidhje urgjente njëherë e përgjithmonë, jo vetëm si detyrim Kushtetues, por edhe si një mundësi për rimëkëmbjen e mëtejshme të Institucioneve Fetare”, uron Blushi.
/rtsh.al/