E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paskal Milo: Gati poli tjetër brenda opozitës

TIRANE- Kryetari i PDS-së, Paskal Milo deklaroi dje, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, se ka besim se Partia Socialiste do të mbajë premtimin për korrigjimin e sistemit zgjedhor, në komisionin e reformës. “Kur të përfundojë Kodi Zgjedhor, atëherë ne do të përcaktojmë edhe taktikat tona elektorale”, - u shpreh Milo, i cili nuk përjashton krijimin e një poli tjetër politik.
Brenda këtij poli ai nuk përjashton edhe përfshirjen e ish-kryetarit socialist Fatos Nano. Z.Milo, pas deklaratës së fundit të partive të vogla parlamentare, drejtuar dy partive të mëdha për reformën zgjedhore, a keni pasur ndonjë takim apo deklaratë nga PS-ja, veç asaj të shprehur nga deputeti Damian Gjiknuri? 
Nuk kemi pasur kontakte zyrtare pas asaj deklarate, por mendojmë që PS do t’i qëndrojë asaj dhe jo vetëm kaq, por presim që në ditët në vijim, ajo ta shtrojë me forcë në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore kërkesën për korrektimin e sistemit, mbështetur edhe në një dokument që mban firmën e 20 partive politike, e para së gjithash të PD-së dhe PS-së. 
Ju besoni se këtë herë do të jetë një deklaratë e sinqertë dhe gjithashtu një qëndrim i sinqertë i dy partive të mëdha sa i përket reformës? 
Unë dua të veçoj qëndrimin e PS-së, sepse ajo qoftë përmes kryetarit të saj, qoftë edhe përmes z.Gjiknuri, është shprehur qartë dhe hapur se mbështet korrektimin kombëtar të sistemit. Një qëndrim të tillë nuk e kemi deri tani nga ana e PD-së. Ka prej saj, të paktën publikisht, një heshtje, e cila është e dyshimtë dhe të bën të mendosh se PD mund të ketë në mendje, një skenar tjetër ogurzi, i cili do t’i çonte edhe zgjedhjet e ardhshme në rrjedhën e zgjedhjeve të mëparshme, të manipuluara dhe të vjedhura. 
Z.Milo, reforma zgjedhore duket sikur është tashmë edhe një kusht kryesor për vazhdimin e aleancës me PS-në. Kam parasysh këtu disa qëndrime të z.Ndoka, por edhe tuajat, të kohëve të fundit. Ka ndonjë rrezik për mosvijimin e koalicionit me PS-në, nëse ajo nuk i mbahet premtimit që ju ka dhënë për reformën? 
Ne jemi duke i ndjekur me shumë vëmendje qëndrimet e dy partive të mëdha, prej të cilave varet edhe përfundimi i reformës zgjedhore. Ne sigurisht që pretendojmë që PS-ja të qëndrojë fort e më fort në përpjekjet për të bërë korrektimin e sistemit, sepse kjo nuk ka të bëjë thjesht me interesat e aleatëve të vet, por në radhë të parë ka të bëjë me parimin e madh kushtetues të barazisë së votës. Nëse kjo çështje nuk ngrihet siç është premtuar publikisht në komision, nuk vihet në axhendën e punimeve të këtij komisioni, nuk merren në konsideratë dokumenti që është firmosur nga 26 partitë politike dhe nuk shqyrtohet edhe propozimi i shumë partive, midis të cilave edhe ai i javës së kaluar, i 13 partive politike, për të bërë këtë korrektim mbi bazën e formulave konkrete që ne kemi ofruar, atëherë do kuptohet qartë që kjo mund të ketë qenë një lojë politike e rëndomtë e atyre që kanë mundësinë për t’i bërë këto lojëra si shumë herë të tjera në Shqipëri. Por, dua të veçoj me të drejtë që, PS na ka premtuar ndër të tjera edhe publikisht, edhe në tryezën e bisedimeve se do të këmbëngulë. Nga qëndrimi i saj në komision dhe jo vetëm me deklarata publike, do të kuptohet edhe dëshira dhe vullneti politik i kësaj partie për të korrektuar sistemin dhe për të respektuar parimin kushtetues, derisa po bëhet një reformë që është trumbetuar si shumë e rëndësishme dhe që është një nga kushtet që ka vendosur Komisioni Evropian për t’i akorduar Shqipërisë në muajin tetor, statusin e vendit kandidat për në BE. Kur të përfundojë Kodi Zgjedhor, atëherë ne do të përcaktojmë edhe taktikat tona elektorale, që do të thotë, se çfarë i intereson Demokracisë Sociale për të përmbushur detyrimet që ajo ka ndaj elektoratit të vet. Nuk mund të flasim para kohe, por ideja e krijimit të një poli tjetër, në rastin kur nuk do të bëhet korrektimi i sistemit, qëndron dhe është një alternativë, por gjithnjë brenda kampit opozitar. 
Krijimi i këtij poli tjetër mund të përfshijë edhe lëvizjen “Nano”, pasi ju keni pasur një takim me ish-kreun e PS-së, pak kohë më parë...? 
Kur të vijë momenti konkret që, mund ta sjellin rrethanat, do të diskutohet për të bërë një pol të atyre partive politike që kanë jo vetëm afërsi programore, por që kanë edhe një besim reciprok për të ndërtuar një subjekt elektoral me peshë dhe që do të merrte një rezultat të ndjeshëm në ballafaqimin e ardhshëm elektoral. 
Disa nga deputetët e PSsë kanë lënë të hapur mundësinë e një koalicioni të mundshëm të PS-së me FRD-në apo Aleancën Kuq e Zi. Juve si ju duket një lloj bashkimi i tillë? 
Në Shqipëri është e vështirë të besosh se kush është i pari dhe i dyti në politikë. Për rrjedhojë, e kam të vështirë të besoj në deklaratat e individëve të veçantë. Ne, marrëdhëniet zyrtarisht i mbajmë me institucionet drejtuese, me kryetarin e PS-së, me kryetarin e grupit parlamentar, apo edhe me sekretariatin. Mbi të gjitha, me sekretarin për koordinimin me partitë aleate, z.Legisi. Kështu që ne e kemi të pamundur që të kontaktojmë me 64 deputetët e PS-së. Ne besojmë ose më mirë të themi orientohemi nga ato çfarë na thotë në tavolinë, në bisedimet dhe në kontaktet tona, kryetari i PS-së. Nuk besoj që të ketë dy qëndrime, një për tavolinën e aleatëve të PS-së dhe një qëndrim tjetër jashtë institucionale. Çdo parti dhe çdo individ ka të drejtën e tij të mendojë dhe të kërkojë aleanca, atje ku e shikon të arsyeshme. Historia e aleancave fluide është e njohur në Shqipëri. Për rrjedhojë, nuk është çudi që ndonjë ditë të bukur mund të dëgjojmë histori nga më të pabesueshmet. Muaj më parë, koha ka dëshmuar se armiqtë “e betuar” e të dyja kampeve ose brenda të njëjtit kamp edhe janë përqafuar, edhe janë puthur, edhe kanë drekuar, edhe janë takuar. Ku i dihet, në këto rrethana, se çfarë çudie tjetër kemi për të dëgjuar e kemi për të parë në muajt në vijim!?
(m.a/Darina Tanushi/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›