Paskal Milo: Çfarë më tha Ramiz Alia për ballistët dy muaj para vdekjes

Paskal Milo
Promovohet libri “Shqipëria ime/Unë dhe Ramiz Alia”
“U takuam në Boston, u shpreh me fjalët më të mira për Safet Butkën e Abaz Ermenjin”
Ramiz Alia në raport me historinë mbetet një figurë komplekse që duhet parë me të mirat dhe të metat e tij, larg pasioneve të ditës dhe gjykimit subjektiv të politikave të ditës. Me këtë mesazh e nisi fjalën e tij historiani Paskal Milo në promovimin e librit “Shqipëria ime/Unë dhe Ramiz Alia” të shkrimtarit nga Kosova Januz Januzaj, që u zhvillua mbrëmë në mjediset e hotel “Diplomat” në Tiranë. Duke folur për rolin e presidentit të fundit komunist, profesor Milo njohu të pranishmit me mbresat nga takimet e fundit të tij me Alinë. Dy muaj para se të ndërronte jetë, u shpreh historiani, u përballa rastësisht me të në Boston të SHBA-ve. Alia ndodhej aty për kurim. U ulëm në hollin e hotelit dhe folëm gjatë për shumë çështje rreth të cilave kishim biseduar edhe më parë. Ai e kishte pasion temën e luftës dhe ia nisi me disa aspekte të panjohura të luftimeve në Berat, ku kishte qenë i pranishëm. Çuditërisht si në asnjë rast tjetër, më tregonte ndodhi e detaje që deri

Ramiz Alia
diku binin ndesh me mënyrën si ishin trajtuar më parë nga propaganda komuniste. Dukej i kthjellët në kujtesë dhe i lirshëm në shkëmbimin e mendimeve. Një moment erdhi biseda te profili i Ballit Kombëtar dhe disa prej nacionalistëve të njohur e Alia më befasoi me një vlerësim që nuk ia kisha dëgjuar herë tjetër, qoftë edhe në takime konfidenciale. Dëgjo, më tha, ka ardhur koha kur disa gjëra duhet t’i shikojmë më realisht dhe aty për aty m’u shpreh me fjalët më të mira për Safet Butkën e Abaz Ermenjin. Të tilla vlerësime, që në një farë mënyre reviziononin ato të regjimit komunist ku Alia kishte qenë ndër eksponentët kryesorë, ai m’i ka shprehur edhe më vonë. Me të kam pasur takime frekuente. Madje edhe një javë para se të ndërronte jetë, pata rastin të bisedoja gjatë. Folëm gjatë për sensibilitetet që kishte ngjallur ato ditë riciklimi i historisë së masakrës së Tivarit. Ai më pohoi se në atë periudhë nuk kishte qenë aty, madje kur e kishte marrë vesh ishte indinjuar jashtë mase, ndaj edhe kishte reaguar në linjë partie. I thashë se ato ditë kisha gjetur në Arkivin e Shtetit një dokument që konfirmonte pikërisht këtë gjë dhe kjo e gëzoi shumë. Alia i përket historisë dhe duhet parë në raport me të, si protagonist politik domosdo, por edhe në raportet njerëzore si njeri, iluminist, intelektual e publicist, e mbylli ligjëratën e tij profesor Milo.
Dialogu me Alinë
Duke folur për librin “Shqipëria ime” Bajram Kosumi, njëri prej miqve të autorit, u shpreh se ai fund e krye është një dialog, një përplasje e Alisë dhe autorit. Ndryshe nga modelet e tjera të etura për sensacione, bashkëbisedimi i Alisë me Januzajn, kumtoi Kosumi, synon të shqyrtojë prapavijën politike e filozofike, ligjësinë e veprimit të Partisë së Punës dhe ligjësitë e veprimit që kanë çuar një komunist nga idealizmi deri te diktatura. Libri rreket të zhbirojë si është e mundur që një individ, një grup njerëzish, një parti që sakrifikon gjithçka për barazinë njerëzore, kur vjen në pushtet bën të kundërtën e kthehet në makinë vrastare për të sunduar njerëzit. Në kërkim të kësaj të vërtete, dy folësit, Alia dhe autori i librit, debatojnë gjatë për politikën dhe filozofinë, për letërsinë dhe komunizmin, për klanet brenda klasës sunduese vendimmarrëse në piramidën shqiptare dhe për platformën e partisë për çështje të ndryshme, për pushtetin dhe për dhunën, për ndjekjen, burgosjen, internimin dhe eliminimin e armiqve të partisë, për kodin moral të shokëve të dikurshëm të idealit, të transformuar në diktatorë për ta dënuar e ekzekutuar njëri-tjetrin deri në vetëzhbërje.
Një përballje e tillë, apo siç ka dëshirë ta quajë autori, një grindje, është e gjatë e tunduese. Gjithsesi, është e vlefshme kur seleksionon vlerat nga antivlerat, kur i shërben shoqërisë dhe të ardhmes. Në këtë vështrim, grindja me Alinë në librin “Shqipëria ime”, thotë Konsumi, është një grindje e ndërtuar mbi dy koncepte politike e filozofike. Koncepti i parë është ai i Alisë për periudhën e regjimit komunist në Shqipëri. Ky koncept është i ndërtuar mbi nocionin diktaturë e proletariatit dhe mbi konceptin jo shumë marksist atdheu dhe kombi. Alia e arsyetonte thelbin e kësaj politike me shumë veprime që janë bërë në emër të diktaturës së proletariatit e të partisë. Koncepti i dytë është i Januz Januzajt. Ai nuk pajtohet kurrsesi me veprimin e Partisë së Punës dhe pushtetit të saj në emër të klasës punëtore duke u shndërruar në shtypës së punëtorisë dhe shpërdorues të pushtetit në emër të saj klase. Ballafaqimi me Alinë për këto dy koncepte në libër shpesh shfaqet i butë e herë-herë i egër. Një grindje që vazhdon dhe ka për të vazhduar, thotë Konsumi. Një grindje midis një idealisti të zhgënjyer nga prova e vet për të, njeriun e ri socialist, dhe i cili në fund të jetës së tij ikën prej veprës së vet me një idealist tjetër, krejt ndryshe nga i pari, një idealist i dëshpëruar në idealistin e parë të shndërruar në diktator, dhe që nuk mund të pajtohet që ideali për barazinë të jetë nëpërkëmbur dhe thërrmuar aq lehtë nga idealisti i parë.
Noli e Curri me ide komuniste
Të vërtetat historike i kapërcejnë tabutë dhe klishetë ideologjike, u theksua mbrëmë në promovimin e librit “Shqipëria ime/Unë dhe Ramiz Alia” të autorit nga Kosova Januz Januzaj. Në shtjellim të kësaj ideje, historiani Paskal Milo veçoi objektivitetin që duhet treguar në shqyrtimin e figurave historike. Koha po zbulon fate të reja, shtoi ai, duke vënë në dukje se edhe Fan Noli e Bajram Curri kanë inspiruar dikur idealet komuniste.
Ramiz Alia, në një rrëfim për historinë dhe zhgënjimet e tij
Libri, një vështrim ndryshe mbi historinë e shekullit XX
Kopertina e librit
“Shqipëria ime/Unë dhe Ramiz Alia”, libri më i fundit i shkrimtarit nga Kosova Januz Januzaj që u promovua mbrëmë në Tiranë, është një intervistë e gjatë e autorit me presidentin e fundit komunist të Shqipërisë. Ai është ndërtuar në formën e dialogut midis dy bashkëbiseduesve, Ramiz Alisë dhe autorit Januzaj, një intelektual nga Kosova, veprimtar i njohur i shumë proceseve politike, njëri prej liderëve të demonstratave masive të vitit ’81 në Prishtinë, i dënuar dhe i burgosur politik i regjimit të Beogradit, një nga protagonistët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtrues i disa funksioneve politike e shtetërore, pas luftës, poet e publicist i njohur. Më shumë se një rrëfenjë, historia që shpërfaq “Shqipëria ime/Unë dhe Ramiz Alia” është një përballje politiko-filozofike midis dy zhgënjimeve, u shprehën kumtuesit, duke vënë gishtin te dy bashkëbiseduesit. Ramiz Alia, që është i zhgënjyeri i parë, në libër shfaqet një i zhgënjyer i pashpresë. Ai nga mënyra si dëshmon, vetëm formalisht e mbron shekullin e diktaturës në Shqipëri, pasi si njëri ndër liderët e saj thjesht nuk mund të heqë dorë lehtë. Ndërkohë në vetvete është disi ndryshe. Sidomos kur përcaktohet për një demokraci popullore me fytyrë sociale, që në të vërtetë është një sistem kapitalist modern. Ai në libër pranon madje shumë arritje sociale në vendet e Europës Perëndimore dhe SHBA.
Autori, i vënë përballë Alisë, shfaqet ndërkaq edhe vetë zhgënjyes. Zhgënjimi i tij është krejt ndryshe nga i ish- presidentit komunist. Ai i beson ende filozofisë së barazisë njerëzore, por është i zhgënjyer se si është e mundur që ideatorët e kësaj ëndrre shqiptare, ata që sakrifikuan jo pak për këtë ideal, u shndërruan në makinë shtypëse për ëndrrën e tyre. Në ballafaqimin me Alinë, ai shprehet se nuk mund ta falë këtë shpërfytyrim, nga krijues të lirisë në diktatorë. Gjithsesi, Januzaj nuk mbetet një mohues kategorik. Ai veçon si meritë rolin pozitiv të Ramiz Alisë në kapërcimin e butë nga socializmi në demokraci. Duke u ndalur në vlerat e librit, mjaft nga të pranishmit vlerësuan si të tilla qasjet përtej modelit bardhë e zi të shumë nga ngjarjeve më të rëndësishme të shekullit të kaluar. Për to folën Irena Tiçi, Bajram Kosumi, Paskal Milo etj.
AFRIM IMAJ
