E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papajani: ARMO shlyen detyrimet ndaj tatimeve

ARMO shlyen detyrimet ndaj organeve tatimore. Kjo është konfirmuar dje nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, i cila tha dje në një konferencë për shtyp se ARMO i ka paguar tashmë të gjitha detyrimet, që i takojnë sipas ligjit. Papajani tha dje se në datën 15 të muajit të kaluar, administrate tatimore ka konstatuar një vonesë në pagesat nga ana e kompanisë së vetme të përpunimit të thellë të naftës në Shqipëri, që është edhe një ndër tatimpaguesit më të mëdhenj të vendit. “Të shqetësuar për përmbushjen e detyrimeve ndaj buxhetit të shtetit, tatimorët vendosën të bllokojnë punën dhe ky veprim solli shumë shpejt rezultatin: kompania i shleu të gjitha detyrimet dhe aktualisht ajo nuk është debitore ndaj kësaj administrate”, - theksoi Papajani.

Lidhur me problemin e vendosjes së matësve tatimorë në repartet e ndryshme të uzinës së Ballshit, drejtori i Tatimeve vuri në dukje se në atë objekt ekzistojnë matësit, por ata janë tepër të vjetruar. Tatimet kanë rënë dakord me firmën ARMO që të vendosen 80 matës të rinj të gjeneratës së fundit, me anë të të cilave do të bëhet e mundur të raportohet 24 orë në 24 në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve sasia e naftës hyrëse dhe dalëse, duke bërë të mundur që përfundimisht kompanisë t’i jepet certifikata e subjektit me magazina tatimore të mallrave të akcizës, në përputhje me kërkesat e ligjeve të reja mbi procedurat tatimore, vuri në dukje ai. Këta matës do të blihen nga firma. Kreu i Tatimeve pohoi se rezultatet e fundit të administratës fiskale nuk pritet të jenë të mira në raport me planifikimin buxhetor, por, gjithsesi, të ardhurat rezultojnë rreth 9 për qind më të larta se një vit më parë në të njëjtën periudhë, që nuk është gjë e vogël, duke pasur parasysh situatën e vështirë të ekonomisë globale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›