Pasojat e luftës në ekonomi, Banka Botërore rishikon me ulje ecurinë ekonomikë të Shqipërisë
Institucionet financiare ndërkombëtare po rishikojnë me ulje parashikimet për ecurinë ekonomike të Shqipërisë për shkak të pasojave që po prodhon konflikti Rusi- Ukrainë. Pas BERZH, edhe Banka Botërore ka ulur vlerësimin për rritjen ekonomikë, përkatësisht nga 3.8 % në 3.2% këtë vit.
Në raportin e fundit ” Lufta në Rajon” për Europën Qendrore dhe Azinë, ekspertët e Bankës Botërore theksojnë se rreziqet janë shtuar dhe perspektiva është e pasigurtë. “Lufta në Ukrainë dhe sanksionet e vazhdueshme mund t’i shtyjnë çmimet e energjisë, ushqimeve dhe mallrave në nivele edhe më të larta, duke zvogëluar fuqinë blerëse dhe konsumin e familjeve.”- theksohet në raport.
Çmimet e ushqimeve u rritën me 3.9 për qind në vitin 2021, afër dyfishit të rritjes së shportës së përgjithshme dhe Banka Botërore paralajmëron se kjo situatë prek 40 përqind të popullatës, që shpenzimet për ushqime I kanë më shumë se 50 përqind të totalit.
Në skenarin bazë të këtij raporti, aktiviteti ekonomik pritet të zgjerohet me ritmin e tij historik të para pandemisë dhe para tërmetit. Megjithatë, lufta në Ukrainë mund të rrisë më tej inflacionin, të ndërpresë zinxhirët e furnizimit, të ndikojë tregjet financiare dhe cenojnë besimin; të gjitha këto mund të zbehin perspektivat e rritjes së Shqipërisë.- theksojnë ekspertët e Bankës Botërore. Nga ana tjetër, një treg i ngadaltë i punës i kombinuar me fuqinë blerëse të zvogëluar mund të ngadalësojë uljen e varfërisë./rtsh/