E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasojat e zgjedhjeve USA në Tiranë

Eshtë bërë zakon të thuhet se “politika e SHBA ndaj Shqipërisë nuk ndryshon nga kush banon në Shtëpinë e Bardhë”. Por është po aq e vërtetë se politika amerikane në Shqipëri, ndryshon jo vetëm nga humori i Presidentit Amerikan, por edhe nga ai i diplomatit që mbulon vendin tonë në Departamentin e Shtetit. Ndaj zgjedhjet amerikane janë të rëndësishme se kush do fitojë. Dhe do ketë ndryshime nëse fiton Romney ose vazhdon Obama. Cila do jetë e ardhmja e tyre? Si do ndikojnë në politikën e ditës në terrenin shqiptar? Për të skartuar variantin me më shumë të panjohura, mund të thuhet se nëse fiton Romney, politika e SHBA në Shqipëri do ketë luhatjet e saj. Si fillim, qeverisë aktuale shqiptare do t’i duhet të ristabilizojë kontaktet e saja në Uashington. Me rënien e Obamës, edhe shoqërisë së lobingut, e pajtuar për t’i rregulluar imazhin, i bien akseset dhe rrjedhimisht do t’i duhet një ndërmjetës i ri që administrata e re Romney të jetë indulgjente ndaj rënies së lirë drejt autoritarizmit që po pëson Shqipëria. Republikanët duken më të interesuar se demokratët amerikanë për politikën e jashtme, megjithëse të dyja palët edhe në fushatë, edhe në qeverisje do fokusohen tek ekonomia. Ajo dozë më e shumtë interesi që kanë republikanët për çfarë ndodh jashtë kufijve, do shpenzohet në Lindjen e Mesme, ku është aleati më i ngushtë i SHBA, Izraeli, si edhe ndaj Kinës dhe Indisë. Politika amerikane në Shqipëri do ndikohet sipas perceptimeve dhe stilit të personelit që mbulon vendin tonë në Departamentin e Shtetit dhe përfaqësuesve të tij në Tiranë. Do ketë luhatjet e saj kjo politikë edhe me ndërrimin e ambasadorit. Megjithëse presidentit sipas Kushtetutës amerikane i atribuohet titulli “Diplomati Shef” dhe si i tillë emëron nga radhët e përkrahësve 2/3 e ambasadorëve, si shpërblim për ndihmën e dhënë në zgjedhjen e tij, në Shqipëri duket se kanë preferuar të emërojnë shefa misionesh nga radhët e diplomatëve të karrierës. Me afrimin e fundit të mandatit të Arvizu, ndërrimi do të ndodhë edhe në Tiranë. Dhe karakteri personal i ambasadorit ka të bëjë shumë në ngjyrimet e qëndrimeve amerikane ndaj Shqipërisë. Kujtojmë Mariza Linon, Limprehtin, Uidhersin dhe së fundmi Arvizu. Të aksionit, invazivë dhe të prerë dy të parët. Të butë dhe të tërhequr të dytët. Mund të thuhet se me forcimin e lobit të Berishës në Uashington, fuqia e ambasadorëve amerikanë në Tiranë ka rënë, si ndikimi që kanë në Qeverinë shqiptare, ashtu edhe raportet që nisin drejt qendrës dhe influenca e tyre në politikën e SHBA. Viti i parë i Romney do shoqërohet me trazirat e zakonshme që njeh tranzicioni i pushteteve, rrjedhimisht nuk do ketë shumë vëmendje ndaj objekteve të interesit terciar si Shqipëria. Një rast më shumë i Berishës që ta plazmojë vendin që qeveris sipas gustos së tij.
Nëse vazhdon qeverisja e Obamës, përflitet se Hilari do zëvendësohet nga Xhon Kerri, ish-rivali i Xhorxh Bush në garën për mandatin e dytë të këtij të fundit. Dhe në këtë rast, politika amerikane në Shqipëri do ketë luhatjet e saj. Kjo fillon nga fakti se Obama duhet të përqendrohet më shumë tek ekonomia, që në fund të mandatit të tij të dytë të jenë të realizuara premtimet. Indiferenca e SHBA për çfarë ndodh jashtë kufijve është e prekshme sidomos për Europën, të cilën e ka lënë të menaxhohet nga BE. Kriza siriane tregoi se nuk ekziston më dëshira e Uashingtonit që të përfshihet në ndërhyrje që nuk kanë lidhje të ngushtë, të dukshme dhe direkte me interesat e tij. Ndaj vëmendja që do t’i kushtohet Shqipërisë, do bjerë si nivel hierarkik në Departamentin e Shtetit, ndërsa zgjidhja e krizave politike të vendit të shqipeve do realizohet vetëm me çfarë mundëson përdorimi i mesazheve diplomatike të menaxhuara nga burokratët e punëve të jashtme, pa u shtyrë në ndërhyrje të tjera më të komplikuara dhe të kushtueshme. Vjedhja e një apo dy mandate deputetësh në malet e Shqipërisë nuk tërheqin vëmendje sa vrasjet ditore në Siri, apo ndjekja hap pas hapi që po i bën Kina në fushën ekonomike dhe konkurrencën gjeopolitike. Rrjedhimisht, kjo do ulë edhe peshën e ambasadës së SHBA në Tiranë dhe veçanërisht në selinë kryeministrore. Këmbëngulja e Uashingtonit për futjen e Shqipërisë në BE, përveçse shenjë dashamirësie, është edhe një gur më pak në këmbën e SHBA për menaxhimin e një vendi zevzek, telashet e të cilit do t’i duhet t’i heqë Brukseli. Ndaj SHBA po investon shumë që vendi ynë të fillojë bisedimet me BE. Me shfokusimin e vendit tonë nga vëmendja e Uashingtonit, rriten shanset e Berishës për të zbatuar synimet e tij në jetën shqiptare. Brukseli ende nuk ka mjete të qarta presioni ndaj plangprishësve dhe as vullnet të qartë politik. Është normale kjo, deri sa politika e tij është një shumatore e njëzeteshtatë shteteve dhe jo vullneti i një personi, si në rastin amerikan. Por është një rast ky, që shqiptarët të fillojnë të kenë besim tek forcat e tyre dhe kuptojnë se fati i demokracisë shqiptare, përpara se të jetë punë burokratike e zyrtarëve të BE, është çështje e vendësve.
Ka tashmë njëqind vjet që Shqipëria është bërë pjesë aktive e botës. Fati ynë politik është ndërtuar herë si reflektim i interesimit aktiv të fuqive të mëdha dhe herë nga indiferenca e tyre për këtë fakt. Por asnjëherë nuk ka munguar prezenca. Ku indiferenca ka sjellë periudha qeverisjesh autoritare, ndërsa prezenca, një përngjasim më të madh të vendit tonë me kontinentin që i takon.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›