E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana i ngjan një gruaje...

Hollë-hollë, Tirana më shumë është përfolë sesa është njohë, më shumë është kqyrë sesa është kuptuar. I ngjet një gruaje ky qytet. Bujare po deridiku edhe ortake me ata që e portretizojnë si hovardare e paksa naive - ja kështu perceptohet edhe sot ajo nga bujtës të ngutur apo ardhacakë të pasaktë.
Dhe në fakt përkapet në rrojmen e saj një farë ankthi tipik për t'u dukur e për t'i pëlqyer të tjerëve, e për të qenë, si ta themi, qytet "à la carte". E poashtu edhe një vëmendje e veçantë ndaj makiazhit, që nuk do marrë si shtirje po më fort si drojë se mos e braktisin sërish apo se mos nuk mbërrijnë prapë ta kuptojnë.
Gjithë kjo, ngase epoka moderne e Tiranës la edhe mbi të një plagë të thellë ende të hapur. Pasi e panë veten si trofè në fushën e lojës e asnjëherë lojtarë në trevezën e Historisë, shqiptarët dhe veçanërisht tiranësit, tuten në mënyrë të pavetëdijshme, se mos përsëriten zezonat.
E nga kjo drojë ndoshta buron edhe gjithë ekstroversioni me teprì i këtij qyteti, që lojën rreket ta bëjë jo në fushë të vet, i ngucur nga nevoja për të mos bjerrë më copa të vetes.
Pikërisht prej kësaj ambivalence (për të cilën ndokush edhe thotë se shpie në keqkuptime), Tirana qytet, pavarësisht se këtë dhjetëvjeçar ka pasur një rritje të beftë e marramendëse, mundohet të mos flakë kurrgjë nga përftesat e veta, porse të shpëtojë tok me shenjat e forta e të dukshme të hapësirave urbane të traditës dhe të modernisë së mbrame, edhe filigranën e historisë së saj të brendshme. Një histori tejet e ngjeshur, por e padukshme për të huajin, e ngjizur nga veprime vetjake dhe kolektive, nga takime zemërime e pasione, që gjejnë strehë para së gjithash në radhoj poetësh a tregimtarësh.
Ismail Kadare, më 1968, i blatoi një poezi vërtet të rrallë Tiranës, poezi në të cilën këto dy qytete, ai i dukshmi e ai i padukshmi (i brendmi), vizaten të mpleksura gjatë një dite çfarëdo. Bash në vizatjen e kësaj poezie qyteti pasqyrohet shumë më tepër se ç'e gjejmë në shkrimet artistike apo studimet socio-antropologjike të këtyre viteve. Ndaj edhe kemi zgjedhur ta risjellim këtu në vijim atë poezi, qoftë edhe si një melhem a kundërpeshë ndaj çdo efekti keqkuptues që mund të sjellë me vete kjo rrekje jona për t'i thirrur dukuritë thjesht me emrin që ato kanë.
Qyteti dhe sheshi
Ditëve verore, ngjet që kur Tirana kqyret nga maj'e Dajtit, nga mali që ndehet në verilindje të qytetit, pikërisht atëherë kur lagështia koklohet në trumza avujsh, qyteti duket si i tejshpuar nga një fashë e hirtë. Prej kësaj fashe nxjerrin krye profile të padeshifrueshme pallatesh nga ato të breznisë së fundit, mu si të ishin silueta të latuara birilash gjithfarë, rreshtuar në një lojë bowlingu. Mbrëmave vonë, në terrinat dimërake të pështjella nga mjegulla e shkartisur me gaz makinash e me tymin e kazanëve të mbeturinave që iu vihet flaka ndanë rrugëve, mbrëmave vonë pra, mund të ngjasë që në trotuaret e qendrës, silueta e çative të ndërtesave qeveritare të tretet tek e verdha hopperiane e ndriçuesve, falë të cilëve bulevardi ngjason me skenën e një teatri.
Edhe gjithë kjo përbën qytetin modern. I zhurmshëm e me rrjedhë, tërheqës dhe ekstrovers sipas qejfit të vet. Ky qytet që tash së fundi po shihet nga shqiptarët si "tjetër gjë", ndryshe nga sa dikton retorika e përgjithshme mbi kryeqytetin e nje vendi, i cili u dashka të jetë një "urë lidhëse", "një portë për te", "pragu i", e sa e sa kësisoj që synojnë ta paraqesin Tiranën si nahije të një sheshi. Sheshit të madh që e quajnë Adriatik. Brenda sheshit të madh, Tirana po formëson qartazi tiparet e saj vetanake.
Dhe është po ai qytet, profilin e të cilit e latoi përsëpari arkitekti italian Brasini, përmes një ndërhyrjeje të papërsëritshme në historinë e urbanistikës moderne në vitet '20 të shekullit të shkuar me një përshfaqje të parë e madhështore, dhe më pas, Wolfang Kohler, Di Fausto, e në fund Bosio në prag të Luftës së dytë Botërore. Rezultati, thellësisht ekspresionist, i zhbarti ca e nga ca arsyet urbanistike fillestare, në një kompromis realist e aspak të rastësishëm me vendbanimin ekzistues. Gjithë kjo u bë duke e mbëltuar zemrën e qytetit të vjetër islamik dhe hapësirat e paparashikuesh-me e të hallakatura të pazarit tradicional, tek një përftesë urbane që ia doli të ish mandej vetë kryeqyteti, vetë shkuesi kulturor mes traditës dhe modernisë, mes veriut dhe jugut, mes gegnishtes dhe toskërishtes, mes bregdetit dhe Alpeve shqiptare, mes islamizmit dhe ortodoksisë, duke kaluar përmes sinkretizmit mirëfilltazi shqiptar të bektashinjve.
Rezultati i gjithë kësaj, ndonëse i mangët e i papërmbyllur, qe tejet i rëndësishëm dhe i tillë sa e detyroi edhe ikonoklastin Enver Hoxha ta kishte atë gjithnjë në hesap në gjithë ato ndërhyrje jo fort domethënëse në pesëdhjetë vjet të regjimit nacionalkomunist.
Që atëherë, kjo "gjurmë" historike mbeti për dekada në pritje që të ishte ajo çka është sot: jo më vetëm treg, kafene, monument i vetvetes dhe i regjimit apo prani që veç sa ceket rrëshkitazi në letërsinë shqiptare të shek. XX, porse hapësira kryesore e një marrëdhënieje të plotë.
Petit tour shqiptar
Për shumë kohë Tirana mbeti një qytet i padukshëm. Për hir të së vërtetës, nuk qe vetëm themelimi i vonët i saj që e shtyu tek "e padukshmja", po edhe mefshtësia e ekonomisë së saj krahasuar fjala vjen me portet e bregdetit shqiptar si Durrësi, Vlora e Shkodra, secili syresh i prirur për shkëmbime kufitare dhe adriatike.
E sidomos qenia e saj larg dhe jashtë kryeqendrës së Perandorisë Osmane si edhe nga hyllësia e kryeqyteteve të lidhura me atë kryeqendër, të cilat qenë dëngas me gjurmë historie e me gjithçka tjetër të trashëguar. Ndaj edhe matja me to qe dhe mbeti e pagjasë.
Por kushtet negative që kishin vënë caqet dhe tiparet e historisë së saj, u kthyen në të kundërtën e vet atëbotë kur u desh të zgjidhej një kryeqytet për të sapolindurin Shtet shqiptar. Posë tjerash, kish ndryshuar thellësisht realiteti gjeopolitik i Mesdheut në centrifugën që brenda pak motmotesh kish shpërbërë dhe fshirë tutje superfuqinë osmane, e tok me të edhe melting pot-in e saj kulturor, shekullor, tërheqës e të rrallë.
Në kohën e formimit të Shtetit të ri shqiptar, u morën shumë parasysh qoftë pozicioni qendror i qytetit kundrejt qyteteve të tjera historike të Shqipërisë të ndodhura në kufijtë e Shtetit, nga Korça deri në Shkodër e Vlorë, qoftë edhe mundësitë që ofronte ajo rrafshinë që më së shumti përdorej ende thjesht si tokë bujqësore dhe kullotë, rreth e rrotull zemrës historike të bejlerëve të fundit që zgjodhën të marrin përsipër barrën e zhvillimit që paracaktoi statusi i ri. Dhe kështu ndodhi përnjëmend.
Ajo çka e bëri më fort të padukshme qe edhe mungesa e një joshjeje të veçantë të trojeve shqiptare në kohët moderne, ndaj ngulmit të botës për ekzotizmin e lindjes së afërt. Ky ngulm aty nga fillimet e Tetëqindës pat shtyrë një aradhë shkrimtarësh e artistësh perëndimorë disi bohemë (deracinès), po afërmendsh edhe mjaft tregtarë, ky ngulm për ekzotizëm i pat shtyrë pra të rrihnin brigjet jugore e Mesdheut, magjepsur prej një qytetërimi ku mungonin rregullat e jetesës së borgjezizë industriale e metropolitane që po lindte. E po të duam ta ilustrojmë këtë koncept me veprimtarinë e shkrimtarëve më të spikatur që ndihmuan në përpilimin e një farë ideologjie orientaliste, mjaft të përmendim se në tregimet magjiplote të Theophile Gautier gjenden gjithë përbërësit e asaj ikonologjie që ushqeu gjatëherë imagjinatën popullore të Perëndimit.
Nuk ndodhi po njëlloj me prapatokën shqiptare, e cila mbeti si e zgjidhur për faj të një terreni vështirësisht të kalueshëm, me kurrize malesh si kreshtat e një grushti të mbyllur e me theqafje angështuese. Nuk ndodhi po njëlloj me këtë prapatokë, të cilën konjukturat e pazgjidhura të historisë (apo qerthujt e pandërprerë të saj?) e kishin shtyrë në skaj të izolimit. Po pikërisht prej këtij skajimi, prej pasjes së bashkësisë si e vetmja pikë referimi për çdo detaj jete, pikërisht falë këtyre pra, ja kishin dalë të mbijetonin ato forma kulture të përbëra nga mija huazime e nga një i vetëm e i pangatërrueshëm profil identitar.
Kësisoj shtegtimi për në prapatokën Shqiptare duhej të nxitej medoemos nga ndonjë shtysë tejet e veçantë, e do t'i përngjiste gati-gati një pelegrinazhi ekzoterik, plot me çudira, paradokse e pikëpyetje që shpesh nuk gjenin përgjigje.
E pra, në dhjetëvjeçarët e parë të Tetëqindës, udhakimi i atyre të rrallëve rrugtarë, të cilët më fort qenë tregtarë, diplomatë e fetarë, udhakimi i tyre mespërmes jug-lindjes së Ballkanit, zemra e të cilit është Shqipëria, atëbotë ndërmerrej si një aventurë e kërkuar nga shpirti.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›