E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasqyrë e shkurtër e politikës tre vjeçare

10-07-2012 / Nga Lavdrim Lita

Tre vitet parlamentare të mandatit katër vjeçar të nisur më 2009 do të mbyllet 24 korrikun e ardhshëm me betimin e Bujar Nishanit si president i Republikës. Edhe një vit na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 2003, ku me siguri do të peshohen sukseset dhe dështimet e maxhorancës dhe opozitës. Për maxhorancën këto tre vite, të mandatit të dytë qeverisës Berisha, kanë qenë plot sfida sidomos për hapat e hedhura për integrimin europian. Një prej këtyre hapave të rëndësishëm ishte lëvizja e lirë pa viza e qytetarëve në vendet anëtare të “Shengen-it”. Liberalizimi i vizave ishte testi i parë real i administratës shqiptare me standardet e Bashkimit Europian. Kjo është shumë e rëndësishme. Forcimi i institucioneve kushtetuese dhe mbajtja në kontroll e situatave delikate, pavarësisht, sjelljes mos pranuese të rezultatit zgjedhor dhe bojkotimit të parlamentit të opozitës, apo kërkesës së saj të paligjshme për hapje kutish, grevë urie, ushtrim dhune deri në sulm të organizuar kundër kryeministrisë më 21 janar - ka qenë përparësi e maxhorancës qeverisëse.
Kuptohet vetiu, përkundër krizës financiare botërore që pa dyshim ka impakt në çdo ekonomi të tregut të lirë, qeveria e kryeministrit Berisha ka ditur të ruajë të gjitha parametrat pozitiv të rritjes ekonomike duke i rezistuar rënies së remitancave dhe uljes së kërkesës për eksporte, nëpërmjet investimeve publike, stimulimit të ekonomisë dhe liberalizimit të tregut energjetik. Zgjerimi i lirisë ekonomike në vend dhe taksa e sheshtë ka qenë ilaçi më i mirë kundër krizës ekonomike. Mbajtja e ritmit vjetor të rritjes ekonomike me 3 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa vendet fqinje si Italia dhe Greqia janë në recesion ekonomik, është sinjal i padiskutueshëm i soliditetit të ekonomisë reale. Produkti i liberalizimit të tregut energjik po shfaqen në rajon me hapa të përmbajtura, megjithëse, pritshmëria afatmesme është e madhe.
Gjithashtu investimi në lidhjen kapilare të vendit me infrastrukturë rrugore sipas standardeve europiane është një dinamizëm i pamohueshëm. Nëse shikojmë infrastrukturën e vendeve fqinj, përveç Greqisë, vendi ynë ka bërë shumë hapa përpara në lehtësimin e qarkullimit të njerëzve, mallrave dhe ideve. Vetëm dy ditë më parë statistika ditore e hyrjes nga dogana e Morinit, në Kukës, të turistëve “patriotë” ishte në shifrën 40 mijë! Një shifër e pabesueshme disa vite më parë. Pra, kemi një bum turistik në sezon veror, çka është pasojë e drejtpërdrejt e infrastrukturës moderne dhe një hyrje e madhe monetare për financat shqiptare.
Sakaq opozita gjatë këtyre tre viteve ka qenë jo pak obstruksioniste. Sidozot keqmenaxhimi i humbjes parlamentare të 2009 nga ana e kreut të PS, Edi Rama, solli implementim e agjendës konfliktuale. Një agjendë që përfshinte bojkotin radikal të parlamentit, bllokimin e  rrugëve me djegie gomash, hapjen e një fushata protestash anekënd, futja në një grevë urie absurde duke ngulur çadrat mu përballë kryeministrisë sikur të ishin pushtues otomane të shekullit të XIV. Ndonëse kurorëzimi i kësaj sjellje të papërgjegjshme u shfaq me organizimin e 21 janarit 2011, në demonstratën e dhunshme me katër të vrarë dhe qindra policë të plagosur.
Megjithatë, zgjedhjet lokale të 8 majit 2011 dëftyen lodhjen e qytetarëve shqiptarë me politikën radikale të Ramës. Ishin 142 mijë vota plebishitare që largonin Ramën edhe një herë nga aroma e pushtetit. Humbja e bashkisë së Tiranës dhe mbyllja në vetvete për tre muaj sollën konvertimin e radhës së opozitës socialiste. Edi Rama hoqi dorë nga agjenda radikale me shpalljen e “kursit të ri”. Ky kurs i ri i Partisë Socialiste parashikonte jo vetëm një ç’tensionim të situatës politike të ngarkuar prej saj, por dhe ofrimin e një alternative. Nëntë muaj pas fillimit të kursit të ri socialist kemi vetëm një qetësim të “luftës” politike, por jo një alternativë nga ana e opozitës. Kjo u dëshmua plotësisht në pamundësinë për të ofruar një kandidaturë në  tryezën politike të zgjedhjes për president të Republikës. Herë më kushte të përgjithshëm, herë me sjellje refraktare, opozita e kryesuar prej Ramës tregoi një amatorizëm të mirëfilltë.
Në përfundim mund të thuhet se arritjet e mësipërme dhe sipërmarrjet e reja liberalizuese të tregut të punës së bashku me lidhjen me infrastrukturë të kombit, industria e re energjetike, dixhitalizimi i  shërbimeve për qytetarët nuk kanë qenë të lodhshme për qytetarët, sikurse u vërtetua edhe në zgjedhjet e 8 majit. Miratimi në kuvend i reformës zgjedhore dhe heqjes së imunitetit do të kurorëzonte aspiratën legjitime të shqiptarëve për t’u afruar me familjen të cilës i përket jo vetëm gjeografikisht. Marrja e statusit të vendit kandidat për në BE do të çlironte një energji pozitive që do të ndihmonte në përmbushjen e plotë të standardeve europiane.        

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›