“Reforma zgjedhore dhe imuniteti, garanci për integrimin

Kryeministri Berisha takohet me Zëvendëskryeministrin dhe ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak
Në Dubrovnik të Kroacisë, Berisha dhe Lajçak biseduan për ecurinë e reformës elektorale si dhe nismën e mazhorancës për heqjen e imuniteteve të zyrtarëve të larte. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm sllovak, Lajçak vlerësoi angazhimin për përmbushjen e rekomandimeve dhe e ri-siguroi kryeministrin Berisha se vendet e BE-së janë tërësisht të vendosura të vijojnë të mbështesin Shqipërinë në të gjitha përpjekjet për realizimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit Ecuria e reformave legjislative për përmbushjen e 12 rekomandimeve me qëllim ecjen përpara në procesin e integrimit evropian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, kanë qenë në qendër të bisedës mes kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit te Jashtëm të Sllovakisë Miroslav Lajçak. Në Dubrovnik, ku mori pjesë në punimet e Samitit të kryetarëve tё qeverive dhe personaliteteve nё fushën e vendimmarrjes dhe opinion-bёrjes me temë “Shtet-ndërtimi dhe eksperienca evropiane”, Kryeministri Berisha takoi Zëvendës Kryeministrin dhe ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajcak. Kreu i qeverisë Berisha e njohu Zëvendëskryeministrin Lajçak me ecurinë pozitive të reformës elektorale, nismën jashtëzakonisht të rëndësishme të mazhorancës për heqjen e imuniteteve të zyrtarëve dhe me arritjet e rëndësishme në përmbushjen e një pjese të rëndësishme të rekomandimeve, si edhe punën intensive e gjithëpërfshirëse për përmbushjen sa më parë të këtij procesi shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë. Zëvendëskryeministri Lajçak vlerësoi përkushtimin dhe angazhimin për përmbushjen e të gjitha rekomandimeve dhe e ri-siguroi Kryeministrin Berisha se Bashkimi Evropian është tërësisht i vendosur të vijojë të mbështesë e ndihmojë Shqipërinë në të gjitha përpjekjet për realizimin me sukses të të gjitha reformave të lidhura me procesin e integrimit. Ai i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e Sllovakisë për të mbështetur e ndihmuar Shqipërinë në këtë përpjekje madhore, në çdo kohë. Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajon. Kryeministri Berisha i ri-përsëriti Zëvendëskryeministrit Lajçak dëshirën për ta mirëpritur në Tiranë, në çdo kohë, si mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Irlanda mbështet Shqipërinë në rrugën e integrimit Evropian”
Kryeministri takon dhe Çështjeve Evropiane të Irlandës, Lucinda Creighton
Kryeministri Sali Berisha takoi në Dubrovnik edhe ministren e Çështjeve Evropiane të Irlandës, Lucinda Creighton. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e veçantë që takohej me ministren Creighton dhe shfrytëzoi rastin për t’i përcjellë Kryeministrit të Irlandës, Enda Kenny, përshëndetjet më të përzemërta dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë, gjatë këtij viti festimesh të jubileut të madh të 100 vjetorit të ngjarjes historike të Pavarësisë së Shqipërisë. Creighton, pasi i shprehu Kryeministrit Berisha kënaqësinë e veçantë që takoheshin në Dubrovnik, e uroi atë për suksesin e Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke vlerësuar punën e mirë që kryesia shqiptare po bën gjatë kësaj periudhe. “Irlanda do ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha përpjekjet dhe reformat për të ecur përpara me shpejtësi, në rrugën e integrimit dhe hapat e mëtejshëm të tij, siç është edhe statusi i vendit kandidat”, theksoi ministrja Creighton. Në këtë kontekst, ajo e siguroi Kryeministrin Berisha se Irlanda pret me kënaqësi të bashkëpunojë ngushtësisht me Shqipërinë, edhe gjatë periudhës kur Irlanda do të marrë presidencën e radhës së BE-së. Më tej, gjatë bisedës, Kryeministri Berisha e njohu Creighton me arritjet e rëndësishme në fushën e ekonomisë, sektorin energjetik, thithjen e investimeve të huaja, në sektorin e arsimit, shëndetësisë, ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme, etj. Kryeministri Berisha bëri një ekspoze edhe të punës intensive për përmbushjen e rekomandimeve të fundit të listës prej 12 rekomandime të Komisionit Evropian, duke theksuar se për qeverinë shqiptare, ky proces, i cili mbështetet nga mbi 96 për qind e shqiptarëve, është dhe mbetet një proces që duhet bazuar tërësisht në performancë. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e njohu ministren Creighton me ecurinë pozitive të reformës elektorale, nismën e rëndësishme të mazhorancës për heqjen e imuniteteve, etj. Nga ana e saj, Ministrja e Çështjeve Evropiane të Irlandës, Lucinda Creighton, vlerësoi arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare, gjatë gjithë kësaj periudhe, në reformat e ndërmarra në kuadër të integrimit evropian e më gjerë. Ministrja Creighton shprehu vlerësimin dhe mbështetjen e plotë të vendit të saj për të gjitha këto arritje dhe për të gjitha përpjekjet e mëtejshme për të ecur përpara në hapat e mëtejshëm për anëtarësim të plotë në BE. Në takim, u ripohua vendosmëria e të dy vendeve për të bashkëpunuar edhe më gjerë, si në kuadrin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
...