E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastrimi i parave zbulohen 45 raste

05/11/2009  Drejtoria parandalimit të Pastrimit të Parave kërkon më shumë angazhim nga institucionet e pavarura

Doçi: Prokuroria të na thotë se ccfarë bën me rastet që denoncojmë

“Vetëm për vitin 2009, kemi denoncuar 49 raste të pastrimit të parave”

Albana Lika

Drejtoria e Përgjithshëm për Parandalimin dhe Pastrimin e Parave kërkon një gatishmëri më të lartë në kryerjen e detyrës nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme në raport me denoncimet që kjo drejtori bën pranë organit të akuzës. Drejtori i DPPP-së, Arben Doçi, deklaroi në Komisionin për Sigurinë Kombëtare se pas denoncimit në prokurori të rasteve drejtoria e tij nuk vihet më në dijeni për ecurinë e tyre. Ai raportoi veprimtarinë e institucionit që kryeson për periudhën janar 2008-tetor 2009, kur përveç të tjerash prezantoi edhe arritjet në realizimin e detyrave. “Ligji nr. 9917 për parandalimin e financimit të parave ngarkon prokurorinë që të japë feedback pranë njësisë së Inteligjencës Financiare. Pra, të na thonë se çbëhet me rastet që ne denoncojmë, si në rastet që e pushon apo heton. Ndoshta këtu çalon edhe rakordimi i punës me këtë institucion. Besoj se me rritjen e kapaciteteve dhe numrit të prokurorëve, të oficerëve të policisë gjyqësore do të zbatohet edhe ky detyrim”, - tha Doçi. Të njëjtin shqetësim raporti ngre edhe për Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila gjithashtu duhet të japë të dhëna të vazhdueshme për rastet e referuara nga DPPPP-ja. Në kuadër të bashkëpunimit me institucionet ligjzbatuese, vëmendje i është kushtuar koordinimit dhe shkëmbimit të informacionit për çështje që kanë lidhje me pastrimin e parave nga individë dhe grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë. Në funksion të këtij objektivi DPPPP-ja i ka kërkuar Policisë së Shtetit që ta njohë me persona kontingjent të krimeve, prej të cilave është e pritshme që të sigurohen produkte pasurore, ndërsa Prokurorisë që kërkesat për investigim financiar për personat nën hetim të mos i bëjë në fazën e avancuar të hetimeve, por që në fazat e para të tij. Po ashtu i është sugjeruar që investigimi financiar mund e duhet të kryhet që në fazën e gjurmimit policor. Në mbyllje të raportimit kryetari i komisionit, Leonard Demi, vlerësoi progresin e bërë nga DPPPP-ja, duke e vënë theksin te përgjigjja ndaj sfidave që ka Shqipëria në lidhje me proceset integruese.

Investigimet

Numri i investigimeve financiare të kryera mbi bazë të kërkesave nga prokuroritë, kryesisht asaj të Krimeve të Rënda në vitin 2008 është 45 dhe në 2009 është 43 investigime. Sipas këtyre të dhënave, grumbullimi dhe analizimi i informacionit financiar për persona ndaj të cilëve është në vazhdim procedimi penal, ka një tendencë në rritje. Nga analizimi i një materiali voluminoz të grumbulluar mbi bazë të kërkesave të Prokurorisë, DPPP-ja ka konstatuar se efektiviteti i kësaj veprimtarie është mjaft i ulët. “Kjo vjen për shkak se nga ana e Prokurorisë kërkesa të tilla bëhen në një stad të avancuar të hetimeve, e për rrjedhojë personat e dyshuar rezulton se kanë vepruar për të fshehur dhe zhdukur gjurmët e parave dhe aseteve të tyre. Edhe me Policinë ka vazhduar shkëmbimi i informacionit, me gjithë disa problematika në lidhje me shpejtësinë dhe cilësinë e tij, të cilat u janë bërë të ditura me informacione sistematike si drejtorit të përgjithshëm të Policisë, ashtu dhe ministrit të Brendshëm”, - konkludon DPPP-ja.

Rastet e referuara

Sipas konfirmimeve nga Policia e Shtetit deri tani, për 20 % të 117 rasteve të dyshimta të referuara nga DPPP-ja pranë policisë ka qenë e mundur që të sigurohen provat e duhura për tu dërguar kallëzimi përkatës penal në Prokurori. Ndërsa nga njësia e përbashkët hetimore pranë prokurorisë së Tiranës për vitin 2008 për 8 raste është regjistruar procedimi penal mbi bazën e të dhënave të dërguara nga ana jonë, kurse për vitin 2009, deri më 15 gusht, janë regjistruar 6 procedime penale. Ndërkohë që 18 rastet e dërguara nga DPPP-ja, duke pasur të dhëna dhe indicie për pastrim parash, u kanë kaluar oficerëve të Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit për gjetjen e provave dhe për tu regjistruar për procedim penal janë dërguar pranë DPPSH-së për veprime procedurale.

Raportimi i aktiviteteve të dyshimta dhe transaksioneve

Aktivitetet e dyshimta, këtë vit janë raportuar më pak se më 2008-n

Më 2009-n janë denoncuar 77 raste, në vitin e mëparshëm 152 të tilla

Në vitin 2008 janë raportuar aktivitete të dyshimta për 152 raste dhe në 10-mujorin e vitin 2009 janë raportuar 77 raste. Nga këto shifra rezulton një rritje graduale vit pas viti, që arrin kulmin në vitin 2007, në një total 748 RAD. Në këtë numër përfshihen informacione të paraportuara më parë nga bankat, që u konsideruan si anormale ose të dyshimta vetëm pas inspektimeve të kryera. Pas analizimit të tyre u konkludua se përmbanin kryesisht elemente të evazionit fiskal. Ligji nr. 8610, datë 17.05.2000 “Për parandalimin e pastrimit të parave” parashikonte krahas raportimit të transaksioneve të vlerave edhe raportimin e aktivitetit të dyshimtë, pavarësisht nga vlera nga të gjitha subjektet raportuese të ligjit. Sipas këtyre detyrimeve, që nga viti 2001, kur u mor dhe raporti i parë i aktivitetit të dyshimtë, deri në vitin 2009 janë raportuar 1231 transaksione të dyshimta. Ndonëse edhe në raportin e progresit për vitin 2009 të BE-së evidentohet rritja në sasi dhe cilësi e inspektimeve të kryera nga DPPPP-ja, përsëri mbetet shumë punë për tu bërë, me qëllim që subjektet raportuese financiare, por dhe të tjera, të raportojnë transaksione të aktiviteteve të dyshimta për pastrim të parave dhe financim të terrorizmit. Për këtë situatë DPPP-ja ka kërkuar nga autoritetet mbikëqyrëse dhe licencuese që drejtuesit e institucioneve të ushtrojnë presion dhe kontrolle të vazhdueshme ndaj subjekteve për të përmbushur këtë detyrim ligjor. Për sa u takon raportimeve të transaksioneve më 2008-n janë raportuar 231 531 raste dhe një vit më vonë 617 103 raste. Krahas raportimeve nga bankat, që zënë pjesën më të madhe të raporteve të transaksioneve të vlerave dhe të transaksioneve CASH, gjatë vitit 2008 e në vazhdim, si rezultat i inspektimeve dhe masave administrative të marra, kanë filluar të raportojnë edhe noterët e subjekte të tjera.

Heqja e licencave

Shuma totale e gjobave të dhëna për vitin 2008 është 23 690 000 lekë, ose gati 6 herë më shumë se një vit më parë. Për periudhën janar 2009–tetor 2009 kjo shumë është 42 050 000 lekë, ndërkohë që janë paguar vetëm 2 700 000 lekë. Ndërsa në vitin 2008 janë paguar 3 990 000 lekë. Krahas dhënies së masave administrative, për herë të parë në vitin 2008 Drejtoria e Pastrimit të Parave ka propozuar heqjen e licencave për tri subjekte pranë organeve mbikëqyrëse/licencuese, duke ushtruar kështu një të drejtë ligjore për forcimin e sistemit të parandalimit të pastrimit të parave/financimit të terrorizmit në Shqipëri

Ankimimet

Kujdes më i madh i është kushtuar edhe pagimit të gjobave, duke ndjekur të gjitha proceset gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit. Në vitin 2008 nga 22 ankimime të bëra për masat administrative të marra nga DPPPP-ja pranë gjykatës së shkallës së parë të Tiranës, 15 prej tyre janë fituar nga DPPPP-ja, 2 janë fituar nga subjektet e ndëshkuara dhe të tjerat janë në proces. Po kështu janë fituar nga DPPPP- ja në Gjykatën e Apelit 5 apelime. Për 10-mujorin e parë të vitit 2009 janë dhënë nga DPPPP 29 masa administrative dhe janë ankimuar pranë gjykatës së shkallës së parë të Tiranës 8 prej tyre.

Pasuritë e bllokuara

Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave si inteligjencë financiare, në bashkëpunim gjithnjë me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, përveçse i jep informacion Prokurorisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë apo dhe agjencive të tjera, mund të bllokojë pasuritë e konsideruara të papastra. “Kemi mundësinë që na jep ligji që për 72 orë të bllokojmë çdo transaksion, çdo depozitë që na raportohet si e dyshimtë nga subjektet e ligjit apo nga institucionet e tjera. Këtë punë ne e kemi bërë në disa raste. Pikërisht në këtë 10-mujor 18 herë ne kemi nxjerrë urdhra bllokimi. Janë bllokuar 36 llogari bankare. Janë bllokuar 3 149 843 euro nga ana jonë, 20 mijë dollarë, 75 285 lekë dhe 1060 metër katror truall”, - tha Doçi. Po sipas raportit në fjalë, në 10-mujorin e vitit 2009 (janar–tetor 2009) janë sekuestruar nga prokuroria e gjykata 2 729 843 euro. Këto të dhëna janë të konsiderueshme krahasuar me ato të vitit 2008. DPPP-ja gjatë vitit të shkuar ka nxjerrë 5 urdhra bllokimi, ka bllokuar 45 llogari bankare, 504 934 euro, 486 046 dollarë dhe 952 032 lekë.

Mungojnë të dhënat për mosdeklarimin në cash

Gjatë vitit 2008 dhe 2009 risi përbëjnë raportimet nga subjekte të tjera të ligjit, si: zyrat e këmbimit valutor kanë raportuar 179 transaksione vlerash gjatë vitit 2008 dhe 456 për 10-mujorin 2009; institucionet financiare jobanka kanë raportuar 213 transaksione gjatë vitit 2008 kundrejt 79 raportimeve të vitit 2007. Ka filluar te raportohet nga këto institucione edhe online. Gjatë këtij 10-mujori raportimet e këtij subjekti kanë arritur në 226. Shoqëritë e ndërtimit kanë raportuar edhe ato për herë të parë në vitin 2008 dhe numri i raportimeve ka qenë 7. Gjatë këtij 10-mujori, si rezultat i inspektimeve dhe masave të marra, numri i raportimeve ka arritur në 265 raportime të transaksioneve të vlerave. Në lidhje me mosdeklarimet cash, përjashtuar një rast në janar 2009 nga Policia Shtetit, që i ka konstatuar dhe prokuroria, që i ka hetuar e dërguar çështjet ne gjyq, nuk ka asnjë të dhënë nga institucionet ligjzbatuese, duke u detyruar të dhënat vetëm nga uebsite i gjykatës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›