E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit prej dy muajsh pa rroga

05/11/2009  Dispozicioni, vendim për uljen e pagesës për orën mësimore nga 5 mijë në 3500 lekë

Lidhja e kontratave do të realizohet vetëm pas publikimit të shkresës zyrtare të MASH

Ndonëse janë njohur me faktin e uljes së pagesës për orën mësimore, mësuesit në dispozicion prej dy muajsh nuk kanë marrë as rrogat për orët e dhëna. Në një urdhër më të fundit të ndërmarrë nga Ministria e Arsimit përcaktohet se ora e mësimit për këtë kategori do të jetë më e ulët. Kështu, të gjithë mësuesit që kanë dhënë mësim me ditë apo me orë të caktuara në shkollat e arsimit të mesëm, por dhe atij të detyruar do të marrin 3500 lekë për çdo orë që japin, teksa më parë një orë mësimi kushtonte rreth 5 mijë lekë. Megjithatë, ky nuk është problemi i vetëm me të cilin po përballen me qindra mësues, të cilët çdo ditë zënë radhët para drejtorive arsimore të çdo rrethi me shpresën se do të thirret emri i tyre për të dhënë mësim në shkollat ku mungojnë mësuesit e lëndës përkatëse. Moszyrtarizimi i këtij urdhri ka bërë që rrogat e dy muajve për këta mësues të mbeten të pandara.

Problemi

Specialistët e drejtorisë arsimore pohojnë se i është dërguar një shkresë Ministrisë së Arsimit, ku kërkohet interpretimi i këtij vendimi, në mënyrë që dhe mësuesit të kenë mundësi të marrin rrogat e tyre. Sipas tyre, pa sjellë më parë Ministria shkresën ku përcaktohet një gjë e tillë, si dhe pa shënuar numrin e saktë të mësuesve që do trajtohen me këtë pagesë së bashku me masën e përfitimit nuk mund të ketë ndarje rrogash. Kështu, mësuesit e dispozicionit do të duhet të presin derisa Ministria e Arsimit të reagojë për të marrë rrogat e tyre. Ndërkohë pohohet se janë të shumtë mësuesit që janë aktivizuar për mbulimin e orëve bosh në shkolla që nuk kanë marrë ende rrogat.

Kontrata

Gjithashtu kjo kategori mësuesish do të nënshkruajë edhe kontrata e reja me drejtoritë arsimore, të cilat do të kenë kohëzgjatje të ndryshme në varësi të mungesave dhe mbulimeve që do të bëhen. Për lidhjen e këtyre kontratave mësuesit do të paraqiten pranë drejtorisë përkatëse në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, por këtë do ta bëjnë vetëm pasi Ministria e Arsimit të ketë përcaktuar se sa do të jetë numri i mësuesve dhe masa e përfitimit. Nga të dhënat rezulton se numri i mësuesve që ndodhen në listat e pritjes për orët e dispozicionit arrin në rreth 4 mijë apo më shumë, ndërsa të drejtën e marrjes së këtyre vendeve nuk mund ta fitojnë më shumë se 700 mësues gjatë vitit. Kjo për shkak të plotësimit të emërimeve në shkolla, si dhe numrit të ulët të mësuesve që marrin leje për arsye të ndryshme, apo të atyre që dalin në pension. Megjithatë, në reformat e propozuara nga Ministria e Arsimit synohet të shkohet drejt përgatitjes së një sistemi më kualifikues, ku do të pranohen vetëm mësues me master.

Lista e mësuesve

Janë të shumtë mësuesit që janë aktivizuar për mbulimin e orëve bosh në shkolla dhe që nuk kanë marrë ende rrogat për këtë vit të ri shkollor, kjo veçanërisht për drejtoritë në rrethe. Ndërsa pranë drejtorisë së arsimit në kryeqytet pohohet të jenë aktivizuar rreth 500 mësues për orët në dispozicion në muajt e parë të këtij fillimviti mësimor. Gjithashtu specialistët e kësaj drejtorie pohojnë se disponohen të gjitha listat së bashku me orët e mbuluara nga secili mësues dhe kur Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të dërgojë shkresën do të përfshihen në buxhet dhe më pas do të nisë shpërndarja e rrogave, që do të bazohen në orët që secili prej mësuesve ka dhënë gjatë këtij harku kohor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›