Pastruan para, prokurori francez në Tiranë për grupin shqiptar
TIRANE – Nëntë persona janë marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit dje në Gjykatën për Krimet e Rënda për llogari të drejtësisë franceze. Bëhet fjalë për dëshmi me anë të të cilave duhet të faktohet implikimi apo jo, në veprimtari të jashtëligjshme të disa personave shqiptarë që janë nën hetim në Francë. I pranishëm në seancën e djeshme ishte edhe prokurori francez Aleksis Kontamin, i dërguar nga Gjykata e Renës. Personat që po hetohen në Francë janë Adnand Sharra, Gentian Pupa, Alban Kristo, Arben Dervishi, Jamarbër Jodha dhe G. Citozi. Sipas prokurorisë franceze, ata akuzohen për “trafikim të lëndëve narkotike”, “trafik të armëve dhe municioneve”, “pastrim parash” dhe “kontrabandë me mallra, të cilat sjellin pasoja të dëmshme në shëndetin e njeriut”, vepra penale këto të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale franceze. Seanca e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka ardhur pas një kërkese të kryer me anë të një letër-porosie nga gjykata e Renës (Rennes) së Francës. Me anë të kësaj letër-porosie autoritetet franceze i kërkonin Krimeve të Rënda në Tiranë të merrte në pyetje disa persona. Nga hetimet e kryera rezultonte se në emrat e dëshmitarëve të paraqitur dje para gjykatës, personat nën hetim kishin dërguar shuma parash me anë të agjencive të transferimit të parave gjatë periudhës 2007-2008. Transfertat bankare në Shqipëri ishin pohuar nga vetë shqiptarët e arrestuar në deklarimet e tyre dhe prokuroria franceze zotëronte edhe dokumente që vërtetonin këto transferta. Ndërsa personat e thirrur dje nga gjykata e mohuan një fakt të tillë. Disa prej tyre ishin të habitur nga fakti që i kishin thirrur në gjykatë, pasi ata as nuk njiheshin me asnjë prej të pandehurve. Gjithashtu ata mohuan katërcipërsisht që të kishin tërhequr në pikat e transferatve të parave, para të dërguara nga personat që po hetohen në Francë. Qëndrimet e tyre nuk kanë ndryshuar edhe pasi nga gjykata iu është ritheksuar fakti që do të mbanin përgjegjësi penale në rast dëshmie të rreme. Gjyliza Pupa, e ëma e Gentian Pupës, tha dje se prej 8 muajsh djali i saj ishte i arrestuar në Francë, ndërsa ajo nuk e dinte se ç’kishte bërë. “Po të kishte sjellë para mua do të më vinin”, iu përgjigj ajo pyetjes së prokurorit nëse i kishte dërguar apo jo djali i saj disa mijëra euro nga Franca. Mësohet se 6 shqiptarët nën hetim janë pjesë e një grupi të madh personash të arrestuar nga policia franceze për të njëjtat vepra penale. ar.ba