Bllokohen makinat e 5 policëve
GJIROKASTER
Mbaron koha kur punonjësit e policisë lëviznin me targa të huaja apo false në makinat private dhe pa asnjë lloj dokumenti. Ndryshimi nis nga policia e Gjirokastrës, e cila dje bllokoi makinat e 5 prej uniformave blu, pjesë e strukturës së saj.
Aksioni i nisur prej muajit shkurt ka vënë në shënjestër të Inspektoratit të Qarkullimit Rrugor në Gjirokastrës pesë automjete. Ato janë bllokuar për mungesë të dokumentacionit. Nuk ka mjaftuar me kaq, por mbi pronarët e tyre janë vendosur gjoba që kanë arritur deri në 10 mijë lekë të reja. Ky fakt bëhet i ditur nga drejtuesit e këtij inspektorati, të cilët pohuan se janë të vendosur që të ndëshkojnë çdo shkelës të ligjit qofshin këta edhe kolegët e tyre. Bllokimi i automjeteve është realizuar në kuadër të aksioneve që ka ndërmarrë ditët e fundit Inspektorati i Qarkullimit Rrugor në Gjirokastër për të ndalur qarkullimin pa dokumente të mjeteve motorike në rrugët parësore dhe sekondare në jug të vendit. Sipas burimeve në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër bëhet fjalë për gjobitjen dhe bllokimin e pesë automjeteve të efektivave të policisë, të cilat qarkullonin pa dokumentacionin përkatës. Mjetet, të tipit “Benz” dhe “Volksëagen” i përkisnin punonjësve të policisë në sektorë të ndryshëm të policisë së qarkut. “Nga informacionet që ne kemi herë pas here është ngritur edhe si shqetësim i qytetarëve që punonjës të ndryshëm të policisë, qarkullojnë me targa të parregullta, ndërkohë që ky veprim për ta është seleksionues. Mbështetur mbi këto informacione janë marrë masat përkatëse duke bërë evidentimin e të gjitha mjeteve, që kanë punonjësit e policisë dhe targat përkatëse që ata përdorin. Ne kemi marrë masa konkrete dhe ndaj punonjësve të ndryshëm të policisë, të cilët lëvizin me automjete që nuk disponojnë dokumentacionin përkatës”, shprehen burime policore. Gjatë ditëve të fundit janë bllokuar nga ana e Inspektoratit të Qarkullimit Rrugor një numër i konsiderueshëm mjetesh të parregullta në dokumentacion prej të cilave dhe ato të punonjësve të policisë. Që nga mesi i muajit shkurt e deri tani ky numër i kalon të 40-at. Makinat i kanë dërguar në pikën e grumbullimit të tyre, derisa të plotësohet dokumentacioni mungues dhe të paguhen detyrimet karshi shtetit.