Prokuroria jep provat e “Gërdecit” për 14 familjet e viktimave të tragjedisë
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme u dorëzoi dje familjarëve të viktimave të Gërdecit provat kryesore që u kërkuan nga të dëmtuarit, me qëllim hapjen e gjyqit për dëmshpërblimin e pasojave të ngjarjes së 15 marsit 2008. Në orët e para të mëngjesit, përfaqësuesit e 14 prej familjeve të dëmtuara u paraqitën së bashku me avokaten e tyre në organin qendror të akuzës. Ata prej muajsh kanë ngritur padi në Gjykatë ndaj Prokurorisë, ku kërkojnë lëshimin e një urdhri nga togat e zeza për dhënien e provave. Pas seancës së tretë të gjyqit, Prokuroria u bind të japë disa dokumente nga fashikulli hetimor i Gërdecit, ndërsa dje ato u janë dorëzuar familjarëve të viktimave. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, të cilat thanë se grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit, prej tri ditësh ka bërë një përzgjedhje të materialeve dhe në fund i ka grumbulluar dokumentet në një dosje të veçantë, e cila dje u është dorëzuar të afërmve të të dëmtuarve. Me këto dokumente, të gjithë personat e dëmtuar nga ngjarja mund të hapin një padi civile në gjykatë, ku të akuzojnë shkaktarët e tragjedisë e më pas të kërkojnë prej tyre shuma financiare në raport me dëmin që u është shkaktuar, si në jetë njerëzish, ashtu edhe në pasoja materiale dhe financiare. Megjithatë në zbatim të ligjeve e procedurave, duket se Gjykata do ta pushojë këtë padi derisa të marrë fund procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, për të pritur shpalljen të fajshëm ose jo të personave që janë arrestuar dhe atyre që janë marrë të pandehur. Për muaj me radhë që nga pranvera e vitit që shkoi, Prokuroria e Përgjithshme refuzoi t’i bëjë publike dhe t’i shpërndajë për familjet e viktimave, provat që ndodhen në dosjen “Gërdeci”. Një veprim i tillë i Prokurorisë u arsyetua me sekretin hetimor që mbronte materialet e dosjes, të cilat në rast se jepeshin për persona jashtë organit të akuzës, rrezikonin dëmtimin e hetimeve. Pas procesit gjyqësor të hapur, Prokuroria pranoi dorëzimin e provave, të cilat u morën dje nga 14 familje, edhe pse tragjedia e Gërdecit preku qindra të tilla. tr.so