“Pasuria jonë e ligjshme dhe e vërtetuar nga ILDKP, Taulant Balla të mos i shmanget përballjes në gjyq”
Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha i përgjigjen akuzave të deputetit socialist, Balla mbi të ardhurat
Fëmijët e Kryeministrit Sali Berisha i përgjigjen shpifjeve të deputetit socialist Taulant Balla. Nëpërmjet një deklarate të shpërndarë për mediat ata bëjnë të ditur se pasuritë e tyre janë nga burime të ligjshme dhe të deklaruara e vërtetuara edhe nga organet përkatëse, ndryshe nga shefi i Taulant Ballës që pasi betonoi Tiranën në këmbim të miliona eurove të akuzuar nga ndërtuesit, deklaron si kursime 3 mijë euro, dhe se jeton 6 muaj te shokët e 6 muaj te mami meqë është i pastrehë
Argita e Jamarbër Malltezi dhe Shkëlzen Berisha hedhin poshtë akuzat e deputetit socialist, Taulant Balla lidhur me të ardhurat. Në një deklaratë për mediat ata theksojnë se të ardhurat janë nga burime të ligjshme dhe mund vërtetohen lehtësisht nga deklarimet vjetore të pasurisë pranë ILDKP, institucion i cili hetoi dhe konstatoi vërtetësinë e deklarimit të pasurisë ndër vite, por dhe deklarimet pranë organeve tatimore mbi të ardhurat personale vjetore. Mesazhi për socialistin Taulant Balla dhe shefin e tij, është që të japë argumente për akrobacitë e tij spekulative, ose t’i paraqesë ato në gjykatë, ku do të nisë një proces kundër tij
Deklarata e plotë e Argita e Jamarbër Malltezi dhe Shkëlzen Berisha
“Në lidhje me spekulimet e fundit të z. Balla sqarojmë se të ardhurat tona janë të gjitha nga burime të ligjshme dhe të deklaruara në organet përkatëse. Të gjitha të ardhurat janë derdhur në rrugë bankare dhe për to janë shlyer, po në rrugë bankare, të gjitha detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi. Sa më sipër vërtetohet lehtësisht nga deklarimet vjetore të pasurisë në ILDKP, institucion i cili hetoi dhe konstatoi vërtetësinë e deklarimit tonë të pasurisë ndër vite, por dhe deklarimet pranë organeve tatimore mbi të ardhurat personale vjetore. I kujtojmë z. Balla se të ardhurat tona të deklaruara, të kontrolluara e të gjetura në rregull janë në dritë të diellit; ndryshe nga shefi i z. Balla i cili pasi betonoi Tiranën me miliona metër katror ndërtim dhe u akuzua publikisht nga ndërtuesit se u kish kërkuar miliona euro në shkëmbim të lejeve të ndërtimit, deklaron si kursime jete 3 mijë euro, dhe se jeton 6 muaj te shokët e 6 muaj te mami meqë është i pastrehë. Për sa i përket trillimeve të vazhdueshme të z. Balla, kundër të cilit janë hapur nga persona të ndryshëm disa procese ligjore për shpifje, që prej një jave kemi pritur që ai të japë argumente për akrobacitë e tij spekulative. Meqë këtë ai nuk e bën, do t’i japim mundësinë të paraqesë argumentet e tij në gjykatë. E ftojmë të mos i shmanget si frikacak përballjes në gjyq.
Argita e Jamarber Malltezi, Shkëlzen Berisha.