E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të krishterët impenjohen në botë, të lirë nga ideologjitë dhe kompromiset”

23-12-2012 / Gazeta 55

Shkrim autorial i Atit të Shenjtë në “Financial Times”

“Kohë impenjimi për të krishterët në botë”: ky është titulli i artikullit të Papës Benedikti XVI, publikuar të enjten e kaluar në gazetën angleze “Financial Times”. Në këtë “editorial për Krishtlindjen”, Ati i Shenjtë nënvizon se të krishterët kanë një botëkuptim kaq fisnik mbi fatin e fundëm të njeriut, sa të mos pranojnë kompromise me asgjë, që mund ta cënojë atë. Artikulli i Papës, informon Salla e Shtypit e Vatikanit, lind nga dëshira e vetë gazetës angleze me karakter ekonomik, e cila, duke marrë shkas nga botimi i librit të Benediktit XVI mbi fëmijërinë e Jezusit, i kërkoi Papës një reflektim për Krishtlindjen. Ati i Shenjtë pranoi me gjithë qejf. Edhe në të kaluarën, Papa u është përgjigjur pozitivisht kërkesave të mediave - si për shembull BBC-ja, apo Radiotelevizioni Italian - pikërisht në periudhën e Krishtlindjes. Për Benediktin XVI, ky është rast për të folur mbi Jezusin dhe mesazhin e Tij para një publiku të shumënumërt, siç është ai i mediave. “Jepini Çezarit, atë që është e Çezarit dhe Zotit, atë që është e Zotit”. Niset nga ky pohim themelor i Jezu Krishtit, artikulli i Papës në “Financial Times”. Benedikti XVI pohon para së gjithash se këto fjalë na thonë të kemi kujdes të madh, si para “politizimit të fesë, ashtu edhe para hyjnizimit të pushtetit kohor e kërkimit të palodhur të pasurisë”. Në artikull, Papa nënvizon lindjen e përvuajtur të Krishtit dhe e jep si shembull, që duhet të na nxisë të mendojmë mirë cilat janë vërtet gjërat më të rëndësishme në jetë, cilat janë vlerat, sidomos në fund të një viti, që ka sjellë probleme ekonomike për shumë vetë. Çfarë mund “të mësojmë nga përvuajtëria, varfëria, thjeshtësia e skenës së grazhdit?” pyet Papa. Krishtlindja, përgjigjet, “mund të jetë kohë, gjatë së cilës mësojmë ta lexojmë Ungjillin, ta njohim Jezusin, jo vetëm si Foshnjën në grazhd, por si Ai, në të cilin Zoti u bë njeri”.
E në Ungjill, shkruan Benedikti XVI, “të krishterët gjejnë frymëzim për jetën e përditshme e për punën e tyre në botë, kudo ku ta kenë, në Parlament, apo në Bursë”. Pastaj, paralajmëron: “Të krishterët nuk duhet t’i ikin botës; përkundrazi duhet të impenjohen në të”. Por, saktëson Ati i Shenjtë, “përfshirja e tyre në politikë e në ekonomi duhet t’i largohet çdo forme ideologjie”. Ja përse, nënvizon, “kur të krishterët refuzojnë të përulen para zotave të rrejshëm, propozuar në kohët tona, nuk e bëjnë këtë se kanë ndonjë këndvështrim të vjetëruar mbi botën… Kjo ndodh, sepse janë të lirë nga zinxhirët e ideologjisë e frymëzohen nga një botëkuptim kaq fisnik për fatin e njeriut, sa nuk mund të pranojnë kompromise me asgjë, që e cënon atë”. Kjo ka ndodhur nganjëherë në histori, kur të krishterët “nuk kanë mundur t’i pranojnë kërkesat e Çesarit”, komenton Papa, duke iu referuar sërish frazës së famshme të Jezusit. Nga kulti i perandorit romak tek regjimet totalitare të shekullit të kaluar “Çesari është përpjekur t’i zerë vendin Zotit”.
Të krishterët, shkruan akoma Papa, “luftojnë kundër mjerimit, sepse i njohin çdo njeriu, krijuar në ngjashmëri me Zotin dhe i caktuar për amshim, dinjitetin më të lartë”. Të krishterët, ngul këmbë Benedikti XVI, “punojnë për shpërndarjen e barabartë të pasurive të tokës, sepse janë të bindur që, si administratorë të gjithësisë së krijuar nga Hyji”, e kanë për detyrë “të kujdesen për më të dobtit e më të brishtët”. Të krishterët, përsërit Ati i Shenjtë, “janë kundër lakmisë dhe shfrytëzimit, me bindjen se bujaria” dhe dashuria, që na ka mësuar Jezu Krishti, “janë udha, që na çon drejt plotësisë së jetës”. Feja e krishterë, vazhdon Papa Racinger, përmban në vetvete urgjencën e nxitjes së paqes e të drejtësisë për të gjithë. Këto qëllime, lexohet në artikullin e botuar në gazetën “Financial Times”, i kemi të përbashkëta me shumë të tjerë, prandaj bashkëpunimi i të krishterëve me të tjerët është gjithnjë i mundur. Benedikti XVI e përfundon reflektimin e tij duke kujtuar se lindja e Foshnjës Hyjnore “shënon fundin e rendit të vjetër”. Tani, shkruan, “kemi një mbret të ri, i cili nuk përdor forcën e armëve, por fuqinë e dashurisë”. Në fund, urimi i Ati i Shenjtë që nga grazhdi, Krishti t’i frymëzojë të gjithë të jetojnë si qytetarë të Mbretërisë së Tij Qiellore, të cilën çdo njeri vullnetmirë mund të ndihmojë të ndërtohet edhe në Tokë.
Papa Kuries Romake: Në plan të parë, mbrojtja e familjes, në të cilën vihet në lojë vetë fati i njeriut/Familja e dialogu: ishin këto, dy temat kryesore të fjalimit të madh, mbajtur sot nga Papa, me rastin e takimit me Kurien Romake për urimet e Krishtlindjes. Në fjalimin, me tematikë tejet të pasur, Benedikti XVI kujtoi çastet më në shenjë të vitit 2012, duke nisur nga shtegtimet ndërkombëtare në Meksikë, Kubë e Liban, për të kaluar tek Takimi Botëror i Familjeve, në Milano, Sinodi për Ungjillëzimin e Ri dhe Viti i Fesë, në 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit. Zemra e fjalimit: thelbi i vërtetë i lirisë njerëzore dhe mbrojtja e familjes, në të cilën vihet në lojë vetë fati i njeriut.
Pse Kisha e ka kaq për zemër familjen? Benedikti XVI e nisi reflektimin me këtë pyetje të cilën sot, në rrethana kaq të ndërlikuara, e bën shumëkush. Kisha interesohet për familjen, nënvizoi Papa, sepse nuk është fjala vetëm për një formë të caktuar shoqërore, por sepse në të përfshihet vetë çështja e njeriut: “Kush është njeriu e ç’duhet të bëjë, për të qenë njeri i vërtetë”. Duke u nisur nga konsideratat e Rabinit të madh të Francës, Zhil Bernhaim, Benedikti XVI bëri një analizë të hollësishme të shkaqeve, që çuan në krizën aktuale të familjes dhe në keqkuptimin e thelbit të lirisë njerëzore e, në fund të fundit, edhe të vetë qenies njerëzore. Papa vuri theksin mbi kërcënimet kundër familjes, që burojnë nga “filozofia e seksualitetit”, nga teoria e “gender” (siç quhen studimet ndërdisiplinore, që kanë të bëjnë me kuptimin shoqëroro-kulturor të seksualitetit dhe të identitetit të gjinisë) sipas së cilës seksi nuk është më shenjë dalluese, me origjinë nga natyra, por rol shoqëror, për të cilin njeriu mund të vendosë në mënyrë krejt të pavarur:
“Gabimi i thellë i kësaj teorie dhe i revolucionit antropologjik, që varet prej saj. është i dukshëm. Njeriu nuk pranon se ka një natyrë të parakrijuar nga trupi i tij, që karakterizon qenien njerëzore. Mohon natyrën e vet dhe vendos se kjo natyrë nuk i është dhënë si fakt i parakrijuar, por se është ai vetë që mund ta krijojë. Sipas rrëfimit biblik të krijimit, i përket thelbit të krijesës njerëzore fakti, që u krijua nga Hyji si mashkull e si femër”.
Ky dyzim, shtoi Papa, është thelbësor për njeriun. Por tani njeriu i kundërvihet vetë natyrës së tij; ai tashmë është vetëm shpirt e vullnet: “Manipulimin e natyrës, që sot e dënojmë, kur bëhet fjalë për ambientin, në këtë aspekt njeriu e zgjedh si rrugë themelore për vetveten. Tashmë ekziston vetëm njeriu abstrakt, që pastaj zgjedh për vete, në mënyrë krejt të pavarur, diçka që e quan natyra e tij”.
E në se nuk ekziston dyzimi i mashkullit e i femrës, siç e dimë nga krijimi, vërejti Papa, atëherë nuk ekziston më as familja si realitet i paravendosur që nga krijimi. Por në këtë rast, edhe fëmijët e humbasin vendin, që u përkiste deri më sot, e humbasin edhe dinjitetin e veçantë, që u përket. Nga subjekt juridik, bëhen objekt, për të cilin ekziston e drejta e, si objekt i së drejtës, mund edhe të sigurohen: “Atje ku liria për të bërë, bëhet liri për t’u vetbërë, arrihet në mohimin e vetë Krijuesit e me këtë, edhe njeriu, si krijesë e Zotit, si shembëlltyrë e Hyjit të gjallë, poshtërohet në thelb të qenies së tij. Në luftën për familjen, vihet në lojë vetë njeriu. E është e qartë se atje, ku mohohet Zoti, zhduket edhe dinjiteti i njeriut. Kush mbron Zotin, mbron njeriun”.
Më pas Papa vuri theksin tek dialogu që, për Kishën, theksoi, duhet të ndjekë tre nivele: me shtetet, me shoqërinë e me kulturat. Në këto dialogje, pohoi Ati i Shenjtë, Kisha flet, duke u nisur nga drita e fesë. Njëkohësisht edhe mishëron kujtesën e njerëzimit, të përvojave e të vuajtjeve të mbarë gjinisë njerëzore: “Kisha përfaqëson kujtesën e njeriut përballë qytetërimit të harresës, që tashmë njeh vetëm vetveten dhe i mat të gjitha gjërat me kutin e vet. Por ashtu si njeriu pa kujtesë e humbet identitetin, ashtu edhe njerëzimi pa kujtesë, do ta humbiste identitetin e vet”.
Në dialogun me shoqërinë, vërejti Papa, Kisha natyrisht nuk ka rrugëzgjidhje të gatshme për çështje të veçanta, por, së bashku me forcat e tjera shoqërore, do të luftojë për të dhënë përgjigje të tilla, që të përkojnë sa më shumë me masën e të qenit njeri: “Ato, që Kisha i shikon si vlera themelore, si elemente përbërëse, që nuk mund të diskutohen, për jetën njerëzore, duhet t’i mbrojë me qartësinë më të madhe, Duhet të bëjë gjithçka është e mundur për të krijuar një bindje, e cila pastaj mund të kthehet në aksion politik”.
Duke folur, në vijim, për dialogun ndërmjet feve, Papa nënvizoi se është kusht për sigurimin e paqes në botë e, njëkohësisht, edhe detyrë për të krishterët e për të gjitha bashkësitë fetare. Prandaj, shtoi, përgjegjësia e përbashkët për drejtësinë dhe paqen, duhet shikuar si kriteri themelor në zhvillimin e bisedimeve. Natyrisht, kujtoi Ati i Shenjtë, dialogu nuk synon konvertimin, por përmirësimin e mirëkuptimit reciprok. Gjithsesi, kërkimi i njohjes duhet të jetë gjithnjë afrim kah e vërteta: “Sigurisht, nuk jemi ne, që e zotërojmë të vërtetën, është ajo që na zotëron ne: Krishti, e Vërteta, na mori për dore e, në udhën e kërkimit tonë të pasionuar të njohjes, e dimë se dora e tij na mban fort. Shtrëngimi i dorës së Krishtit na bën të lirë e, njëkohësisht, edhe të sigurtë”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›