Pasurohet Presidentja, Krasniqi e Thaçi njëjtë sikur më 2012

Presidentja e Kosovës është bërë më e pasur se vitin e kaluar. Kjo për faktin se ajo kishte marrë dy kredi afatgjata, për të cilat nuk i kishte deklaruar burimet. Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit ka publikuar deklarimin e pasurisë të zyrtarëve publikë. Krahasuar me vitin 2012, ku presidentja kishte vetëm 34 mijë e 478 euro nga paga vjetore si numri një i shtetit dhe një veturë “Golf” në vlerë prej 6 mijë eurosh, këtë vit ajo ka deklaruar para të gatshme 47 mijë e 853 euro, transmeton KTV.
Ka marrë dy kredi, njërën 7 mijë, e tjetrën 3 mijë euro, por nuk ka deklaruar bankat e as qëllimin e tyre. Deklarimi i numri një të Kuvendit, Jakup Krasniqi, e kryeministrit Hashim Thaçi nuk kanë dalluar shumë me vitin 2012. Krasniqi ka para të gatshme 18 mijë e 024 euro, aq sa kishte vitin e kaluar, ndërkaq vazhdon të paguhet 2 mijë e 700 euro në muaj për punën e kryeparlamentarit. Kryeministri i Kosovës po vazhdon të ketë kredinë në vlerë prej 100 mijë eurosh, të cilën ka thënë se e kishte huazuar për ndërtimin e shtëpisë. Ndërkaq krahasuar me vitin e kaluar ka dukshëm më pak para të gatshme në bankë./Indeksonline./