Pasurohet me elemente të rinj Shtegu i Dyerve të Vjetra të Durrësit

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Në qytetin e Durrësit u zhvillua ecja tematike përgjatë Shtegut të Dyerve të Vjetra.
Ecja u zhvillua në 12 dyer të vjetra të qytetit, shoqëruar me rrëfimet e një guide, gjë që e bëri më interesant aktivitetin për pjesëmarrësit. Duke vizituar këto dyer të vjetra, ata panë e dëgjuan më shumë për qytetin, historinë dhe trashëgiminë kulturore.
Shtegu tashmë ofron më shumë pika informuese, sinjalistikë turistike dhe elementë interpretues që ndihmojnë vizitorët të njohin historinë e Durrësit përmes gjurmëve të tij të lashta.
Ky aktivitet është një përvojë kulturore dhe edukative që bën bashkë qytetarë, turistë, studentë dhe profesionistë të fushës së kulturës dhe trashëgimisë.
Turistët pjesëmarrës u shprehën se aktiviteti ishte mjaft i vlefshëm për të njohur më mirë qytetin dhe historikun e familjeve të vjetra.
Gjatë aktivitetit u prezantua edhe loja edukative “Zbulo Durrësin”, e krijuar në kuadër të projektit për të afruar trashëgiminë kulturore me fëmijët dhe për të nxitur mësimin përmes lojës.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Trashëgimia Epidamn: Lidhja mes së shkuarës dhe së tashmes”, i zbatuar nga Qendra “Durrësi Aktiv” në bashkëpunim me MuZEH Lab, në kuadër të programit EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
1 nga 7