E Hënë, 2 Nëntor 2026

STRASBURG – Von der Leyen: Muri panevropian kundër dronëve do të mbrojë edhe anën jugore të Evropës

STRASBURG, 8 tetor /ATSH/- Rusia po zhvillon një “fushatë të synuar në zonën gri” kundër Evropës, duke përfshirë shkelje të hapësirës ajrore, sabotim dhe sulme kibernetike që do të përshkallëzohen vetëm nëse Kremlini nuk sfidohet, paralajmeroi dje zyrtarja më e lartë e Bashkimit Evropian, në një fjalim në Parlamentin Evropian, në Strasburg, sipas AP.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se vetëm në dy javë, avionët luftarakë kishin shkelur hapësirën ajrore të Estonisë, ndërsa dronët kishin fluturuar mbi bazat ushtarake dhe vendet e infrastrukturës së rëndësishme në Belgjikë, Danimarkë, Gjermani, Poloni dhe Rumani.

“Evropa duhet të përgjigjet. Ne duhet të hetojmë çdo incident dhe nuk duhet të hezitojmë të atribuojmë përgjegjësinë, pasi çdo centimetër katror i territorit tonë duhet të mbrohet dhe të jetë i sigurt”, u tha Von der Leyen politikanëve të BE-së, në Strasburg të Francës.

“Nëse hezitojmë të veprojmë, zona gri vetëm do të zgjerohet”, tha ajo.

“Mos bëni asnjë gabim. Inkursionet e fundit në qiellin tonë janë pjesë e një modeli kërcënimesh në rritje. Është koha ta quajmë me emrin e vet. Kjo është një luftë hibride. Evropa duhet të ketë kapacitetin për t’iu përgjigjur dhe për të mbrojtur qiellin e saj”, tha Von der Leyen në X.

Dega ekzekutive e BE-së, nën udhëheqjen e Von der Leyen, po përgatit një plan që Evropa të jetë gati për t’u përballur me sfida të tilla deri në vitin 2030.

Zyrtarët e BE-së besojnë se Rusia mund të jetë e aftë të nisë një sulm ndaj një vendi tjetër evropian brenda tre deri në pesë vjetësh.

Plani përfshin zhvillimin e një “muri dronësh” me sisteme të teknologjisë së lartë të lidhura me pajisje që mund të detektojnë, gjurmojnë dhe shkatërrojnë dronët, si dhe të godasin sistemet e tyre operative ose pilotët në tokë.

Brenda dy javësh, Von der Leyen do u paraqesë për miratim krerëve të shteteve dhe qeverive të bllokut prej 27 vendesh – një “hartë rrugore” për forcimin e mbrojtjes së Evropës deri në fund të dekadës.

Von der Leyen tha se nuk ishte e përballueshme për vendet evropiane të vazhdonin të përdornin avionët luftarakë të gjeneratës së fundit – për t’u përballur me dronët relativisht të lirë, siç ndodhi kur disa prej tyre hynë në hapësirën ajrore polake, një muaj më parë.

“Kjo nuk është absolutisht e qëndrueshme. Ne kemi nevojë për një sistem anti-dronë që është i përballueshëm dhe i përshtatshëm. Për zbulim të shpejtë, përgjim të shpejtë dhe, kur është e nevojshme, neutralizim të shpejtë”, tha ajo, duke shtuar se Evropa kishte shumë për të mësuar nga Ukraina për përdorimin e dronëve.

Komisioni beson se mënyra më e mirë për të nxitur vendet evropiane të investojnë më shumë në mbrojtje – është të sigurohet që kjo të krijojë vende pune dhe të jetë e mirë për biznesin në Evropë.

Ai këmbëngul që të paktën 65% e çdo projekti të financuar me paratë e BE-së duhet të zbatohet në Evropë.

Në vitet e fundit, vendet anëtare kanë kryer rreth dy të tretat e porosive të tyre me kompanitë amerikane të mbrojtjes.

Në një samit në Kopenhagë javën e kaluar, qëndrimi i disa udhëheqësve të BE-së ndaj incidenteve me dronë, akteve të sabotimit, sulmeve kibernetike dhe thyerjes së sanksioneve duket se është ashpërsuar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›