Patatja e nxehtë e Berishës
Sali Berisha duket se ka tashmë dy paranoja, zgjedhjet e parakohshme dhe mosmarrjen e statusit për vend kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian dhe po përpiqet të përdorë bllokimin e reformës zgjedhore dhe asaj institucionale që të qetësohet.
Paranoja e tij e parë janë zgjedhjet e parakohshme. Vëzhguesit ndërkombëtarë për Shqipërinë kanë paralajmëruar qysh pas 21 janarit se do të ishte mirë që Shqipëria të hynte në zgjedhje në pranverën e vitit 2012 për të shmangur rënien drejt humnerës së saj. Një editorial i ashpër në këtë frymë u botua në gazetën amerikane New York Times. Berisha ju përvesh autorit dhe injoroi këshillat që nuk vinin vetëm prej tij. Por pas zhvillimeve të fundit në vend dhe sidomos pas pushtetit të frikshëm që Berisha po demonstron mbi drejtësinë për të mbuluar krimin e tij të fundit, atë të 21 Janarit, duke hedhur poshtë dhe ekspertizën e FBI, shumë kancelari perëndimore po rekomandojnë nën zë zgjedhjet e parakohshme si një mënyrë për të ndalur rrënimin. Këto zëra kanë shkuar deri në tavolinë të Sali Berishës dhe jo aq rastësisht ai i ka cituar ato në një intervistë të fundit të tij në një TV privat si qëndrime dashakeqe të disa diplomatëve perëndimorë.
Deri këtu nuk është se ka ndonjë plan të qartë, por ka një ide se si mund të dilet nga kriza përmes zgjedhjeve. Për të ndalur rizgjedhjen e presidentit nga Sali Berisha, ato janë zgjidhja më e mirë.
Por pikërisht këtu e ka kapur paranoja Berishën. Fakti që reforma zgjedhore filloi të funksionojë dhe komisioni po punonte për termat teknikë, i shtoi atij dyshimin se dëgjueshmëria e opozitës ndaj perëndimorëve ishte pjesë e komplotit. Kështu ai sapo përfunduan disa rregullime që kanë të bënë me numërimin elektronik dhe kontrollin e kartave të identitetit në tavolinën e votimit, bllokoi gjithë punën dhe refuzon çdo kërkesë të opozitës për reformën. Skandali doli jashtë dyerve të komisionit dhe u shndërrua në debat publik. Gjatë gjithë së enjtes lideri i opozitës ka dashur të sqarojë faktorin ndërkombëtar për këtë bllokim dhe askush nuk gjen asnjë arsye të shëndoshë përse duhet ta bllokojë reformën zgjedhore kryeministri, përveç një arsyeje: Frika se votimi i një Kodi të ri më të sigurt u hap rrugën menjëherë zgjedhjeve të reja dhe ai gjendet i papërgatitur.
Duke qenë paranojak dhe dyshues ndaj çdo gjesti të perëndimorëve dhe bashkëpunimit të tyre me opozitën, ai ka për tu rënduar në paranojën e tij ditë pas dite dhe ne kemi për të parë se ai do të anulojë dhe ato çfarë ka pranuar deri tani. Në shpërthimin e tij në Kuvend, subkoshienca e tij na çoi tek adhurimi që ka për defektet e kodit dhe dëshirën që zgjedhjet të bëhen më 2013 dhe me këtë kod, për ta vendosur populli. Është pikërisht paranoja e shtuar e tij nga ideja se po rregulloi Kodin radhën e kanë zgjedhjet ajo që sot i ka lënë të gjithë të hutuar, kur shikon se i pari që nuk do të miratohet më tej asnjë rresht në reformën zgjedhore është vetë Berisha.
Problemi i tij i dytë është mosmarrja e ftesës për vend kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian. Vetë Berisha nuk vuan nga ndonjë iluzion në këtë drejtim. Ai as nuk do dhe as ka iluzion se do ta marrim këtë ftesë. Problemi i tij i vetëm ishte si tia hidhte për këtë fajin opozitës. Tani që opozita ka shkuar dhe po bën ato dy- tri detyra që ka në këtë pikë, ai është duke ngelur zbuluar dhe fare papritur ka bllokuar gjithçka. Rrënimi i sistemit të drejtësisë dhe kthimi i gjykatave në celula talibane ekzekutuese të pushtetit, natyrisht që nuk i japin qeverisë shqiptare asnjë shans të marrë ftesën për vend kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian. Berisha nuk është më i lirë ta lërë të lirë drejtësinë. Ai ka probleme konkrete të hapura me të. Një drejtësi e pavarur do të kishte çuar në burg djalin e tij për ndërmjetës biznesi vdekjeprurës, vajzën e tij për ndërmjetëse licencash firmosur nga babai, gruan e tij për mbledhje fondesh nga persona me probleme të forta me ligjin dhe mungesë transparence në përdorimin e tyre dhe vetë atë si ekzekutor të katër qytetarëve shqiptarë. Këto janë arsye të mjaftueshme që Sali Berisha të bëjë çfarë ka në dorë që sa të jetë ai gjallë në këtë vend të mos ketë më gjykata që do të guxojnë të gjykojnë atë dhe familjen e tij. Kjo është po ashtu fakt i mjaftueshëm që ne të qëndrojmë përgjithmonë larg Bashkimit Evropian. Në këto rrethana ai ka vetëm një shpëtim formal, bllokimin e menjëhershëm të reformës përmes zhurmës se spo merret vesh me opozitën dhe justifikimin me këtë të dështimit të madh të Shqipërisë në rrugën drejt Evropës. Siç e thashë ai realisht as e do dhe as ka iluzion se do ta marrim një ditë statusin sa të jetë ai në krye të këtij vendi. Ai tani thjesht do një arsye paraprake të thotë përse ky vend nuk bën dot më përpara drejt Perëndimit.
I futur në paranojë nga zgjedhjet e reja me një Kod më të sigurt, dhe i sigurt se vazhdimi i dialogut me opozitën do ta shkatërronte atë si fajtor kryeso para shqiptarëve për ngecjen e vendit në provimin evropian, ai nuk ka asnjë rrugë tjetër veçse të bëhet pengesë për dialogun dhe vazhdimin formal të marrëveshjes me opozitën për disa reforma institucionale dhe reformën zgjedhore. Është i dënuar të jetë kundër tyre. Si çdo regjim në kalbje, dhe ky i yni, kur tenton të ndryshojë, shkatërrohet. Berisha e kuptoi këtë sapo u ul në tryezë me opozitën. Dhe dje u ngrit vërtik në këmbë sikur të ishte ulur mbi një patate të nxehtë.
