E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati politik (në tentativë) i PS-së ndaj autonomisë së universiteteve

23-02-2012 / Redaksionale

21 vjet më parë studentët dolën nga auditorët e mykur me marksizëm dhe leninizëm në sheshin kryesor të Tiranës për të gjetur lirinë dhe demokracinë nëpërmjet kërkesës për pluralizëm partiak dhe zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Sot njëzet e një vjet më pas një grup studentësh, që nuk kanë as idealet e lirisë dhe as ato të  demokracisë, po kthehen në vegla qorre politike nëpër auditorët e fakulteteve.  Sepse kur pjesa më e madhe e procesit për zgjedhjet në universitete është mbyllur dhe ora-orës po dalin rezultatet dhe fituesit  ajo që bie në sy është tentativa për të çuar valën e tërbuar opozitare dhe të pakontrolluar politike në institucionit e dijes. Disa trakte allasoj komuniste janë shpërndarë me indikacionin e dhënies së votës: “votoni kundër pedagogëve të partisë në pushtet!”. Referendumi i Ramës kundër kryeministrit Berisha paska zbritur valë-valë deri në institucione autonome, të panjohura nga ndikimet të drejtpërdrejta politike.     
Sigurisht pas ndryshimit të ligjin për Arsimin e lartë, që tashmë lejon edhe rikandidimin për postin rektorin, dekanit dhe shefat e departamenteve, kuptohej se gjithçka do të ecte sipas modaliteteve normale të një procesi zgjedhor.  
Megjithatë fushata elektorale për të zgjedhur krerët e universiteteve dhe fakultete ka pasur kësaj radhe një intensitet dhe një agresivitet si asnjë herë tjetër, çka ngjante jo pak me fushatat e fundit politike. Ngase në qarkullim mund të konstatoje çdo gjë, që  nga posterat e zakonshëm tek fletëpalosja, por edhe trakte demaskuese e denigruese. Sigurisht pati dhe fushatë virtuale me faqe të posaçme uebi e organizimeve grupesh mbështetëse nëpër rrjetet sociale. Secili kandidat ka bërë të pamundurën që të fitojë apo të rikonfirmohet.
Kuptohet vetiu për të bërë fushatë zgjedhore nëpër fakultete janë përdorur edhe armët politike, sidomos forumet rinore të partive, që janë aktivizuar me komandë në betejën e kinse demaskimit dhe të denigrimit të panjohur deri më sot në auditorët e universiteteve. Këtë gjë e ka denoncuar edhe rektori i rizgjedhur i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, në një konferencë për mediat ditën e djeshme, ku ka akuzuar FRESSH-in (Forumin rinor Eurosocialist) se ka tentuar të destabilizojë procesin zgjedhor përmes trakteve, sipas tij denigruese për kandidatë të caktuar të hedhura në Fakultete.
Si duket, mashat guerile të Erjon Velisë më shumë kanë vepruar sipas urdhrave të shefave sesa kanë menduar seç po bëjnë realisht, duke atestuar në mënyrë zhvlerësuese ndaj kandidatëve jo afër PS. Natyrisht mosha hormonale ka përparësi t’i gjejë shtegun më të shkurtër për të arritur objektivat e paracaktuara. Kanë qarkulluar nëpër fakultete antivlera: “Trakte të zeza, të cila mund të ishin vetëm të kohës së nazizmit. Trakte të cilat i thonë Universiteteve, pedagogëve dhe studentëve, votoni kundër pedagogëve të partisë në pushtet. Të tilla trakte kanë në fund porositësin e tyre, struktura e FRESSH”, akuzoi publikisht rektori Kule, i cili sfidohej nga Mimoza Hafizi, anëtare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Prandaj kishte një organizim agresiv të FRESH-it ndaj zgjedhjeve në fakultete. Prapavija politike e logjistike e kandidatëve e ka shtuar dozën e agresivitetit. Dhe në këtë lojë socialistët janë më të dhënët për inskenuar fushata baltosëse dhe nxitjen e “revoltave popullore” në auditorët e dijes. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›