Homazh për dëshmorin
Roland Bimo
20 shkurti, për familjen dhe të afërmit e dëshmorit të atdheut Kapiten Feti Vogli, një ditë që përndryshe do të duhej të ishe normale, aq sa mundet e gëzuar, u kthye në një ditë kobi e zie. Me dhimbjen dhe zinë tyre u bashkuan të gjithë shqiptarët brenda e jashtë kufijve, në një solidaritet prekës, duke na kujtuar vlera e ndjenja, që në hallet e jetës së përditshme, kishim kohë që nuk i kishim provuar. Pikërisht ndjenjat e larta të nderimit për dëshmorin e rënë për mbrojtjen e atdheut. Ndenja të një solidariteti njerëzor pa dyshim, por me një sfond të dukshëm patriotik. Momenti i dhimbshëm për humbjen e Kapitenit rënë në fushën e betejës në një mision paqeruajtes ndërkmbëtar, në mënyrë intuitive duket se na ka ndërgjegjësuar të gjithëve rreth faktit se ai mision paqeruajtës ndërkombëtar është po aq edhe atdhedashës e patriotik. Feti Vogli ra dëshmor në Afgnistanin e largët për të mbrojtur atdheun e tij.
Me të drejtë shumë është folur e shkruar këto ditë dhe të gjithë opinionet kanë vlerën e tyre. Por cfardo që të thuhet nuk duhet të eklipsojë vlerën themelore të aktit suprem të sakrifikimit të jetës për një cështje të drejtë. Nuk kërkon përpjekje të mëdha për të kuptuar se sot, mbrojtja e Shqipërisë fillon jo më në kufijtë administrativë por pikërisht aty ku shfaqen rreziqet dhe kërcënimet për paqen dhe sigurinë e komunitetit, pjesë e të cilit ndjehemi dhe jemi, për vlerat që mbartim e duhet të mbartim, mbrojtja e të cilave është ekuivalente me mbrojtjen e atdheut.
Shqipëria është pjesë aktive e komunitetit të kombeve të lira, të angazhuar për mbrojtjen bashkarisht të njeri tjetrit dhe të asaj që përfaqsojnë. Zona Euro- Atlantike është në paqe dhe mundësia e kërcënimit nga një sulm konvencional kundër territorit të NATO-s, është e vogël. Ky është një sukses historik i politikave solide të mbrojtjes, integrimit Euro-Atlantik dhe partneritetit aktiv, që ka udhëhequr NATO-n për më shumë se gjysëm shekulli. Por kjo nuk do të thotë se janë eleminuar kërcënimet dhe rreziqet ndaj sigurisë së jetës dhe lirisë së antarëve të komunitetit Euro Atlantik, pikërisht nga ato forca që morën jetën e Kapitenit Feti Vogli.
Koncepti Strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë e antarëve të Aleancës së Atklantikut e Veriut, miratuar nga kryetarët e Shteteve apo të Qeverive të vendeve antare në nëntor të vitit 2010 në Lisbonë, duke folur për parimet dhe deyrat esenciale të Aleancës (Pika 11) pasqyron ndryshimet që kanë ndodhur në peisazhin e sigurisë në botë pas Luftës së Ftohtë dhe reagimet ndaj këtyre ndryshimeve, bën fjalë për kufij të rinj, kufij të aleancës, duke theksuar në të njëjtën kohë kuptimin, se mbrojtja e kufijve të aleancës është garanci për integritetin teritorial, pavarësinë politike dhe lirinë e shteteve antare. Mbrojta më e mirë e integritetit teritorial dhe e kufijve të çdo vendi anëtar, realizohet përmes mbrojtjes së kufivje të tërë aleancës si e tillë. Ashtu sikurse ka thënë një Europian i mënçur në moment dhimbje e zie për vendin e tij në një situatë të ngjashme besoj se nuk teprohet po të zëvendësohet emri i vendit të tij me atë të vendit tonë; kufijtë e Shqipërisë fillojnë nëHindu Kush. Ndonëse rënë mijëra kilometra larg, jeta e dëshmorit Feti Vogli është sakrificë në altarin e lirisë së atdheut. Përkulemi me respektin më të thellë me shpresë në të pamundurën, lehtësimin sadopak të dhimbjes për familjen, të afërmit, bashkëluftëtarët dhe kolegët. I përjetshëm kujtimi.